Filloi rindërtimi i Sallës Universale, pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2027

Rindërtimi dhe modernizimi i Sallës Universale, një nga simbolet më të rëndësishme kulturore të kryeqytetit dhe vendit, ka filluar, njoftoi sot Ministria e Kulturës dhe Turizmit. Pengesat administrative që kanë bllokuar zbatimin e projektit për vite me radhë, sipas Ministrisë përkatëse, janë kapërcyer duke përfunduar procedurën për zgjedhjen e një kontraktori për Sallën Universale, transmeton Portalb.mk.

“Komisioni Shtetëror për Ankesat e Prokurimit Publik e hodhi poshtë ankesën e operatorit ekonomik si të pabazuar dhe konfirmoi përzgjedhjen e ofertës më të favorshme për kontraktorin e projektit. Vendimi konfirmon përfundimisht Vendimin për përzgjedhjen e ofertës më të favorshme nga 23 marsi 2026 dhe kontraktori përfundimtar për projektin është zgjedhur. Kjo heq pengesën e fundit ligjore për fillimin e punimeve të ndërtimit”, tha Ministria e Kulturës.

Projekti po zbatohet në bazë “çelës në dorë”, dhe rindërtimi i Sallës Universale duhet të përfundojë deri në fund të vitit 2027. Ky, siç u tha nga Ministria e Kulturës, është një projekt kyç në kuadër të përgatitjeve të kryeqytetit për titullin prestigjioz “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028”.

Me pamjen e re të Sallës Universale, qyteti do të marrë një institucion kulturor modern, funksional dhe përfaqësues, në të cilin mund të mbahen koncerte, shfaqje teatrale, festivale dhe ngjarje të mëdha kulturore.

“Ky është një investim në të ardhmen e kulturës, në artistët tanë, në publikun tonë dhe në brezat e ardhshëm”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.

Salla Universale duhet të përfundojë deri në fund të vitit 2027, në mënyrë që në vitin 2028 të jetë gati për zbatimin e programit për projektin “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës”.

Salla Universale u përfshi nga flakët më 9 prill të vitit 2024, vetëm një muaj pasi rifilluan punimet për rindërtimin e saj. Ajo filloi të rinovohej drejt fundit të mandatit të ish-kryetarit të Qytetit të Shkupit Petre Shilegov në vitin 2021. Me ardhjen e Danella Arsovskës, si kryetare e kryeqytetit, puna u ndal dhe asgjë nuk u bë për dy vjet.  

Pastaj, me vendim të Qeverisë, ndërsa Bisera Kostadinovska-Stojçevska ishte ministre e Kulturës, Ministria përkatëse e mori sallën nga Qyteti i Shkupit dhe rindërtimi vazhdoi, i cili më pas u ndal nga zjarri.