BE-ja dhe Gjermania kërkuan reforma konkrete, Sali: Zgjerimi i BE-së është çështje sigurie
Në kushtet e reja gjeopolitike, zgjerimi i BE-së nuk duhet të shihet vetëm si projekt ekonomik, por edhe si çështje e sigurisë dhe stabilitetit, porositi zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali. Ai tha se Maqedonia e Veriut dhe shtetet e tjera kandidate për në BE duhet ta përshpejtojnë procesin e reformave përmes një pune të koordinuar ndërmjet qeverive, parlamenteve dhe aktorëve politikë, transmeton TV21.
“Në një kohë kur Evropa përballet me sfida gjeopolitike të paprecedenta, pasiguri dhe ndikime të dëmshme të jashtme, lënia e pjesëve të kontinentit tonë në një zonë gri nuk është një opsion. Prandaj, zgjerimi duhet të mbetet një investim strategjik për një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe më qëndrueshme, dhe ne duhet ta përkthejmë këtë angazhim politik në rezultate konkrete”, tha Bekim Sali, zv/kryeministër.
Nga Delegacioni i BE-së në Shkup kërkuan që momenti i ri për zgjerimin të shndërrohet në reforma konkrete dhe rezultate të besueshme. Zëvendësshefi i Delegacionit të BE-së në Shkup, Ben Nupnau, theksoi edhe rëndësinë e një integrimi gradual, përmes të cilit qytetarët dhe bizneset do të mund t’i ndjejnë përfitimet e BE-së gjatë vetë procesit të anëtarësimit.
“E para, hovi për zgjerim duhet të përkthehet në reforma dhe rezultate konkrete e të besueshme, dhe anasjelltas. Së dyti, një integrim më gradual do t’u sjellë përfitimet e BE-së qytetarëve dhe bizneseve gjatë gjithë procesit dhe së treti, të gjithë duhet të shfrytëzojmë përvojën dhe ekspertizën ekzistuese në rajon”, pohoi Ben Nupnau, zëvendësshef i Delegacionit të BE-së në Shkup.
Mbështetje të qartë për rrugën evropiane të Maqedonisë dha edhe Gjermania. Ambasadorja gjermane në vend, Petra Dreksler, tha se reformat dhe sundimi i ligjit mbeten bazë e procesit të zgjerimit, ndërsa zhvillimet gjeopolitike e kanë bërë perspektivën evropiane edhe më të rëndësishme për stabilitetin e rajonit.
“Sigurisht, procesi i zgjerimit duhet të mbetet i bazuar fort te vlerat demokratike, sundimi i ligjit dhe zbatimi efektiv i reformave. Megjithatë, sfidat gjeopolitike e kanë ndryshuar rrënjësisht urgjencën e këtij procesi. Perspektiva evropiane nuk është më thjesht një synim afatgjatë, por një domosdoshmëri strategjike për stabilitetin në rajonet tuaja”, dekalroi Petra Drexler, ambasadore e Gjermanisë në RMV.
Takimi Ndërrajonal i Kryenegociatorëve dhe Përfaqësuesve të Lartë Përgjegjës për Integrimin Evropian u zhvillua në Shkup, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Ballkani Perëndimor, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, si dhe përfaqësuesve të BE-së dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.
Ato nënkuptojnë përfshirjen e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.
Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.
- LEXO: Ministrja austriake për Evropën: Propozimi për ndryshime kushtetuese me efekt të vonuar meriton shqyrtim serioz
- LEXO: Mucunski thotë se Qeveria po punon për zgjidhje të përhershme për zhbllokimin e eurointegrimeve, por nuk zbuloi detaje
- LEXO: Mickoski: Nuk do të lejoj ndryshime kushtetuese të tilla siç kërkon Bullgaria, por do të vazhdojmë bisedimet