Qeveria flet për reforma, BE-ja sheh progres të moderuar: Administrata publike në RMV ende e politizuar
Derisa ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, gjatë prezantimit të punës dyvjeçare të ministrisë u lavdërua për arritjet në reformën e administratës publike, Parlamenti Evropian nga ana tjetër vlerësoi arritjet duke pranuar disa përmirësime në transparencë dhe efikasitet, mirëpo i cilësoi ata të moderuara, duke theksuar mes rreshtash se reformat ende nuk janë të mjaftueshme, raporton Portalb.mk.
Parlamenti Evropian vëren se, pavarësisht ndryshimeve ligjore dhe masave të ndërmarra, zbatimi praktik i reformave mbetet i kufizuar dhe nuk ka prodhuar ende rezultate të dukshme për qytetarët, sidomos në nivel lokal, ku kërkohen reforma më të thella dhe forcim i kapaciteteve administrative përmes zbatimit më të plotë të Strategjisë së Administratës Publike 2023–2030.
“Është arritur progres i moderuar në reformën e administratës publike dhe transformimin digjital, duke rritur transparencën dhe efikasitetin në sektorin publik, përfshirë përmes legjislacionit të miratuar së fundmi për identifikimin elektronik në përputhje me rregullat e BE-së; megjithatë vëren se nevojiten përpjekje të mëtejshme, përfshirë reforma në vetëqeverisjen lokale dhe zbatim më të fortë të strategjisë së administratës publike 2023–2030, e cila do t’u mundësojë administratave lokale të ofrojnë shërbime më të mira për qytetarët, të zhvillojnë dhe zbatojnë strategji zhvillimi lokal dhe rajonal, si dhe të sigurojnë kapacitetin e nevojshëm administrativ”, thuhet në raport.
Një nga pikat kryesore të kritikës së Parlamentit Evropian lidhet me depolitizimin e administratës publike, ku kërkohet zbatim i plotë i sistemit të punësimit dhe avancimit në bazë të meritës, veçanërisht për pozitat e larta drejtuese, pasi ende konsiderohet se ndikimi politik në administratë nuk është eliminuar plotësisht.
“Bën thirrje për depolitizim të mëtejshëm të administratës publike dhe zbatim të plotë të procedurave të rekrutimit dhe përzgjedhjes së bazuar në meritë për pozitat e larta drejtuese, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian”, thuhet në raportin e PE-së.

Kujtojmë se Administrata publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut në vitin 2025 u ballafaqua me një valë reformash ligjore dhe politike të dedikuara për modernizimin, departizimin, digitalizimin dhe profesionalizimin e shërbimit civil, pjesërisht të lidhura me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Qeveria miratoi ligje të reja që synojnë përmirësimin e përzgjedhjes dhe trajnimit të nëpunësve, përfshirë trajnimet dhe provimet profesionale për administratën, dhe përditësimin e kuadrit ligjor për dokumentet elektronike për ta bërë sistemin më efikas dhe të aksesueshëm.
Megjithatë, reformat u shoqëruan me sfida të dukshme: mungesë interesimi nga të rinjtë për punësim në administratë për shkak të pagave jo konkurruese, besim të ulët publik në institucionet shtetërore dhe kritika për zbatimin e mangët të strategjive të reformës.
Sipas raporteve ndërkombëtare, përparimi në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe organizimin e administratës mbeti i ngadaltë dhe me boshllëqe strukturale që kërkojnë zgjidhje të mëtejshme.
