Blinken në takime me kreun shtetëror të RMV-së, ministrat e OSBE-së do ta lënë të vetmuar Llavrovin

Samiti ministror i OSBE-së fillon sonte, ndërkaq një numër i madh i ministrave të jashtëm kanë dhënë deklarata para arritjes në Shkup. Tema kryesore mbetet ardhja në Shkup e ministrit rus të Punëve të Jashtme, Sergej Llavrov dhe nëse ai fare do të duhej të ishte në Këshillin e 30-të Ministror të OSBE-së, njofton Portalb.mk.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Analena Berbok, deklaroi se po udhëton për në Shkup që t’i kundërvihet “çmendurisë imperialiste ruse”, duke shtuar se Evropës i duhet më shumë bashkëpunim dhe siguri. Ajo theksoi se i kupton vendet baltike dhe Ukrainën për problemin që e kanë që të ulen në të njëjtën tavolinë me Lavrovin, por edhe shtoi se ka për qëllim që të bëjë gjithçka që është e nevojshme që ta pengojë Rusinë që ta shkatërrojë OSBE-në.

Berbok si shembull i theksoi problemet financiare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, por edhe se Rusia tenton ta bllokojë rizgjedhjen e sekretarit aktual të OSBE-së, Hellga Shmit, transmeton DW.

Nga Stejt Departamenti Amerikan, njoftuan se nuk pritet që të ketë takime mes sekretarit Blinken dhe ministrit Llavrov.

Blinken sonte kishte takim me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, duke theksuar rolin e Maqedonisë së Veriut në stabilitetin rajonal. Raportohet që çështje e takimit ishin edhe reformat e nevojshme që duhet të ndjek vendi në procesin eurointegrues.

“SHBA-ja e vlerësoi lart kontributin e Republikës së Maqedonisë së Veriut si anëtar i NATO-s, por edhe në kontekst rajonal si faktor në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, raportojnë nga kryeministria pas takimit Blinken–Kovaçevski.

Gjithashtu, Blinken u takua edhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ku në fokus të bisedës ishin ngjarjet aktuale ndërkombëtare, me fokus të veçantë në situatën në Ukrainë, ku bashkëbiseduesit dënuan fuqishëm agresionin ushtarak rus dhe shprehën mbështetje të fuqishme për popullin ukrainas.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daciq deklaroi se pret që Këshilli Ministror në Shkup të jetë i rëndë. Ai paralajmëroi se do të vijë në Shkup bashkë me ministrin e Punëve të Jashtme të Kazakistanit, Murat Nurtle.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen vlerëson se Këshilli Ministror i OSBE-së në Shkup do të jetë mundësi që vendet ta tregojnë mbështetjen për Ukrainën dhe ta dënojnë agresionin ushtarak të Rusisë. Ajo theksoi se Rusia me këtë luftë i ka shkelur parimet themelore të përbashkëta, në bazë të së cilës bazohet OSBE.

Borrell nga Shkupi: Ardhja e Llavrovit është mundësi e mirë për të dëgjuar pse Rusia është e dënuar dhe e izoluar

Ardhja e ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov në takimin në Shkup është një mundësi e mirë që ai të dëgjohet pse Rusia është e dënuar dhe e izoluar dhe më pas të kthehet në Moskë dhe t’i thotë zotit të Kremlinit se Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja mbeten të bashkuar në dënimin e sjelljes agresive dhe të paligjshme të Rusisë, transmeton Portalb.mk.

Kështu ka deklaruar sonte në prag të fillimit të Këshillit Ministror të OSBE-së, kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i cili ka mbërritur pasditen e sotme në vend, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Borrell theksoi se ardhja e Lavrov në Shkup do të jetë e dobishme nga ky këndvështrim.

“Unë e kuptoj që disa vende pjesëmarrëse nuk ishin të kënaqura me vendimin tuaj për të marrë pjesë ministrin Lavrov, e kuptoj sepse me luftën e paligjshme të Rusisë kundër Ukrainës, ajo po minon vetë parimet e OSBE-së dhe po shkel ligjet dhe për këtë arsye po përballet me sanksione ndërkombëtare dhe izolim ndërkombëtar”, theksoi Borrel.

Megjithatë, siç theksoi ai, vendimi i Maqedonisë së Veriut për të lejuar pjesëmarrjen e ministrit të Jashtëm rus në takim është në përputhje me qëllimin e përbashkët për ruajtjen e multilateralizmit dhe Lavrov, siç tha ai, mund të dëgjojë edhe një herë pse të gjithë e dënojnë.

“Ne e vlerësojmë shumë rolin e OSBE-së, veçanërisht në këtë kohë. OSBE është e vetmja platformë ku siguria dhe arkitektura jonë e përbashkët duhet të diskutohet pavarësisht përpjekjeve të Rusisë për të minuar OSBE-në, për të minuar parimet e saj themelore dhe sigurinë ekzistuese”, shtoi Borrell.

Në ndërkohë sot në MPJ u mbajt edhe konferencë paralele e OSBE-së për shoqërinë civile. Ndër konkluzat ishin se demokracia po bie në vendet ku nuk ka hapësirë për aktivizëm të shoqërisë civile. Jemi dëshmitarë të numrit alarmant të konflikteve të armatosura, në vitin e kaluar dëshmuam si Rusia është brutale ndaj Ukrainës dhe i shkel vlerat evropiane. Ajo duhet të jetë llogaridhënëse, duhet të jetë përgjegjëse për këtë luftë. Rusia ndjeshëm i ka rritur sulmet ndaj aktivistëve civil, gazetarëve dhe oponentët politik. Qëllimi i Kremlinit është që ta heshtë opozitë, ndërkaq ajo ka krijuar hendek të madh në funksionimin e shoqërisë civile dhe mediave të pavarura.

