Sela: Nuk hyjmë në qeveri, përgatitemi të dalim të vetëm në zgjedhje
Ziadin Sela e përjashton mundësinë e hyrjes në Qeveri të Lidhjes Shqiptare, duke thënë se nuk do të pranojë të mbajë mbi vete atë që e quan “vulën e tradhtisë”. Ai u bën thirrje edhe deputetëve shqiptarë të tërhiqen nga kjo rrugë, duke paralajmëruar se pasojat nuk lidhen vetëm me politikën e sotme, por edhe me të ardhmen e fëmijëve të tyre, transmeton TV21.
“Ziadin Sela as ka ndërmend të turpërojë fytyrën e vet, por as edhe të parëve të vet dhe damkën e tradhtisë dhe vulën e tradhtisë nuk ia vendos vetes. Dhe u bëj thirrje të gjithë deputetëve që janë shqiptarë të tërhiqen nga ajo rrugë, se këtu ngjan tradhtia, këta tradhtojnë perspektivën e fëmijëve të tyre, jo çdo herë do të jenë në funksion për t’i mbrojtur ata. Prandaj atë vulë tradhtie Ziadin Sela nuk e mban. Kështu që, në atë drejtim, ata e dinë shumë mirë dhe, prandaj, duke e ditur shumë mirë, as nuk guxojnë të trokasin në derë për të negociuar me mua në Qeveri”, tha Sela.
Sela njoftoi se partia e tij po përgatitet të garojë e vetme në zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij, ky ka qenë vazhdimisht qëndrimi i tij politik, pasi, siç tha, përvoja me koalicionet e deritanishme ka qenë zhgënjyese.
“Synimi im dhe i strukturës politike që unë udhëheq është që ne të garojmë vetëm në zgjedhje, natyrisht që është herët, fillimisht duhet të shpallen zgjedhjet, pastaj është çështje negociatash. Qëndrimet e mia, për hir të së vërtetës, çdo herë kanë qenë të tilla”, u shpreh Sela.
Para zgjedhjeve, sipas Ziadin Selës, duhet së pari të respektohet legjitimiteti, i cili, siç thotë ai, është shkelur disa herë dhe nuk duhet të lejohet më. Sela shprehet se synimi i tij dhe i subjektit që drejton është të bëhen forca e parë politike, ndërsa verdiktin përfundimtar, siç thekson, do ta japin qytetarët.