Fluturimet Shkup-New York: Dialogu Strategjik në vitin e katërt, cila Ministri po e pengon heqjen e vizave?
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) vetëm me pasaportë, pa pasur nevojë të aplikojnë, të përgatisin dokumente dhe të shkojnë në intervista për viza, raporton Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.
Kjo është një nga çështjet që Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka hapur me administratën në Uashington, e që do të ishte një nga përfitimet e Dialogut strategjik të cilin këto dy vende e filluan në muajin qershor të vitit 2022. Ai shihet si një kornizë institucionale për një nivel më të lartë të marrëdhënieve të ndërsjella dhe masa konkrete për bashkëpunim më të thellë në disa fusha.
Sa i përket planit të liberalizimit të vizave institucionet në Maqedoni janë të përfshira në grupet e punës ndërresoriale për bashkim me Programin për heqjen e vizave (Visa Waiver Program) dhe Programin global për hyrje në SHBA (Global Entry program), theksojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme (MPJTJ) për Radion Evropa e Lirë (REL).
Ky është një proces afatgjatë në kuadër të dialogut, shtojnë nga atje.
Ky është vetëm një nga aspektet e theksuara nga ish-ministrja e mbrojtjes, deputetja aktuale Sllavjanka Petrovska, e cila si njeriu i parë i mbrojtjes në vitin 2022 ishte pjesë e delegacionit që udhëtoi për në Shtetet e Bashkuara për ta filluar Dialogun Strategjik.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që atëkohë u prioritizuan aktivitetet dhe detyrimet e institucioneve në Maqedoni në aspektin e heqjes dhe lehtësimit të regjimit të vizave me Shtetet e Bashkuara, gjë që do të jetë një nxitje shtesë për rritjen e bashkëpunimit dhe partneritetit”, thotë Petrovska për Radion Evropa e Lirë, teksa flet për rezultatet e dialogut.
Shefi i diplomacisë, Timço Mucunski, gjatë vizitës së tij të fundit në Shtetet e Bashkuara ku mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në një intervistë për TV Sitel nga Nju Jorku më 22 shtator tha se “ata nuk premtojnë se liberalizimi i vizave do të ndodhë shpejt”, por është një nga temat e diskutuara në kuadër të dialogut strategjik.
Maqedonia e Veriut, e cila këtë vit shënon 30 vjet marrëdhënie bilaterale me SHBA-të, është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që nis një Dialog Strategjik me qeverinë amerikane. Nga rajoni më i gjerë këtë e kanë bërë edhe Sllovenia dhe Kroacia.
Një hap i tillë në muajt e fundit është njoftuar edhe në Serbi. Sa i përket Kosovës në 12 shtator Uashingtoni deklaroi se do e pezullojë Dialogun Strategjik të planifikuar për shkak të veprimeve të qeverisë së Kosovës, të cilat, siç deklaroi, e kanë rritur tensionin dhe destabilitetin në vend.

Për çfarë bisedohet në Dialogun Strategjik?
Maqedonia e Veriut tashmë ka hyrë në vitin e katërt që nga fillimi zyrtar i Dialogut Strategjik, ndërsa koordinatori i procesit është Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
Mbi bazë të temave të diskutuara në kuadër të Dialogut Strategjik në qershor të vitit 2022 nga Ministria shpjegojnë se është hartuar një Plan për aktivitetet me një periudhë realizimi prej 2023-2033. Regjimi pa viza është vetëm një prej tyre.
Nga MPJTJ këtu i rendisin edhe aktivitetet në mbrojtje dhe siguri, energjetikë dhe mjedis jetësor, bashkëpunimin dypalësh, qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit, tregtinë dhe investimet, si dhe lidhjet midis njerëzve.
Edhe Ambasada e SHBA-ve në Shkup është e kënaqur me rrjedhën e deritanishme të dialogut, nga ku thonë se “partneriteti ynë po jep rezultate të prekshme në të gjitha fushat, sidomos në mbrojtje, siguri dhe ekonomi”.
“Shembuj të kësaj janë plani jonë 10-vjeçar i bashkëpunimit për mbrojtje, përmirësimi i infrastrukturës në poligonin e stërvitjes ushtarake Krivollak për ushtrime të përbashkëta më të mëdha, bashkëpunimi për zgjidhje energjetike smart, përforcimi i shkëmbimit të burimeve njerëzore dhe avancimi i marrëdhënieve tregtare për promovimin e rritjes ekonomike. Këto përpjekje e pasqyrojnë angazhimin e përbashkët për një të ardhme më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë për të dy kombet”, thonë nga Ambasada e SHBA-ve për REL.
