Ndryshimi i klimës nuk është mashtrim, as moti nuk kontrollohet nga “psikopatët satanik”
Provat shkencore tregojnë se sistemi klimatik po ndryshon dhe se ngrohja globale moderne shkaktohet kryesisht nga emetimet njerëzore të gazrave. Ndërsa ekzistojnë metoda të kufizuara për modifikimin lokal të kushteve të caktuara të motit, nuk ka prova shkencore që ndonjë grup sekret kontrollon motin ose klimën në shkallë globale, shkruan Vërtetmatësi.
Ne analizojmë një postim në Facebook që thotë:
Klima nuk ka ndryshuar, moti është kontrolluar nga psikopatë satanik.
Pretendimi se “klima nuk ka ndryshuar” dhe se moti kontrollohet nga “psikopatë satanik” është i rremë dhe nuk mbështetet nga prova shkencore. Matjet shkencore nga burime të ndryshme të pavarura tregojnë se Toka po ngrohet, se përqendrimet e gazrave serrë janë rritur ndjeshëm dhe se aktivitetet njerëzore janë nxitësi kryesor i ngrohjes globale moderne. NASA deklaron se ndryshimet në klimë të vëzhguara që nga mesi i shekullit të 20-të shkaktohen kryesisht nga aktivitetet njerëzore, veçanërisht djegia e lëndëve djegëse fosile.
Ndryshimi i klimës nuk do të thotë që çdo ditë ose çdo vit duhet të jetë më i ngrohtë se i mëparshmi. Moti i referohet kushteve afatshkurtra të atmosferës – shiu, bora, temperatura, era dhe stuhitë – ndërsa klima përshkruan modele dhe ndryshime afatgjata. Prandaj, fakti që ka mot të ftohtë gjatë një periudhe të caktuar nuk është provë se ngrohja globale nuk ekziston. NASA thekson se ndryshimi i klimës është një ndryshim afatgjatë në modelet mesatare të motit dhe se ndryshueshmëria natyrore ende ekziston, por tejkalohet nga ndikimi i aktiviteteve njerëzore.
Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) arrin në përfundimin se ndikimi njerëzor ka ngrohur qartë atmosferën, oqeanet dhe tokën që nga kohërat para-industriale. IPCC gjithashtu konstaton se ndikimi njerëzor është nxitësi kryesor i ndryshimeve në ekstremet e temperaturës dhe se shumica e rajoneve kanë parë një rritje në intensitetin ose frekuencën e disa ngjarjeve ekstreme të motit.
Pretendimi se “moti është nën kontroll” duhet të dallohet nga fakti se ekzistojnë teknologji për modifikim të kufizuar të motit. Për shembull, mbjellja e reve përdoret në kushte të caktuara për të ndikuar në reshje. Megjithatë, Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) thekson se këto teknika janë lokale ose rajonale dhe se energjia e sistemeve të motit është aq e madhe sa nuk ka teknologji të provuar shkencërisht që mund të krijojë re, të ndryshojë rrymat e ajrit në distanca të gjata ose të eliminojë fenomenet e rënda të motit.
Është veçanërisht e rëndësishme që WMO deklaron se nuk ka prova të pranuara përgjithësisht se ciklonet tropikale mund të modifikohen, as se mbjellja e reve mund të kontrollojë tornadot, rrufetë, përmbytjet dhe fenomene të tjera të rënda të motit. Prandaj, ekzistenca e teknikave të kufizuara për modifikimin e reshjeve nuk mund të përdoret si provë se ndonjë organizatë fshehurazi “kontrollon motin” në shkallë globale.
Lidhur me pretendimin se moti kontrollohet nga “psikopatët satanik”, nuk është ofruar asnjë provë, dokument, kërkim shkencorë ose të dhëna të tjera të verifikueshme për këtë deklaratë specifike për ta konfirmuar atë. Vetëm lidhja e ndryshimeve klimatike dhe kushteve të motit me një grup të supozuar sekret nuk përbën provë. Që një pretendim i tillë të jetë i verifikueshëm, do të duhej të kishte prova specifike dhe të verifikueshme në mënyrë të pavarur se kush po ushtron kontrollin e supozuar, me çfarë teknologjie dhe me çfarë rezultatesh.
Për më tepër, ndryshimi i klimës nuk është një përfundim i bazuar në një tregues të vetëm. Shkencëtarët përdorin matje nga stacionet meteorologjike, matjet e oqeanit, satelitët, bërthamat e akullit, unazat e pemëve dhe burime të tjera të pavarura. NASA deklaron se këto lloje të ndryshme të të dhënave tregojnë shenja të qëndrueshme të ndryshimit në sistemin klimatik, duke përfshirë rritjen e temperaturave globale, shkrirjen e shtresave të akullit dhe ndryshimet në komponentë të tjerë të sistemit klimatik.
Gjithashtu nuk është e vërtetë që faktorët natyrorë po injorohen. Vlerësimet shkencore marrin në konsideratë shpërthimet vullkanike, ndryshimet në aktivitetin diellor, ndryshueshmërinë natyrore në oqeane dhe atmosferë, dhe faktorë të tjerë. Por analizat tregojnë se vetëm këta faktorë nuk mund të shpjegojnë ngrohjen e vërejtur gjatë periudhës industriale. Sipas NASA-s, simulimet që marrin në konsideratë vetëm faktorët natyrorë nuk mund ta riprodhojnë trendin e ngrohjes globale pas mesit të shekullit të 20-të pa ndikimin e rritjes së përqendrimeve të gazrave serrë.
Nga e gjithë kjo, mund të konkludojmë se provat shkencore tregojnë se sistemi klimatik po ndryshon dhe se ngrohja globale moderne shkaktohet kryesisht nga emetimet njerëzore të gazrave. Ndërsa ekzistojnë metoda të kufizuara për modifikimin lokal të kushteve të caktuara të motit, nuk ka prova shkencore që ndonjë grup sekret kontrollon motin ose klimën në shkallë globale.
Prandaj, postimin që po e analizojmë e vlerësojmë si të rremë.