Ukraina dhe shtetet baltike do ta bojkotojnë Samitin

Vendimi për të lejuar ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov që të marrë pjesë në Samitin Ministror të OSBE-së në Shkup çoi në bojkotimin e ngjarjes nga Ukraina dhe shtetet baltike.

Ukraina kërkoi që Rusia të përjashtohej nga OSBE, duke shtuar se të gjithë duhet të punojnë së bashku për të shpëtuar OSBE-në nga Rusia. Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba do të bojkotojë Samitin Ministror të OSBE-së, ka njoftuar për agjencinë France-Presse, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko.

Ai tha se Rusia duhet të hiqet nga OSBE-ja, sepse ajo kishte kryer agresionin më të madh të armatosur në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, duke aluduar në sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës që filloi në shkurt 2022.

Revolta nga prania e Lavrovit në Shkup po rritet edhe nga vendet fqinje të Ukrainës. Vendet baltike – Estonia, Letonia dhe Lituania njoftuan sot se kryediplomatët e tyre nuk do të marrin pjesë në Samitin Ministror të OSBE-së në Shkup, në shenjë proteste për shkak të ftesës për prezencën e Sergej Lavrovit. Vendi ynë kryeson këtë vit OSBE-në.

Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e jashtëm të vendeve baltike thanë se prania e planifikuar e Sergei Lavrov “rrezikon të legjitimojë Rusinë agresore si “anëtare legjitime të komunitetit tonë të kombeve të lira”.

Duke folur në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel, ministri i jashtëm estonez Margus Cahna tha sot se prania e Lavrovit i banalizoi krimet mizore që Rusia vazhdon të kryejë. Cahna shtoi se vendi i Lavrovit është përpara një gjykate speciale, jo në tryezën e OSBE-së.

Vitin e kaluar, Polonia mikpritëse e OSBE-së refuzoi të linte Lavrovin të merrte pjesë, duke shkaktuar përgjigje të ashpër nga Rusia. Këtë herë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut tashmë lejoi që aeroplani i ministrit rus të Punëve të Jashtme Lavrov të ateroj në Shkup që të marrë pjesë në Takimin ministror të OSBE-së.

Nga ana tjetër, Rusia në tre raste në periudhën e kaluar ka bllokuar zgjedhjen e Estonisë si kryetare e OSBE-së në vitin 2024, pas së cilës është dashur të arrihet një konsensus midis shteteve anëtare për zgjedhjen e ardhshme të Maltës si kryetare e Organizatës.

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov deklaroi se do të vijë në samitin e OSBE-së në Shkup nëse Bullgaria hap hapësirën e saj ajrore, duke shtuar se disa vende perëndimore kishin kërkuar të takoheshin me të.

Shkupi i blinduar

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, sot vizitoi Shtabin në kuadër të Aksionit Operativ “OSBE 2023”, me qëllim të organizimit, drejtimit dhe koordinimit të masave dhe aktiviteteve për siguri dhe mbajtjen pa pengesa të Këshillit të 30-të Ministror të OSBE-së në Shkup.

Udhëheqësi i Sektorit për mbrojtjen e personave dhe sendeve të caktuara, i cili është përgjegjës për aktivitetin, Aleksandar Nacevski, e informoi ministrin Spasovski se shërbimet janë duke ndërmarrë të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme, disa nga delegacionet kanë mbërritur, ndërsa gjendja është e rregullt. Ekipet e SPB Shkup, Departamenti për Operacione Speciale të Policisë, Departamenti për Çështje Kufitare, Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rënda, janë në terren dhe po veprojnë sipas planit.

“Jam më se i sigurt se do të paraqitemi në mënyrën më të mirë si shërbim dhe si shtet. Shpresa të mëdha janë vendosur në Maqedoninë e Veriut. Kjo është një sfidë serioze për shërbimin dhe për shtetin. Është shumë e rëndësishme se si ne perceptohemi në nivelin e komunitetit ndërkombëtar. Dje mora pjesë në një konferencë në Bruksel, në Komisionin Evropian, ku vlerësimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme është në superlativë për të gjitha arritjet, për profesionalizmin e policisë dhe atë para ministrave nga e gjithë bota. Perceptimi tregon se Republika e Maqedonisë së Veriut ka kredibilitet dhe kapacitet serioz, ndër të tjera, edhe për shkak të Samitit të OSBE-së në Shkup. Në diplomaci interpretohet si fillimi kur të gjithë janë ulur në të njëjtën tryezë. Prandaj përgjegjësia është edhe më e madhe që gjithçka të shkojë mirë. MPB është e gatshme për sfidën”, tha ministri Spasovski.

Gjatë ditës së sotme, administrata publike ka punuar deri në ora 12, ndërkaq gjatë ditës së nesermë, Qeveria e ka shpallur ditë të lirë.

Lëvizja përreth Sallës “Boris Trajkovski”, ku do të mbahet mbledhja do të jetë tërësisht e paqasshme për qytetarët.