Pse është i rëndësishëm Dialogu Strategjik për Maqedoninë e Veriut dhe rajonin?
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut vendosja e një kornize të tillë institucionale për dialog në më shumë segmente është një “përfitim i madh diplomatik” duke e pasur parasysh rëndësinë dhe rolin udhëheqës të SHBA-ve në skenën ndërkombëtare.
“Njëkohësisht përfaqëson edhe një njohje nga SHBA-të se ata e shohin Maqedoninë e Veriut si një partner të besueshëm, jo vetëm një pranues pasiv të ndihmës për zhvillim dhe mbështetjes politike, por edhe si një vend me të cilin mund të zbatojnë vendime strategjike”, thanë nga Ministria.
Ish-ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Shtetet e Bashkuara, Vasko Naumovski, është i mendimit se Dialogu Strategjik është një avancim i bashkëpunimit tashmë të vendosur midis dy vendeve, duke theksuar se vendi ka pasur mbështetje nga Shtetet e Bashkuara që nga pavarësia e tij. Por, ai e sheh atë edhe si një mundësi për të arritur një nga qëllimet e politikës amerikane – stabilizimin e Ballkanit.
“Fushat në të cilat mund të zgjerohet bashkëpunimi përmes Dialogut Strategjik i përfshijnë sfidat e sigurisë në rajonin më të gjerë, bashkëpunimin tregtar, energjetikën, infrastrukturën, si dhe integrimin tonë evropian, drejt stabilizimit të qëndrueshëm të Ballkanit – një proces që është pjesë e qëllimeve të politikës së jashtme amerikane”, thotë Naumovski për REL.
Edhe ish ministrja e mbrojtjes, Petrovska, thekson se Dialogu Strategjik nënkuptonte ngritjen e nivelit të bashkëpunimit, por edhe njohjen e rolit të vendit në rajon.
“Maqedonia e Veriut mori një konfirmim të fuqishëm se është një aleat i rëndësishëm për SHBA-të, por u njoh edhe në nivel rajonal si një vend që kontribuon në stabilitetin e rajonit dhe ishte një shembull pozitiv për partneritetin. Për Maqedoninë është jashtëzakonisht e rëndësishme që ky dialog të vazhdojë me intensitet më të madh, sepse aleanca me SHBA-të është një faktor kyç për zhvillimin politik dhe ekonomik të vendit”, thekson Petrovska.

Ndihmë për arritjen e qëllimeve të NATO-s
Ajo thekson se resori të cilin e drejtonte ajo – mbrojtja – është një fushë ku Maqedonia e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara kanë pasur edhe më parë bashkëpunim të shkëlqyer, ndërsa me dialogun u “vendosën themelet për intensifikimin e bashkëpunimit edhe në fusha të tjera”.
Pikërisht në aspektin e mbrojtjes nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme theksojnë se dialogu strategjik mundëson që Maqedonia e Veriut t’i zhvillojë aftësitë e saj për t’i arritur qëllimet e NATO-s. Vendi zyrtarisht u bë anëtari i 30-të i Aleancës në mars të vitit 2020.
Një nga burimet më të rëndësishme me të cilat disponon është është poligoni në Krivollak i cili përdoret për stërvitje të shumta të ushtrive që janë në kuadër të NATO-s. Modernizimi i këtij poligoni është një nga qëllimet që, ashtu si edhe Ambasada Amerikane, e theksojnë edhe autoritetet në Maqedoni kur bëhet fjalë për Dialogun Strategjik.
“Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë realizohet nëpërmjet zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse të teknologjisë së fundit, kryerjes së stërvitjeve bilaterale dhe aktiviteteve për trajnim për përmirësimin i interoperabilitetit, në veçanti të zhvillimit të poligonit në Krivollak me qëllim kryerjen e aktiviteteve komplekse gjatë stërvitjeve nga ana e aleatëve dhe partnerëve të NATO-s”, shpjegojnë nga MPJTJ.
Ata numërojnë edhe një sërë trajnimesh, kursesh, programeve për trajnim dhe përmirësim të kapaciteteve të sigurisë, ndërsa theksojnë edhe se në nëntor të vitit 2023 vendi nënshkroi një Memorandum për Mbështetje Profesionale për Zhvillimin e një Strategjie Kombëtare të Sigurisë me SHBA-të.
