U hap shkolla kombëtare verore rinore për përfshirje sociale, 60 të rinj nga i gjithë vendi në Dojran
Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), Vlladimir Obradoviq, hapën Shkollën Kombëtare Verore Rinore për Përfshirje Sociale në Dojran. Nga data 14 deri më 18 shtator, në shkollë marrin pjesë rreth 60 të rinj të moshës 15 deri në 29 vjeç nga i gjithë vendi, transmeton Portalb.mk.
Shkolla verore organizohet nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, në bashkëpunim me Shoqatën Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO).
Gjatë programit pesëditor, të rinjtë pjesëmarrës nga pjesë të ndryshme të vendit do të kenë mundësi, përmes aktiviteteve interaktive, edukative dhe sportive, të fitojnë njohuri të reja dhe aftësi praktike në disa fusha, ndër të cilat komunikimi, puna ekipore, lidershipi(udhëheqja), përfshirja sociale, zhvillimi personal dhe punësueshmëria.
Fokus i veçantë në program i kushtohet qasjes “Sporti për Zhvillim”, përmes së cilës sporti përdoret si mjet për mësim, për ndërtim të besueshmërisë dhe të bashkëpunimit, për nxitje të dialogut ndërkulturor dhe për zhvillim të aftësive udhëheqëse (të lidershipit) te të rinjtë.
Qëllimi i Shkollës Kombëtare Verore Rinore është që të rinjtë të mos jenë vetëm pjesëmarrës në program disaditor, por nga Dojrani të largohen me kontakte të reja, njohuri dhe aftësi konkrete, më shumë vetëbesim dhe motivim për pjesëmarrje aktive në komunitetet e tyre.