Borrell nga Shkupi: Ardhja e Llavrovit është mundësi e mirë për të dëgjuar pse Rusia është e dënuar dhe e izoluar

Ardhja e ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov në takimin në Shkup është një mundësi e mirë që ai të dëgjohet pse Rusia është e dënuar dhe e izoluar dhe më pas të kthehet në Moskë dhe t’i thotë zotit të Kremlinit se Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja mbeten të bashkuar në dënimin e sjelljes agresive dhe të paligjshme të Rusisë, njofton Portalb.mk.

Kështu ka deklaruar sonte në prag të Këshillit Ministror të OSBE-së, kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i cili ka mbërritur pasditen e sotme në vend. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, Borrell theksoi se ardhja e Lavrov në Shkup do të jetë e dobishme nga ky këndvështrim.

“Unë e kuptoj që disa vende pjesëmarrëse nuk ishin të kënaqura me vendimin tuaj për të marrë pjesë ministri Lavrov, e kuptoj sepse me luftën e paligjshme të Rusisë kundër Ukrainës, ajo po minon vetë parimet e OSBE-së dhe po shkel ligjet dhe për këtë arsye po përballet me sanksione ndërkombëtare dhe izolim ndërkombëtar”, theksoi Borrel.

Megjithatë, siç theksoi ai, vendimi i Maqedonisë së Veriut për të lejuar pjesëmarrjen e ministrit të Jashtëm rus në takim është në përputhje me qëllimin e përbashkët për ruajtjen e multilateralizmit dhe Lavrov, siç tha ai, mund të dëgjojë edhe një herë pse të gjithë e dënojnë.

“Ne e vlerësojmë shumë rolin e OSBE-së, veçanërisht në këtë kohë. OSBE është e vetmja platformë ku siguria dhe arkitektura jonë e përbashkët duhet të diskutohet pavarësisht përpjekjeve të Rusisë për të minuar OSBE-në, për të minuar parimet e saj themelore dhe sigurinë ekzistuese”, shtoi Borrell.

Nga konferenca e përbashkët për media me Kovaçevskin, Borrell theksoi se si kryesues aktual i OSBE-së, vendi ka bërë punë të mirë dhe se meriton mirënjohje.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut do të jetë nikoqir i ngjarjes më të madhe politike-diplomatike që ka organizuar ndonjëherë që nga pavarësia e saj. Prej 30 nëntor deri më 1 dhjetor do të mbahet takimi i 30-të ministror i OSBE-së, gjegjësisht do të qëndrojnë për vizitë ministrat e Punëve të Jashtme të Organizatës së Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Evropë (OSBE).

Në këtë ngjarje po marrin pjesë rreth 1.000 delegatë me 76 delegacione nga 57 anëtarë dhe shtete partnere të organizatës.

Është njoftuar se do të vijnë dhe krerët e diplomacive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Federatës Ruse, Antony Blinken dhe Sergej Llavrov, edhe pse nuk ka paralajmërim për takim bilateral mes tyre, por mu kjo e bën ngjarjen ndër të rrallat ku të dy gjenden në të njëjtin vend prej fillimit të invazionit rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Këshilli Ministror i OSBE-së është ngjarja më e madhe në historinë e Maqedonisë së Veriut si për nga dimensioni ashtu edhe për nga rëndësia për vendin.