Kallëzim penal kundër Mendi Qyrës për shkarkim dhe emërim të kundërligjshëm të një drejtori shkolle

NjPB Strugë ka ngritur kallëzim penal kundër Mendi Qyrës nga fshati Bixhovë i Strugës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale „keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar“, sipas nenit 353 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

Ai, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Strugës, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Arsimin Fillor, ka marrë vendim dhe në mënyrë të kundërligjshme ka shkarkuar drejtorin e një shkolle fillore komunale, pas së cilës ka emëruar një person tjetër ushtrues detyre të drejtorit.

Këtë e ka bërë edhe pse e dinte se personi i sapoemëruar nuk i përmbushte plotësisht kushtet e përcaktuara në nenin 118 të Ligjit për Arsimin Fillor. Parregullsitë janë konstatuar edhe gjatë mbikëqyrjes inspektuese të kryer nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit.

Kujtojmë se Qyra është akuzuar gjithashtu se kundërligjshëm ka emëruar u.d. drejtor në Ndërmarrjen Publike “Ujësjellës dhe Kanalizime” në Strugë.