Çfarë iu mungon të rinjve në Tetovë, flasin Amra, Ardiani, Luisa dhe Yllza (Video)

Mungesa e hapësirave rinore, mundësive për zhvillim personal dhe profesional, përfshirjes në vendimmarrje dhe aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet etnive mbeten disa nga sfidat kryesore me të cilat përballen të rinjtë në Tetovë. Katër të rinj nga qyteti, Amra, Ardiani, Luisa dhe Yllza, për Portalb.mk vlerësojnë se potenciali dhe dëshira për aktivizëm nuk mungojnë, por shpesh pengohen nga mungesa e mbështetjes institucionale, informimit dhe hapësirave ku mund të shprehen lirshëm, pa ndikime politike.

Ata kërkojnë më shumë investime në politikat rinore, projekte që nxisin bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve dhe përfshirje reale të të rinjve në vendimet që i prekin drejtpërdrejt.

Çfarë u mungon të rinjve sot në Tetovë?

Luisa Residi: U mungon një hapsirë në të cilën kur të rinjtë shkojnë nuk përlyhen me asnjë ngjyrë politike.

Ardian Ramadani: Të rinjve u mungojnë plotë gjëra në Tetovë, por mendoj se idetë dhe motivi janë kryesoret që nuk u mungojnë dhe janë çelësi që i shtyjnë të rinjtë të punojnë. Mendoj se duhet shumë më shumë hapsira rinore, duhen më shumë projekte zhvilluese profesionale por edhe duhet të ketë një treg më të hapur në aspekt të blerjes së diturisë edhe nga faktorët e jashtëm.

Yllza Sulejmani: Aktivizimi dhe hapsirat më të mëdha, që të rinjtë të shprehen më lirshëm në vendin e tyre.

Amra Osmani: Vende më moderne për të zhvilluar personalitetin e tyre, për tu bashkuar me të rinj të tjerë për të krijuar iniciativa të ndryshme.

Pse kemi rini jo shumë aktive në qytet?

Luisa Residi: Rinia është mjaft aktive por në vende të gabuara, në momentin që rinia mundohet të bëhet aktive ajo keqpërdoret. Në qoftë se herën e parë që një i ri dëshiron të merr pjesë në aktivizëm, duhet të vlerësohet.

Ardian Ramadani: Pasiviteti ka lindur nga zhgënjimi me ballafaqimin e pranimit të ideve të rinjve, ose ndonjëherë edhe vetë me mendimin e të rinjve, shkaku se të rinjtë mendojnë në aspekt më kritik, më përmirësues për rrethanat shoqërore, dhe kur has në vesh të shurdhër ka qenë shkaku që e ka distancuar rininë nga marrja e iniciativave. Por besoj se nuk mungon shpresa por as edhe gatishmëria dhe dija që nesër të marrin iniciativa.

Yllza Sulejmani: Mendoj se ka shumë talente të rinj në Tetovë, por nuk kanë hapsirë ku t’i shprehin ato idetë dhe mendimet e tyre.

Amra Osmani: Ju mungojnë informatat e nevojshme se ku dhe kur realizohen aktivitete si dhe disa pjesë të tjera të rinisë janë jashtë vendit, po ashtu disave ju duket humbje kohe marrja pjesë në aktivitete.

Pse të rinjtë në qytet nuk shoqërohen me bashkëmoshatarët e etnive tjera?

Luisa Residi: Shoqërohen, mirëpo në universitete më së shumti. Duhet të krijohen ambiente të tjera siç ishte për shembull Vera Kulturore, ku takoheshin të rinjtë shqiptarë, maqedonas, turq, ambiente të tilla të cilat do ishin më argëtuese. Po ashtu Tetovës i mungon edhe një vend leximi, ku t gjithë të rinjtë e etnive të ndryshme do mund të lexonin bashkërisht.

Ardian Ramadani: Të rinjtë janë rritur në një sistem paralel te ne, nuk kanë pasur mundësi të shoqërohen sa duhet me etnitë tjera. Janë krijuar shumë paragjykime për etnitë tjera ndërmjet etnive, që nuk më pëlqen dhe mundohem ta luftoj dita ditës. Duhet shumë më shumë tu jepet hapsirë të rinjve që të fillojnë projekte të ndërsjella, si dhe ta thyejnë atë murin, shkaku se problemet tona të përbashkëta janë shumë më të mëdha se sa ndasitë e përkatësive etnike që i kemi.

Yllza Sulejmani: Mendoj se nuk është problem shumë i rëndë i cili nuk mund të zgjidhet, ne duhet të bashkëpunojmë me etnitë e tjera sepse kjo është vlerë shumë e mirë sepse jemi vend multikulturor.

Amra Osmani: Te të rinjtë nuk realizohen iniciativa të përbashkëta me etni të ndryshme, kjo e bën që paragjykimet të shpeshtohen dhe të rinjtë mos e njohin njëri tjetrin.

Çfarë porosie do t’i jepje kryetarit të komunës?

Luisa Residi: Të kujdesej më shumë për kafshët e qytetit, të cilat mbeten të lëshuara, mendoj që reflekton shumë për ne si tetovarë, dhe të krijohen ambiente, me sa e di ka tashmë një ambient për të rinjt, por të ishin më të shumta vendet si ato.

Ardian Ramadani: Komunës së Tetovës i duhet reformë në politikat rinore përfshirë këtu një përfshirje më të madhe në aspektin buxhetor të të rinjve, por edhe në atë të rritjes së numrit të hapsirave rinore, por edhe në projektet që i prekin direkt të rinjtë dhe që luajnë rol të rëndësishëm në ndërtimin e tyre personal dhe profesional.

Yllza Sulejmani: Kur të merren vendimet për të rinjtë, të jenë edhe të rinjtë aty brenda dhe të vendosin më mirë vetë, sepse ato e dinë më mirë se çka u mungon në Tetovë.

Amra Osmani: Të fillojë të investojë te të rinjtë sepse në fund të fundit ne jemi ardhmëria e këtij vendi.

Sipas një hulumtimi të realizuar nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Ballkani Perëndimor me mbi 6 mijë të rinj nga rajoni të Gjeneratës Z (16-28 vjeç), kjo gjenreatë vazhdon të besojë në demokraci, vlerëson zgjedhjet dhe e sheh Evropën si pjesë të së ardhmes së saj.

Për shkak të angazhimit të tyre ndaj demokracisë dhe reformave institucionale, kjo gjeneratë mund të quhet “gjenerata e BE-së”. Por mbështetja e tyre është e kushtëzuar: Gjenerata Z nuk dëshiron anëtarësim në BE me çdo kusht, pa reforma ose pa vizion të qartë se çfarë do të thotë anëtarësimi për të ardhmen e tyre.

Në kundërshtim me perceptimet në Evropë, 64.8% e Gjeneratës Z e shohin të ardhmen e tyre në vendin e tyre, duke treguar interes të kufizuar për të migruar në BE.