Dogana parandaloi kontrabandimin e mbi 12 tonë frutash dhe perimesh në pikën kufitare “Bogorodicë”

Zyrtarët doganorë kanë parandaluar një tentativë për kontrabandë të 12,5 tonë frutash dhe perimesh në pikën kufitare “Bogorodicë”, transmeton Portalb.mk.

Nga Drejtoria e Doganave njoftuan se mallrat e gjetura kanë një vlerë totale prej 1,4 milion denarë. Frutat dhe perimet u zbuluan gjatë kontrollit të mallrave në procedurë tranziti, ku u konstatua se ato nuk ishin deklaruar në dokumentet doganore.

“Në total u gjetën 750 kilogram ananas, mbi 3 ton avokado, 2,5 ton speca djegës, 600 kilogram brokoli, 2,3 ton luleshtrydhe, 3,3 ton kivi dhe 40 kilogram kërpudha”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Mallrat e padeklaruara u sekuestruan.

Kundër personit të dyshuar që tentoi të kontrabandojë mallrat është ngritur padi penale për kryerjen e veprës penale të kontrabandës.