Tetova mbetet në kaos urban, zvarritet miratimi i Planit Gjeneral Urbanistik

Ndonëse u paralajmërua se Plani Gjeneral Urbanistik i Tetovës do të jetë gati në vitin 2026, ende nuk janë përmbyllur procedurat, për të cilat tani autoritetet komunale thonë se nuk mund të japin afat konkret realizimi, derisa qyteti që nga viti 2003 nuk ka plan të ri, shkruan Portalb.mk.

Procedura për hartimin dhe miratimin e Planit Gjneral Urbanistik është duke avancuar me ritëm të përshpejtuar. Kështu i tha Portalbit, udhëheqësi i Sektorit të Urbanizmit në Komunën e Tetovës, Rilind Selmani.

“Aktualisht jemi në fazën e sigurimit të kushteve të planifikimit, ku po realizohet harmonizimi i të gjitha destinimeve dhe zgjidhjeve urbanistike me projektet urbanistike të miratuara ndër vite”, tha ai.

Selmani theksoi se pas përfundimit të këtij procesi, do të procedohet me miratimin e Programit Planor, duke krijuar bazën për vazhdimin e fazave të mëtejshme të Planit të Përgjithshëm Urbanistik.

“Synimi ynë është që procedurat të zhvillohen me dinamikë të shtuar, duke respektuar njëkohësisht të gjitha kërkesat ligjore dhe profesionale”, tha Selmani.

I pyetur se kur priten të përfundojnë këto procedura, ai tha se nuk mund të jep interval kohor pasi janë procedura të cilat kalojnë në disa institucione.

Plan i përgjithshëm urbanistik në vete ngërthen 128 plane detale, ku 68 prej tyre janë aktivë, 60 prej tyre nuk kanë plane detale.

Kujtojmë se kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami nuk arriti ta realizojë miratimin e planit gjeneral urbanistik siç premtoi brenda gjashtë muajve në mandatin e parë. Të njëjtin premtim ai e ka vendosur edhe në programin e mandatit të dytë, por kësaj here pa ndonjë afat konkret kohor.

Miratimi i planit gjeneral urbanistik është nevojë e madhe për qytetin pasi shihet si zgjidhje për zvogëlimin e kaosit në trafik dhe ndërtimeve. Për herë të fundit plani gjeneral urbanistik u miratua në vitin 2003. Në vitin 2019 filloi procedura për sjelljen e një plani të ri, por kjo ngeci.

Me miratimin e planit të ri gjeneral urbanistik parashihet të zbutet kaosi urban në Tetovë, përmes zgjerimit të hapësirave, rrugëve, bulevardeve, parqeve dhe të tjera.