Çka i mundon më së shumti sot të rinjtë në vend, flasin Luisa, Ardiani, Yllza dhe Amra: BE-ja do zgjidhë shumë sfida (Video)
Papunësia, emigrimi, cilësia e dobët e arsimit dhe mungesa e besimit te institucionet mbeten ndër shqetësimet kryesore të të rinjve në Maqedoninë e Veriut. Edhe pse thonë se kanë ide dhe dëshirë për të kontribuar, ata ndihen të padëgjuar dhe të përjashtuar nga proceset e vendimmarrjes, gjë që, sipas tyre, ka krijuar zhgënjim dhe pasivitet, shkruan Portalb.mk.
Katër të rinj, Luisa, Ardiani, Yllza dhe Amra, për Portalbin theksuan se vendi ka nevojë për reforma reale dhe jo për fjalë boshe, ndërsa anëtarësimin në Bashkimin Evropian e shohin si zgjidhje për shumë shqetësime të tyre.
Në mesazhin e tyre drejtuar institucioneve, ata kërkojnë që të rinjtë të mos kujtohen vetëm gjatë fushatave zgjedhore, por të përfshihen dhe të dëgjohen në mënyrë të vazhdueshme.
Cilat janë problemet e rinisë sot në Maqedoninë e Veriut?
Luisa Residi: Rinia nuk sheh perspektivë këtu andaj si opsion më të mirë e ka emigrimin. Përballet me papunësi, me probleme të shëndetit mendor. Po ashtu edhe përballen me problemin edhe e të mos qenit të dëgjuar.
Ardian Ramadani: Janë të shumta, duke filluar nga arsimi i cili nuk i zhvillon të rinjtë për tregun e punës, duke vazhduar më pas te besimi te institucionet, gjithashtu edhe te zhvillimi profesional.
Yllza Sulejmani: Emigrimi, punësimi dhe cilësia e arsimit. Mendoj se nëse punojmë më shumë në këto fusha do kemi më pak probleme, dhe do jemi pak më të lumtur në vendin tonë.
Amra Osmani: Mungesa e vendeve të punës, arsimimi që nuk i përgatit të rinjtë për tregun e punës si dhe largimi i të rinjve jashtë vendit.
Pse të rinjtë sot nuk janë aq të zëshëm për problemet e tyre?
Luisa Residi: Mendoj se të rinjtë janë mjaft të zëshëm mirëpo ata demoralizohen në momentin që e shohin se ata nuk dëgjohen, nëse krijohen ambiente më t[ ngrohta dhe më mikpritëse por ata, do të jenë më mjaft aktiv.
Ardian Ramadani: Vjen nga dëshpërimi, nga burokracia e lartë e institucioneve dhe nga ai dëshpërim ka ardhur ky pasivitet i të rinjve, është pak për të ardhur keq se cilësohen të rinjtë se nuk kanë ide dhe projekte, por ndoshta ky zhgënjim ka sjellë deri në këtë gjë që të rinjtë vetë të distancohen nga institucionet, shkaku se nuk kanë gjetur hapsirën e nevojshme për tu dëgjuar, kanë folur por e gjithë ajo e folur ka shkuar në vesh të shurdhër.
Yllza Sulejmani: Jo që nuk është e zëshme, por mendojnë që nuk dëgjohen, dhe mendojnë se zëri i tyre nuk do sjellë ndonjë ndryshim. Prandaj mendoj se duhet të ketë ë shumë hapsira ku ata mund t’i shprehin idetë e tyre.
Amra Osmani: Nuk janë aq të zëshëm për shkak se nuk përfshihen në vendimmarrje, kur nuk shohin ndryshime apo shohim ndryshime të vogla, atëherë të rinjve ju humbet inspirimi dhe motivimi.
A mendoni se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE do të ndryshonte jetën e të rinjve, si?
Luisa Residi: Do të ishte shumë mirë për të rinjtë, por ajo do ishte diçka që shihet sipas meje pas 15 apo 20 viteve te ne. Do ndryshonte për shkak se do rritej standardi dhe është diçka që të rinjtë shumë e vlerësojnë.
Ardian Ramadani: Besoj se do të ketë impakt edhe pse është proces më i zgjeruar, mendoj se të rinjtë e mirëpresin një gjë të tillë dhe shpresoj të punojmë me retorikën të punojmë për vendin jo të dalim jashtë, mendoj se BE-ja do të sjellë shumë ndihmesë te të rinjtë përfshirë reformat në arsim, kthimin e besimit n institucione. BE-ja nuk mund të na ndihmojë pa mos pasur ne vetë dëshirën për ta ndihmuar veten. Para hyrjes në BE ne në fillim duhet të vetëreformohemi, të jemi vetëkritikë që standardet e BE-së shumë më lehtë t’i pranojmë në të ardhmen.
Yllza Sulejmani: Bashkimi Evropian do të hapë shumë dyer ku të rinjtë do mund të punojnë së bashku me të tjerët, por gjithashtu mendoj se ne duhet të punojmë më shumë në vendin tonë dhe pastaj të dalim në vendet tjera.
Amra Osmani: Mendoj se po sepse do të kishte arsim më të avancuar dhe më shumë vende pune për të rinjtë.
Çfarë porosie do t’i jepje kryeministrit të vendit?
Luisa Residi: Të mos shihen të rinjtë vetëm në kohën e fushatave politike, ata të dëgjohen dhe të respektohen.
Ardian Ramadani: Të reformohet retorika politike në vend, të ketë retorikë më gjithëpërfshirëse, të ketë politikë më të barabartë për të gjithë, më së shumti të ketë reforma në politikat rinore ku të rinjtë jo vetëm të trajtohen për PR, të trajnohen përmes afrimit të tyre në vendimmarrje.
Yllza Sulejmani: Të fokusohet më shumë në fushat e punësimit dhe zhvillimit profesional të të rinjve.
Amra Osmani: Duhet të fillojë të investojë te të rinjtë, ne si të rinj duam ndryshime reale dhe jo vetëm premtime boshe.
Sipas një hulumtimi të realizuar nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Ballkani Perëndimor me mbi 6 mijë të rinj nga rajoni të Gjeneratës Z (16-28 vjeç), kjo gjenreatë vazhdon të besojë në demokraci, vlerëson zgjedhjet dhe e sheh Evropën si pjesë të së ardhmes së saj.
Për shkak të angazhimit të tyre ndaj demokracisë dhe reformave institucionale, kjo gjeneratë mund të quhet “gjenerata e BE-së”. Por mbështetja e tyre është e kushtëzuar: Gjenerata Z nuk dëshiron anëtarësim në BE me çdo kusht, pa reforma ose pa vizion të qartë se çfarë do të thotë anëtarësimi për të ardhmen e tyre.
Në kundërshtim me perceptimet në Evropë, 64.8% e Gjeneratës Z e shohin të ardhmen e tyre në vendin e tyre, duke treguar interes të kufizuar për të migruar në BE.