Ukraina dhe vendet baltike do të bojkotojnë samitin e OSBE-së në Shkup për shkak të ardhjes së Lavrovit

Vendimi për të lejuar ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov që të marrë pjesë në Samitin Ministror të OSBE-së në Shkup çoi në bojkotimin e ngjarjes nga Ukraina dhe shtetet baltike, raporton Guardian, transmeton Portalb.mk.

Ukraina sot kërkoi që Rusia të përjashtohej nga OSBE, duke shtuar se të gjithë duhet të punojnë së bashku për të shpëtuar OSBE-në nga Rusia. Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba do të bojkotojë Samitin Ministror të OSBE-së, ka njoftuar sot për agjencinë France-Presse, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko.

Ai tha se Rusia duhet të hiqet nga OSBE-ja, sepse ajo kishte kryer agresionin më të madh të armatosur në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, duke aluduar në sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës që filloi në shkurt 2022.

Ndryshe, revolta nga prania e Lavrovit në Shkup po rritet edhe nga vendet fqinje të Ukrainës. Vendet baltike – Estonia, Letonia dhe Lituania njoftuan sot se kryediplomatët e tyre nuk do të marrin pjesë në Samitin Ministror të OSBE-së në Shkup, në shenjë proteste për shkak të ftesës për prezencën e Sergej Lavrovit. Vendi ynë kryeson këtë vit OSBE-në.

Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e jashtëm të vendeve baltike thanë se prania e planifikuar e Sergei Lavrov “rrezikon të legjitimojë Rusinë agresore si “anëtare legjitime të komunitetit tonë të kombeve të lira”.

Duke folur në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel, ministri i jashtëm estonez Margus Cahna tha sot se prania e Lavrovit i banalizoi krimet mizore që Rusia vazhdon të kryejë. Cahna shtoi se vendi i Lavrovit është përpara një gjykate speciale, jo në tryezën e OSBE-së.

Vitin e kaluar, Polonia mikpritëse e OSBE-së refuzoi të linte Lavrovin të merrte pjesë, duke shkaktuar përgjigje të ashpër nga Rusia. Këtë herë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut tashmë lejoi që aeroplani i ministrit rus të Punëve të Jashtme Lavrov të ateroj në Shkup që të marrë pjesë në Takimin ministor të OSBE-së.

Nga ana tjetër, Rusia në tre raste në periudhën e kaluar ka bllokuar zgjedhjen e Estonisë si kryetare e OSBE-së në vitin 2024, pas së cilës është dashur të arrihet një konsensus midis shteteve anëtare për zgjedhjen e ardhshme të Maltës si kryetare e Organizatës.

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov deklaroi se do të vijë në samitin e OSBE-së në Shkup nëse Bullgaria hap hapësirën e saj ajrore, duke shtuar se disa vende perëndimore kishin kërkuar të takoheshin me të.

Takimi i ministrave të punëve të jashtme të Organizatës së Sigurisë dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) do të mbahet më 30 nëntor dhe 1 dhjetor në Shkup.

Këshilli Ministror i OSBE-së është ngjarja më e madhe në historinë e Maqedonisë së Veriut si për nga dimensioni ashtu edhe për nga rëndësia për vendin. Në Këshillin Ministror pritet të marrin pjesë 76 delegacione të shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe partnerëve, të përfaqësuar në nivel të ministrave të jashtëm ose më shumë se 1000 përfaqësues të delegacioneve.