Spasovski: MPB është e gatshme për mbajtjen e sigurt të Samitit të OSBE-së

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, sot vizitoi Shtabin në kuadër të Aksionit Operativ “OSBE 2023”, me qëllim të organizimit, drejtimit dhe koordinimit të masave dhe aktiviteteve për siguri dhe mbajtjen pa pengesa të Këshillit të 30-të Ministror të OSBE-së në Shkup, gjatë dy ditëve të ardhshme, ku do të marrin pjesë 74 delegacione të huaja të rangut të lartë, transmeton Portalb.mk.

Udhëheqësi i Sektorit për mbrojtjen e personave dhe sendeve të caktuara, i cili është përgjegjës për aktivitetin, Aleksandar Nacevski, e informoi ministrin Spasovski se shërbimet janë duke ndërmarrë të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme, disa nga delegacionet kanë mbërritur, ndërsa gjendja është e rregullt. Ekipet e SPB Shkup, Departamenti për Operacione Speciale të Policisë, Departamenti për Çështje Kufitare, Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rënda, janë në terren dhe po veprojnë sipas planit.

“Jam më se i sigurt se do të paraqitemi në mënyrën më të mirë si shërbim dhe si shtet. Shpresa të mëdha janë vendosur në Maqedoninë e Veriut. Kjo është një sfidë serioze për shërbimin dhe për shtetin. Është shumë e rëndësishme se si ne perceptohemi në nivelin e komunitetit ndërkombëtar. Dje mora pjesë në një konferencë në Bruksel, në Komisionin Evropian, ku vlerësimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme është në superlativë për të gjitha arritjet, për profesionalizmin e policisë dhe atë para ministrave nga e gjithë bota. Perceptimi tregon se Republika e Maqedonisë së Veriut ka kredibilitet dhe kapacitet serioz, ndër të tjera, edhe për shkak të Samitit të OSBE-së në Shkup. Në diplomaci interpretohet si fillimi kur të gjithë janë ulur në të njëjtën tryezë. Prandaj përgjegjësia është edhe më e madhe që gjithçka të shkojë mirë. MPB është e gatshme për sfidën”, tha ministri Spasovski.

Maqedonia e Veriut do të jetë nikoqir i ngjarjes më të madhe politike-diplomatike që ka organizuar ndonjëherë që nga pavarësia e saj. Prej 30 nëntor deri më 1 dhjetor do të mbahet takimi i 30-të ministror i OSBE-së, gjegjësisht do të qëndrojnë për vizitë ministrat e Punëve të Jashtme të Organizatës së Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Evropë (OSBE).

Në këtë ngjarje pritet që të marrin rreth 1.000 delegatë me 76 delegacione nga 57 anëtare dhe shtete partnere të organizatës.

Është njoftuar se do të vijnë dhe krerët e diplomacive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Federatës Ruse, Antony Blinken dhe Sergej Llavrov, edhe pse nuk ka paralajmërim për takim bilateral mes tyre, por mu kjo e bën ngjarjen ndër të rrallat ku të dy gjenden në të njëjtin vend prej fillimit të invazionit rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.