Cilat janë rezultatet e Dialogut Strategjik mes Shkupit dhe Uashingtonit?
Qytetarët maqedonas të mund të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) vetëm me pasaportë, pa pasur nevojë të aplikojnë, të përgatisin dokumente ose të shkojnë në intervista për viza, raporton Radio Evropa e Lirë.
Kjo është një nga çështjet që Qeveria e Maqedonisë së Veriut e ka hapur me administratën amerikane, dhe që do të ishte një nga përfitimet e Dialogut Strategjik, të cilin të dyja vendet e filluan në qershor të vitit 2022.
Ky dialog shihet si një kornizë institucionale për një nivel më të lartë të raporteve mes dy vendeve, që ofron masa konkrete për bashkëpunim më të thellë në fusha të ndryshme.
Sa i përket heqjes së vizave, institucionet maqedonase janë të përfshira në grupet ndërsektoriale të punës për bashkimin me Programin për Heqjen e Vizave dhe me Programin Global për Hyrje në SHBA, thanë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme (MPJTJ) për Radio Evropa e Lirë (REL).
Nga kjo ministri thanë se ky është një proces afatgjatë në kuadër të Dialogut Strategjik.
Ky është vetëm një nga aspektet që ka vënë në pah edhe ish-ministrja maqedonase e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, aktualisht deputete, e cila si udhëheqëse e mbrojtjes në vitin 2022 ishte pjesë e delegacionit që udhëtoi në SHBA për nisjen e Dialogut Strategjik.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që atëherë u prioritizuan aktivitetet dhe detyrimet e institucioneve maqedonase në lidhje me heqjen dhe lehtësimin e regjimit të vizave me SHBA-në, çka do të jetë një shtysë më shumë për rritjen e bashkëpunimit dhe partneritetit”, tha Petrovska për Radion Evropa e Lirë, duke folur për rezultatet e Dialogut.
Kreu i diplomacisë maqedonase, Timço Mucunski, gjatë vizitës së fundit në SHBA, kur mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, bëri të ditur në një intervistë për TV Sitel nga Nju Jorku se “ata nuk premtojnë që heqja e vizave do të ndodhë shpejt”, por është një nga temat që po diskutohet brenda kornizës së Dialogut Strategjik.
Maqedonia e Veriut, e cila këtë vit shënon 30 vjet marrëdhënie dypalëshe me SHBA-në, është vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që nisi Dialogun Strategjik me Qeverinë amerikane. Nga rajoni më i gjerë, këtë lloj dialogu me Uashingtonin e zhvillojnë edhe Sllovenia e Kroacia.
Nisja e një dialogu të tillë muajve të fundit është paralajmëruar edhe në Serbi.
Sa i përket Kosovës, Uashingtoni më 12 shtator njoftoi për pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik me Kosovën, për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë të Kosovës, të cilat, siç tha SHBA-ja, i kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë në vend.
Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) në vitin 2023 e prezantoi para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut raportin e parë për zbatimin e Dialogut Strategjik RMV-ShBA. Në të janë renditur informata për statusin e realizimit të aktiviteteve dhe projekteve të planifikuara në kuadër të Dialogut, që shumica e tyre janë në rrjedhë e sipër, ndërsa një pjesë e vogël e aktiviteteve janë përfunduar.
Sivjet u shënuan 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike (13 shtator 1995) midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.