Ballkani dhe BE: Fokusi është kthyer nga paratë evropiane, në rend të dytë mbeten bisedat e ‘vështira’ të integrimit

Nuk mund të ankohemi se liderët e rajonit nuk takohen shpesh. Pas takimit për Planin e Rritjes muajin e kaluar në Shkup, kryeministrat dhe presidentët e Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi u takuan sërish javën e kaluar për dy takime. I pari ishte takimi vjetor i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). I dyti ishte samiti “dypjesësh” në Tiranë me Ukrainën dhe sërish, për Planin e Rritjes.

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Takimet e fundit vetëm e konfirmojnë tendencën e ngjarjeve që lidhen me rajonin që nga shpallja e Paketës së Zgjerimit në nëntor të vitit 2023.

E  para është fokusi i vazhdueshëm te Plani i Rritjes. Ajo që shohim deri më tani është se përfaqësuesit nga rajoni janë në rolin e “realizuesve të mirë”, që e përsërisin angazhimin e tyre për reformat. Ata, me “agjenda reformuese” tashmë të shkruara e presin miratimin e Rregullores që duhet t’i mbështesë ato agjenda. Kohëve të fundit kryeministrat e disa vendeve anëtare të BE-së kanë ndërhyrë tek institucionet evropiane që ta përshpejtojnë procedurën, në mënyrë që Rregullorja e “rëndë” prej 4 miliardë euro në kredi dhe 2 miliardë euro në grante të mos lihet për pas zgjedhjeve evropiane.

E dyta është lidhja e fortë dhe kushtëzimi i integrimit në BE me integrimin rajonal. Siç kemi konstatuar tashmë, Plani ofron një qasje të fragmentuar dhe mjaft të kufizuar në disa pjesë të tregut të BE-së me qëllim të “integrimit të avancuar ekonomik me BE-në”. Ajo që po paralajmërohet është  përgatitja e planeve dhe udhërrëfyesve të ri, bashkë ose në mënyrë komplementare me ato rajonale. Ose, siç thuhet shprehimisht në Deklaratën e fundit të përbashkët “bisedojmë për iniciativa konkrete në fusha të veçanta dhe identifikojmë veprime kryesore që duhet të ndërmerren”.

Për momentin më konkretisht flitet për përgatitjet për hyrjen në Zonën e Vetme Evropiane të Pagesave (SEPA) dhe për “Korridoret e Gjelbër”. Megjithatë, deri më tani askush nuk ka përllogaritur se sa kohë do të nevojitet për një integrim të plotë (qoftë edhe vetëm ekonomik) në BE, nëse vazhdohet me këtë ritëm.

Në takimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) u theksua se rajonit do t’i duhen 40 deri në 70 vjet për ta arritur Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) mesatar për banor të BE-së. Edhe pse kjo u përcoll si lajm kryesor, sigurisht që nuk është lajm. Vlerësime të ngjashme po eksploatohen për më shumë se njëzet vjet, madje edhe nga vetë BERZH-i në analizën nga viti 2016.

Madje edhe rekomandimet për prioritetet janë të ngjashme:

  1. përshpejtimi i “tranzicionit të gjelbër”, me fokus tek energjia;
  2. promovimi i qeverisjes publike;
  3. hapje më e madhe për tregëti dhe investime.
Konvergjenca e Ballkanit Perëndimor me BE-në PBB për banor krahasuar me mesataren në BE. Burimi: ОЕCD, Economic Convergence Scoreboard for the Western Balkans 2023
Konvergjenca e Ballkanit Perëndimor me BE-në PBB për banor krahasuar me mesataren në BE. Burimi: ОЕCD, Economic Convergence Scoreboard for the Western Balkans 2023

Por ne mund të vazhdojmë ta pyesim veten, ose ta fajësojmë veten për atë nëse problemi është te rekomandimet apo te moszbatimi i tyre, por fakti është se punët nuk po bëjnë një lëvizje të dukshme.

Përforcimi i identitetit rajonal reflektohet jo vetëm në kushtëzimin e fuqishëm rajonal, por edhe në nivele të tjera. Që nga Paketa e Zgjerimit e deri më sot në kontekst të integrimit në BE vendet e rajonit pothuajse nuk përmenden si të veçanta, por si “vendet e Ballkanit Perëndimor”, krahas Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.

Ngjyra gjeopolitike e procesit doli në pah përmes Deklaratës së Tiranës të përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor (së bashku me kryeministrat e Bullgarisë, Rumanisë dhe Kroacisë) dhe presidentit ukrainas Zelensky, në të cilën sërish u dënua Rusia dhe u përsërit mbështetja për Ukrainën. Në veçanti vihet re se nënshkrimi i presidentit serb Vuçiq, i cili nënshkrimin e “arsyetoi” me mungesën e qëndrimit për sanksionet ndaj Rusisë. Ajo që nuk thuhet në Deklaratë, e që ishte një nga lajmet kryesore, është propozimi i presidentit ukrainas për prodhimin e përbashkët të armëve.

Megjithatë, takimet kaluan pa një prani të fortë politike nga ana e Unionit, i cili kryesisht përfaqësohej nga Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim.

Më e rëndësishme duket ajo që nuk ishte në fokus në periudhën e fundit, pra

  1. negociatat për anëtarësim;
  2. çështjet e pazgjidhura në rajon.

Për shumicën është e pritshme që para zgjedhjeve në BE të mos bëhet shumë bujë rreth çështjeve që politikanët i konsiderojnë të ndjeshme në zgjedhje. Kështu mbase duhet kuptuar deklarata e fundit e kandidates aktuale dhe të ardhshme për presidente të Komisionit Evropian, von der Leyen, se miratimi i një kornize negociuese për Ukrainën ndoshta nuk do të ndodhë në mars ashtu siç ishte paralajmëruar, por pas zgjedhjeve.