Kovaçevski vazhdimisht e përmend 2030-tën si vit anëtarësimi, por Leyen shmang datat konkrete

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Lëvdata për atë që është “arrirë”, por ku janë reformat?

Tashmë është bërë traditë që para publikimit të Paketës vjetore të zgjerimit, kryetarja e  Komisionit ta vizitojë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këtë vit kjo ndodh menjëherë pas Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë.

Ajo që këtë vjeshtë përfaqësuesja më e lartë e Komisionit Evropian po e sjell në rajon si një “kafshatë të madhe” është Plani i ri i rritjes për Ballkanin Perëndimor. Vizita e parë në Shkup nuk solli asgjë të re qenësore në krahasim me porositë nga Tirana, paraprakisht të paralajmëruara në forumin GLOBSEK në Bratisllavë.

Këtu po i përmendim vetëm risitë e zbuluara në mënyrë modeste në lidhje me njoftimet e mëparshme rreth planit.

  1. Qasja në “pjesë kyçe” të tregut të përbashkët evropian në shtatë sektorë. Deri më tani janë përmendur: fusha e mallrave dhe shërbimeve, trafiku rrugor, energjia, bashkëpunimi doganor, tregtia elektronike dhe pagesat jo me para të gatshme. Mbetet ende e paqartë se si do të jetë vëllimi dhe dinamika e qasjes, si dhe aranzhmanet ligjore dhe institucionale.
  2. Realizimi i fushës ekonomike rajonale, për të cilën plani është miratuar në vitin 2017. Kjo mund të nënkuptojë edhe kushtëzimin e qasjes në Planin e rritjes varësisht nga përmbushja e detyrimeve të marra për tregun rajonal, të cilat deri më tani po realizohen shumë ngadalë.
  3. Kushtëzimi i theksuar për sundimin e së drejtës i ngjashëm me atë ekzistues për Planin e rimëkëmbjes së BE-së. Von der Leyen theksoi: administratën publike efikase, financat publike të shëndetshme, mjedisin afarist të përmirësuar; vazhdimin e reformave në drejtësi, luftën kundër korrupsionit.
  4. Si pjesë e planit të ri njoftohet për 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë kredi. Edhe pse ende nuk është thënë saktësisht se për cilën periudhë do të referohet ky injeksion shtesë financiar, supozimi më i mundshëm është se do të jenë fonde shtesë për IPA nga rishikimi i buxhetit aktual shtatëvjeçar i Bashkimit (2020-2027). Kujtojmë se – plani aktual është për 9 miliardë euro grante, 20 miliardë euro kredi (vlerësim për gjithsej 30 miliardë euro investime). Kjo do të nënkuptonte një rishikim të Planit ekzistues të rritjes të Ballkanit Perëndimor. Kjo rritje sigurisht që është e mirëseardhur, por është shumë larg kërkesës për qasje në fondet strukturore, për të cilat kryeministri Kovaçevski tha se janë 11 herë më të larta.

Të plotë do duhet ta dëgjojmë (dhe ta shohim) pas dhjetë ditësh, kur do të prezantohet Paketa e zgjerimit.

Edhe porositë për Maqedoninë nuk sjellin shumë çka të re, por sjellin kontradikta.

E para ka të bëjë me mundësinë e anëtarësimit deri në vitin 2030, të përsëritur vazhdimisht nga kryeministri Kovaçevski. Kryetarja e Komisionit Evropian shprehu qëndrimet e saj tashmë të njohura, duke evituar data konkrete. Zgjerimi është në fazën e “dritares së hapur”, “debatit të hapur”, të cilat “Maqedonia e Veriut duhet t’i shfrytëzojë”, “të vazhdojë të shkojë përpara”…

Natyrisht që me këtë kontekst lidhet edhe porosia për ndryshimet kushtetuese: se ato janë një kusht i domosdoshëm për anëtarësim, duke e theksuar këtu përgjegjësinë e të gjitha partive.

E treta është në një farë mënyre një përjashtim nga natyra e përmbajtur e von der Leyen: lëvdimi i tepruar për “të arriturat”, por evitimi i e lidhjes së këtij progresi “mbresëlënës” me zbatimin e reformave në ato fusha që ajo vetë i përmendi si një kusht kyç për përparim në proces – sundimi i së drejtës.

Në fund, krahas gjithë kësaj mbetet i paqartë optimizmi për mundësinë e hapjes së Klasterit “Themelet” deri në fund të vitit, kur dihet se sipas rregullave aktuale për këtë është e nevojshme që Këshilli i BE-së unanimisht të përcaktojë se janë përmbushur determinantat – Udhërrëfyesi për sundimin e së drejtës (përfshirë këtu Planin e Veprimit për Pakicat) dhe Udhërrëfyesi për administratën publike. KE-ja këto nuk i ka kërkuar ende, kështu që ne nuk i kemi dorëzuar, nuk janë publikuar… e aq më pak janë shqyrtuar dhe vërtetuar… Të përkujtojmë se Malit të Zi dhe Serbisë iu deshën një dhe respektivisht dy vjet vetëm për të vërtetuar se janë përmbushur determinantat për hapjen e negociatave, ndërsa determinantat e përkohshme nuk janë përmbushur as edhe pas dhjetë vitesh negociata.