Dialogu strategjik RMV-SHBA: Memorandum për gazin natyror dhe projekte të reja

Sesioni i dytë i Dialogut Strategjik midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Maqedonisë së Veriut kishte në fokus forcimin e bashkëpunimit ekonomik, në siguri, mbrojtje, digjitalizim dhe energjetikë, raporton Portalb.mk.

Në këtë drejtim, ministrja e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve Minerale, Sanja Bozhinovska, dhe zëvendëssekretari i Shtetit të SHBA-së, Kristopher Landau, nënshkruan memorandum mirëkuptimi.

Me këtë dokument konfirmohet angazhimi i përbashkët për diversifikimin e burimeve dhe rrugëve të furnizimit me gaz natyror, rritjen e rezistencës së sistemit energjetik, sigurimin e gazit të qëndrueshëm dhe të përballueshëm për vendin, forcimin e lidhjeve rajonale dhe integrimin e tregjeve.

“Uashingtoni dërgon një mesazh të qartë, Dialogu Strategjik e pozicionon Maqedoninë në një nivel të ri”, tha Sanja Bozhinovska.

Dialogu Strategjik me SHBA-të riafirmon rolin e Maqedonisë së Veriut si aleat dhe partner kredibil, tha ministri i Jashtëm dhe i Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, pas nisjes së sesionit të dytë të Dialogut Strategik ndërmjet dy vendeve.

Ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajllovski, shtoi se partneriteti me SHBA-të është kyç për transformimin dhe modernizimin e kapaciteteve mbrojtëse. Aktualisht janë aktive 16 marrëveshje me SHBA-të për furnizim me pajisje mbrojtëse, dhe Qeveria është e përkushtuar për arritjen e objektivave të NATO-s.

Ministri i Ekonomisë dhe Punnës, Besar Durmishi tha se në kuadër të dialogut, u hapën temat kryesore që lidhen me tërheqjen e investimeve të huaja, nxitjen e inovacioneve dhe përshpejtimin e transformimit digjital të institucioneve dhe sektorit të biznesit.

“Dialogu konfirmoi përcaktimin e përbashkët për t’u përballur me sfidat e reja ekonomike globale përmes zgjidhjeve inovative dhe investimeve strategjike, si dhe thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar”, tha Durmishi.

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, pjesë e delegacionit, njoftoi se në kuadër të Dialogut Strategjik po shqyrtohen mundësi për mbështetje në zhvillimin e kapaciteteve kibernetike të avancuara dhe forcimin e mbrojtjes së sistemeve kryesore shtetërore përmes trajnimeve, pajisjeve dhe shkëmbimit të ekspertizës.

Përmes Dialogut Strategjik sigurohen edhe rezultate konkrete për MPB-në, përfshirë mbështetje financiare mbi 3,5 milion dollarë për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e sigurisë kufitare dhe kibernetike.

Sesioni i dytë i dialogut vjen disa muaj pasi SHBA dhe Maqedonia e Veriut arritën marrëveshje për një kornizë për tregti të drejtë dhe reciproke.

Dialogu Strategjik midis dy vendeve filloi në qershor të vitit 2022, gjatë qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së dhe administratës amerikane të Joe Biden dhe Kamala Harris.

Dy shtetet kanë marrëdhënie bilaterale të vendosura prej më shumë se tre dekadash.