Bosnja – Hercegovina vazhdon të mbetet në një situatë të vështirë dhe paralizë politike. Debatet dhe mospajtimet midis amerikanëve dhe evropianëve se kush duhet të udhëheqë me Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë – Hercegovinë (OHR) e kanë futur Bosnjën në një situatë të vështirë, pa ndonjë arsye. Ka shumë politikë pas asaj se kush do të udhëheqë me Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë.
Përfaqësuesi i deritanishëm gjerman Christian Schmidt i cili u largua më 1 korrik 2026, është kritikuar nga SHBA-të dhe, në veçanti nga administrata e presidentit Donald Trump. Departamenti i Shtetit para takimit të fundit e kishte njeriun për ta vendosur në Zyrën ndërkombëtare e cila ka mjaft pushtet. Diskutimet e vazhdueshme midis përfaqësuesve evropianë dhe amerikanë nuk kishin të bënin vetëm me emrin e njeriut të ri në këtë funksion.
Zëra evropianë kanë raportuar për plane ekonomike për të bërë më shumë biznes me Federatën e Bosnjë-Hercegovinës në kontekst të rolit të SHBA-së në rajon me sigurinë energjetike. Kështu administrata amerikane dhe Italia mbështeti diplomatin italian Antonio Zanardi Landi. Franca dhe Gjermania dolën me kandidatin e tyre, i cili nuk morri mbështetje nga Uashingtoni dhe Roma.
Partnerët evropianë sipas mediave janë habitur nga kjo sjellje e amerikane, duke dyshuar në linjat e biznesit të tubacioneve të gazit në ngritje të një kompanie amerikane me bazë në SHBA (AAFS Infrastructure and Energy). Analistë në rajon thonë se ky ndryshim amerikan ndaj Përfaqësuesit të Lartë ka të bëjë pikërisht me politikën e re amerikane në Ballkan e cila kërkon përfitime reciproke e jo vetëm ndihmë amerikane në ndërtimin e shteteve e quajtur ndryshe si “ndërtim institucional pa afate.”
Para se Uashingtoni, të bëhej më kritik ndaj Christian Schmidt-it, disa fraksione në Federatë nuk e kanë pëlqyer punën e tij, veçanërisht serbët e Srpska Republika, të cilët kanë qenë etnia më e pakënaqur nga mandati i tij. SHBA-të kishin theksuar se është në rregull që Christian Schmidt të qëndrojë në detyrë deri në tetor, kur do të mbahen zgjedhjet në Bosnjë – Hercegovinë.
Por kjo nuk ndodhi. Schmidt-i u largua nga zyra dhe la pas mosmarrëveshje. Përkundër bisedimeve intenzive, zyrtarët e SHBA-së dhe BE-së nuk arritën të bien dakord për të ardhmen e Përfaqësuesit të Lartë për Bosnjë – Hercegovinën. Dy ditë bisedime në Sarajevë nuk e çuan çështjen e hapur përpara.
Në fund si zëvendës të tij, Bordi Drejtues i Këshillit të Zbatimit të Paqes (PIC), vendosi Louis J. Crishock i cili do t’i kryejë detyrat e parashikuara nga Aneksi i 10-të i Marrëveshjes së Dejtonit. Pavarësisht preferencave të amerikanëve dhe evropianëve, e ardhmja e Bosnjë- Hercegovinës është në rrezik, për arsye të politikave serbe.
Në fund, Bosnjë -Hercegovinës i duhen së paku dhjetë vite për të hyrë në BE, përveç nëse BE-ja tregon mëshirë për pjesën tjetër të shteteve të Ballkanit, të cilat janë të bllokuara në këtë proces.
Në kontekst të mospajtimeve të fundit, përfshirja e madhe e SHBA-së ka rreziqe dhe përfitime në terma realë nëse zëvendësi i ri Louis J. Crishock do të bëjë më shumë në luftën kundër tendencave separatiste të serbëve dhe forcimit të ligjit ndaj ish-personave të akuzuar për krime lufte. Për lexuesit duhet thënë se Zyra e Përfaqësuesit të Lartë u krijua në vitin 1995 me Marrëveshjen e Dejtonit. Përkundër vendosjes së paqes nga SHBA-të, partnerët evropianë, dhe me pjesëmarrjen ruse në Dejton, Bosnja- Hercegovina është përballur me sfida të jashtëzakonshme nga brenda.
Aktualisht duhet të ketë kujdes nga mospajtimet në mes SHBA-së dhe shteteve evropiane. Sinjalet që përcjellin mospajtimet në mes Uashingtonit dhe shteteve evropiane përballë ekstremizmit politik e ndikimeve malinj në republikë, mbetet të shihen nga vendimet përfundimtare që do të sillen para ose pas zgjedhjeve të së vjeshtës.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.