Sundimi i ligjit, kultura, energjetika dhe tregtia
Kur bëhet fjalë për rezultatet në fusha të tjera që janë pjesë e temave të Dialogut Strategjik, nga Ministria e Punëve të Jashtme që e koordinon procesin përkujtojnë se qeveria amerikane vazhdimisht ndan para për qeverisje të mirë dhe sundimin e ligjit për ta rritur besimin në gjyqësor, përgjegjshmërinë e prokurorëve dhe gjykatësve, si dhe për t’i zbatuar reformat në gjyqësor.
“Ne marrim një ndihmë të konsiderueshme për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Luftë Kundër Korrupsionit – deri më tani nga ndihma e përgjithshme për Maqedoninë e Veriut, e cila është më shumë se 1,3 miliardë dollarë, SHBA-të kanë investuar gjysmë miliardë dollarë në luftën kundër korrupsionit“, thonë nga Ministria.
Si pjesë e projekteve në kuadër të Dialogut Strategjik ata e theksojnë edhe përforcimin e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në aspektin e burimeve njerëzore, aftësive teknike dhe softuerike dhe krijimin e një qendre analitike.
Për segmentin e energjetikës dhe mjedisit jetësor nga Ministria nuk theksojnë projekte konkrete, por deklarojnë se ekziston “një angazhim i theksuar për rritjen e diversifikimit dhe pavarësisë energjetike në mbështetje të sigurisë së të dy vendeve”.
Ngjashëm është edhe për tregtinë dhe investimet për të cilat nga Ministria e theksojnë “angazhimin e përbashkët” për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar dhe “angazhimin e përbashkët për shfrytëzimin e mundësive tregtare, avancimin e reformave, identifikimin dhe zvogëlimin e pengesave për tregtinë dhe investimet”.
Pjesë e planit në kuadër të Dialogut Strategjik është edhe kultura, ku theksohet se parashikohet bashkëpunim midis muzeve, mbështetje për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Maqedoni përmes Fondit të Ambasadorit për Ruajtjen e Kulturës, leksione për muzikantë të talentuar me profesorë nga Shtetet e Bashkuara, zhvillim profesional i konservatorëve nga Maqedonia e Veriut…
30 vjet marrëdhënie diplomatike
Të gjitha këto fusha ishin edhe pjesë e deklaratës së përbashkët të Uashingtonit dhe Shkupit të cilën e publikoi Departamenti i Shtetit më 2 qershor të vitit 2022 kur filloi Dialogu Strategjik.
Dialogu atëkohë drejtohej nga ministri i atëhershëm i punëve të jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani dhe Karen Donfried, e cila ishte Ndihmës sekretare shtetërore e SHBA-ve për çështjet evropiane dhe euroaziatike në administratën e ish-presidentit Joe Biden.
Në deklaratë ata theksonin se dialogu është “i fokusuar në thellimin e partneritetit bilateral“ duke iu referuar përpjekjeve për bashkëpunim në secilën fushë në veçanti.
Dokumenti më i rëndësishëm i nënshkruar midis dy vendeve deri më tani është Deklarata për Partneritet Strategjik dhe Bashkëpunim e nënshkruar më 7 maj të vitit 2008. Ajo u nënshkrua në Uashington nga ministri i atëhershëm i punëve të jashtme, Antonio Milloshoski, dhe Sekretarja shtetërore e SHBA-ve Condoleezza Rice. Nënshkrimi i deklaratës pasoi pas vetos greke në samitin e NATO-s në Bukuresht në prill të vitit 2008.
Këtë vit Maqedonia e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara shënuan 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
Maqedonia e Veriut është vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që mbajti Dialog Strategjik me ShBA-në më 2 qershor të vitit 2022, në Uashington. Me këtë marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve u ngritën në një nivel më të lartë, duke forcuar partneritetin strategjik dhe aleancën e kahershme mes dy vendeve. Në kuadër të takimit të parë të Dialogut Strategjik, u përcaktuan disa fusha me rëndësi kryesisht dypalëshe, por edhe me interes rajonal dhe global. Si fusha kryesore për bashkëpunim u theksuan: iniciativat rajonale; mbrojtja dhe siguria; lidhjet midis njerëzve; bashkëpunimi dypalësh, qeverisja e mirë dhe sundimi i së drejtës; tregtia dhe investimet.