Dialogu Strategjik me SHBA-të: Mbështetje prej 3,5 milionë dollarësh për MPB-në
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut do të marrë mbështetje prej rreth 3,5 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat do të dedikohen për policinë kufitare, luftën kundër terrorizmit dhe krimit transnacional. Këtë e bëri të ditur ministri Pançe Toshkovski, i cili është pjesë e delegacionit maqedonas në sesionin e dytë të Dialogut Strategjik me SHBA-të në Uashington, transmeton Portalb.mk nga Kolegium.
“Me të gjithë këta hapa të përbashkët që kemi ndërmarrë në të kaluarën dhe me gjithçka që do të pasojë në të ardhmen, padyshim që do ta forcojmë sigurinë jo vetëm të qytetarëve maqedonas, por edhe të të gjithë atyre që tranzitojnë nëpër Maqedoni dhe që potencialisht mund të ndikojnë në çfarëdo mënyre në sigurinë e Shteteve të Bashkuara”, deklaroi Toshkovski.
Delegacionin maqedonas në sesionin e dytë të Dialogut Strategjik me SHBA-të e udhëheq ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski. Përveç Toshkovskit, pjesë e tij janë edhe ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski, ministri për Transformim Digjital Stefan Andonovski, ministrja e Energjisë Sanja Bozhinovska, ministri i Ekonomisë Besar Durmishi, ambasadori në NATO Orhan Murtezani.
Mucunski, pas takimit të sesionit të dytë, në profilin e tij zyrtar në Facebook theksoi se fokusi i bisedimeve ishte në fushat kyçe si çështjet globale dhe rajonale, mbrojtja dhe siguria, energjetika dhe bashkëpunimi ekonomik, siguria kibernetike dhe digjitale, si dhe forcimi i sigurisë kufitare dhe përballja me kërcënimet transnacionale.
Ai, në kuadër të vizitës në Uashington, u takua edhe me zëvendëssekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Christopher Landau.
“Rikonfirmuam përkushtimin e përbashkët për një partneritet të fortë dhe afatgjatë, të bazuar në siguri, liri dhe prosperitet demokratik. Sesioni i dytë i Dialogut Strategjik përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në avancimin e marrëdhënieve bilaterale. Shkëmbyem mendime edhe për situatën në rajon dhe integrimin evropian, ku u theksua rëndësia e angazhimit të vazhdueshëm të SHBA-ve si faktor kyç për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, shkroi Mucunski.
Një nga çështjet më të rëndësishme për qytetarët e RMV-së që hapet në kuadër të këtij dialogu është edhe udhëtimi në SHBA pa viza, vetëm me pasaportë. Deri më tani, institucionet kompetente kanë theksuar se janë të përfshira në grupet ndërinstitucionale të punës për anëtarësim në Programin për Heqjen e Vizave (Visa Waiver Program) dhe në programin Global Entry. Megjithatë, as qeveria aktuale dhe as ajo e mëparshme nuk kanë premtuar heqje të vizave në afat të shkurtër apo me afate konkrete.
Sesioni i dytë i dialogut vjen disa muaj pasi SHBA dhe Maqedonia e Veriut arritën marrëveshje për një kornizë për tregti të drejtë dhe reciproke. Sipas marrëveshjes së arritur në shkurt, në kohën kur ishin aktuale tarifat e vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump, Shkupi pranoi të heqë tarifat doganore për të gjitha produktet industriale dhe bujqësore nga SHBA, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të mbajnë tarifa prej 15% për një pjesë të produkteve maqedonase, me mundësi që disa prej tyre të hiqen.
Dialogu Strategjik midis dy vendeve filloi në qershor të vitit 2022, gjatë qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së dhe administratës amerikane të Joe Biden dhe Kamala Harris. Sesioni i atëhershëm u udhëhoq nga ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani dhe Karen Donfried, e cila në atë kohë ishte ndihmëssekretare e Shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike.
Dy shtetet kanë marrëdhënie bilaterale të vendosura prej më shumë se tre dekadash. Një nga dokumentet më të rëndësishme është Deklarata për partneritet strategjik dhe bashkëpunim, e nënshkruar më 7 maj 2008, pas vetos greke për anëtarësimin e vendit në NATO në samitin e Bukureshtit në prill të atij viti. Nënshkrues të saj ishin ministri i atëhershëm i Jashtëm Antonio Milošoski dhe sekretarja amerikane e Shtetit Condoleezza Rice.