Qeveria autorizoi ministrinë e Jashtme dhe atë të Mbrojtjes që të vendosin për ardhjen e delegacionit rus në Shkup

Qeveria hoqi ndalimin e fluturimeve dhe uljeve të avionëve shtetërorë rusë mbi dhe në vend. Në seancën e sotme Qeveria plotësoi Vendimin për vendosjen e masave kufizuese në lidhje me aktivitetet e Federatës Ruse, me të cilin kufizohet qasja e aviacionit të Federatës Ruse dhe në përputhje me Rregullativën e Këshillit të BE-së nga Politika e Përbashkët e Jashtme dhe e Sigurisë, për çka Qeveria u dha autorizim ministrive kompetente që vetë të mund të vendosin për dhënien e lejes për fluturimin dhe aterimin e avionit rus gjatë mbajtjes së takimit ministror të tridhjetë të OSBE-së në Shkup, në periudhën nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor 2023, transmeton Portalb.mk.

“Plotësimi është në përputhje me rregullativën e BE-së dhe dispozitat në vetë masat kufizuese, me të cilat parashikojnë përjashtime nga kufizimet në fjalë për konferencat ndërkombëtare, siç është OSBE-ja”, thonë nga MPJ.

Kjo do të thotë se nuk ka asnjë pengesë formale që një aeroplan, në pronësi të shtetit rus, të ulet në një nga aeroportet në Maqedoni. Vendimi, ose më mirë ndryshimet në masat aktuale kufizuese për Federatën Ruse të futura pas agresionit të Ukrainës, vjen në prag të Këshillit Ministror të OSBE-së, i cili duhet të mbahet nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor në Shkup.

Deri më tani nuk ka asnjë konfirmim se kjo nënkupton ardhjen e shefit të diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, në takimin ministror të OSBE-së.

Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, i cili është edhe kryetar aktual i OSBE-së, në periudhën e kaluar ka përsëritur vazhdimisht se shpreson që të gjitha vendet anëtare të organizatës të përfaqësohen në nivelin më të lartë diplomatik në Shkup.

Osmani nuk e fshehu se Moska zyrtare po kërkon nga Lavrov personalisht që ta udhëheqë delegacionin rus në Këshillin e Ministrave dhe se procedura për ardhjen e tij ka filluar, edhe pse Rusia është nën sanksionet e BE-së, të cilat mbështeten edhe nga Maqedonia e Veriut.

“Sanksionet thonë se organizatat ndërkombëtare si OSBE-ja lejohen të fluturojnë, megjithatë vendimi është në dorë të shteteve anëtare. Prandaj fqinjët tanë do të duhet të vendosin dhe ne për hapësirën tonë ajrore”, ka sqaruar Osmani në një intervistë të fundit për “360 gradë”.

Paraprakisht u raportua se po kërkohet mënyrë për të sjellë në Këshillin Ministror të OSBE-së në Shkup Ministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov, për të shmangur një krizë të thellë ekzistenciale të Organizatës, e cila për shkak të bllokadave ruse ka një buxhet të bllokuar nga viti 2021, pa zgjedhje të personave të rinj në poste drejtuese, por edhe pa vend-kryesues për vitin 2024.

“Kam marrë një letër para katër-pesë ditësh nga Ministri i Punëve të Jashtme në të cilën ai tregon interes dhe kërkesë për të siguruar praninë e tij në Shkup. Ka disa sfida në atë pjesë për faktin se hapësira ajrore e Maqedonisë së Veriut është e mbyllur për avionët shtetërorë rusë, por edhe për fqinjët tanë, kështu që këtu do të duhet të bëhen përpjekje, mundësisht që të sigurohet logjistikisht”, tha Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë.

Sa i përket mundësisë që Rusia të pajtohet që vendimet kyçe për Organizatën t’i marrë në një nivel më të ulët se niveli ministror, ​​Osmani është i mendimit se duhet të braktiset parimi i shtetit para interesit kolektiv.

“Pres që edhe Federata Ruse të tregojë shenja kompromisi për të lehtësuar procesin e sigurimit të pranisë së plotë të delegacionit të tyre”, është qëndrimi i Osmanit.

Sipas Osmanit, ekziston mundësia teorike që në Shkup të fiken dritat e Organizatës nëse nuk zgjidhen çështjet kyçe për funksionimin e ardhshëm të OSBE-së, por qëndrimi i tij është se shtetet anëtare nuk do ta lejojnë këtë.
Nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor në Shkup do të mbërrijnë 76 delegacione nga 57 vende anëtare dhe 19 partnere të OSBE-së, me gjithsej 1000 mysafirë.