Kjo është Deklarata e përbashkët e liderëve të Ballkanit Perëndimor që u miratua në Konferencën BE-Ballkani Perëndimor 

Kryetari  i Qeverisë teknike së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, së bashku me liderët tjerë të shteteve të rajonit, mori pjesë në Konferencën e nivelit të lartë kushtuar Planit të rritjes së Ballkanit Perëndimor në Tiranë, Republika e Shqipërisë, njofton Qeveria, transmeton Portalb.mk.

Në Konferencën e nivelit të lartë politik, morën pjesë Komisari i BE-së për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Oliver Varheji, si dhe përfaqësues të tjerë nga BE-ja dhe organizata përkatëse financiare ndërkombëtare.

Në Konferencë u miratua Deklarata e përbashkët e liderëve të Ballkanit Perëndimor, në drejtim të bashkëpunimit të mëtutjeshëm institucional ndërmjet shteteve, duke specifikuar hapat dhe nismat konkrete për realizimin e këtij qëllimi të rëndësishëm për cilësinë e jetës së qytetarëve në gjithë rajonin tonë.

Liderët nga Ballkani Perëndimor u obliguan në Deklaratë për të filluar një dialog të strukturuar, së bashku me Komisionin Evropian dhe vendet anëtare të BE-së, me qëllim të zbatimit të Planit të rritjes, në një mënyrë që do të sjellë përfitime individuale dhe mund të nxisë prosperitetin rajonal dhe afrimin socio-ekonomik me BE-në.

Në deklaratë  vlerësohet se Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor paraqet një mundësi të shkëlqyer për avancimin e integrimit të rajonit në tregun e vetëm, si dhe në mekanizmat dhe instrumentet e BE-së, derisa përshpejtohen reformat në fushat strategjike dhe thelbësore, duke përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me sundimin e të drejtës dhe të drejtave themelore.

Udhëheqësit e shteteve të Ballkanit Perëndimor në dhjetor 2023, foto nga faqja zyrtare e Talat Xhaferit në Facebook
Udhëheqësit e shteteve të Ballkanit Perëndimor në dhjetor 2023, foto nga faqja zyrtare e Talat Xhaferit në Facebook

DEKLARATË E PËRBASHKËT E GJASHTËSHES NGA BALLKANI PERENDIMOR (BP6)

Konferenca “Rritje dhe afrim për gjashtëshen nga Ballkani Perëndimor” Tiranë, 29 shkurt të vitit 2024

  1. Duke njohur dinamikën e re të politikës së zgjerimit të krijuar nga agresioni rus kundër Ukrainës dhe rëndësinë e shtuar të unitetit evropian dhe bashkëpunimin e përmirësuar midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
  2. Duke theksuar se Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor paraqet mundësi të shkëlqyer për avancimin e integrimit të rajonit në Tregun e vetëm si dhe në mekanizmat dhe instrumentet e BE-së derisa përshpejtohen reformat në fushat strategjike dhe thelbësore, duke përfshirë ato që lidhen me sundimin e së drejtës dhe të drejtat themelore.
  3. Të përkushtuar për të përshpejtuar punën e nevojshme për zbatimin e shpejtë dhe kuptimplotë të Planit të rritjes, individualisht dhe me partnerët rajonalë.
  4. Duke njohur rëndësinë e Konkluzioneve të kryesuesit të Samitit të Procesit të Berlinit të mbajtur më 16 tetor 2023 në Tiranë dhe duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, veçanërisht potencialet ekonomike dhe sociale për transformimin e Tregut të përbashkët rajonal për lirimin e potencialit ekonomik dhe social të rajonit, si dhe përgatitjen e tij për hyrjen graduale në Tregun e vetëm.
  5. Duke njohur përpjekjet për të krijuar një përmbledhje rajonale të aftësive dhe profesioneve nëpërmjet njohjes së kualifikimeve akademike dhe profesionale në bazë të standardeve dhe praktikave të BE-së, e përshëndesim rolin koordinues të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal dhe angazhohemi për të përshpejtuar zbatimin e marrëveshjeve të lëvizshmërisë të lidhura në kuadër të Procesit të Berlinit.
  6. Ne, liderët nga Ballkani Perëndimor, obligohemi për të filluar një dialog të strukturuar, së bashku me Komisionin Evropian dhe vendet anëtare të BE-së, me qëllim që të zbatohet Plani i rritjes në mënyrë që do na sjellë përfitim individual dhe mund të inkurajojë prosperitetin rajonal dhe afrimin socio-ekonomik me BE-në.
  7. Në këtë frymë, liderët e theksuan progresin e arritur në zhvillimin e agjendave të reformave që do të ndihmojnë në orientimin e politikave dhe investimeve në katër vitet e ardhshme.
  8. Në përputhje me fushat prioritare të Planit të rritjes, si dhe me ato të Tregut të përbashkët rajonal për të vendosur gradualisht ekonomitë tona në Tregun e vetëm, ne diskutojmë për nisma konkrete në fusha individuale dhe identifikojmë veprime kryesore që duhen të ndërmerren.
  9. Duke i përsosur nismat rajonale të aprovuara në Samitin e liderëve të Procesit të Berlinit në Tiranë në tetor të vitit 2023, në Shkup në janar të vitit 2024, ne u obliguam për të përshpejtuar gatishmërinë për qasje në Zonën e Vetëm Evropiane të Pagesave (SEPA) për avancimin e mëtejshëm të korridoreve të gjelbër dhe lehtësimin e aktivitetit tregtar dhe ekonomik në rajon duke nxitur atraktivitetin dhe konkurrencën e rajonit, si dhe hapjen e mundësive për të aplikuar për “Rrjetin e Qendrave Digjitale Evropiane për Vendet e Lidhura” dhe WiFi4WB (rrjeti i internetit pa tel për Ballkanin Perëndimor) në rajon. Për këtë qëllim, ne përshëndesim punën e ndërmarrë nga Komisioni Evropian, Banka Botërore, Komuniteti i Transportit, CEFTA dhe Forumi i Odës së Investimeve nga BP6 në përcaktimin e hapave për lehtësimin e tregtisë dhe transportit, si dhe përmirësimin e ndërveprimit ekonomik në rajon dhe mes gjashtë vendeve nga Ballkani Perëndimor dhe BE-ja në pikat kyçe kufitare. Nismat për të cilat u diskutua sot në kontekst të Planit të rritjes synojnë të inkurajojnë rimëkëmbjen afatgjatë ekonomike të rajonit, mbështetjen e tranzicionit të gjelbër dhe digjital dhe kultivimin e bashkëpunimit rajonal dhe afrimin me BE-në. Ne i përshëndesim gjithashtu përpjekjet e bankave qendrore nga rajoni për të përpiluar, në bashkëpunim me Bankën Botërore, udhërrëfyes që do i drejtojnë përpjekjet e tyre për t’u përgatitur për anëtarësimin në SEPA.
  10. Në lidhje me Zonën e vetme Evropiane të Pagesave (SEPA), liderët njohën rolin kryesor të sektorit financiar, dhe veçanërisht të sistemeve të pagesave, për funksionimin më të mirë të tregjeve. Pagesat që kursejnë shpenzime dhe kohë e bëjnë tregtinë më të lirë dhe u lejojnë kompanive konkurruese të rriten dhe tu ofrojnë konsumatorëve qasje më të lehtë në mallra dhe shërbime. Një sistem pagese i shëndoshë dhe efikas mbështet zhvillimin e ndërmjetësimit financiar, thellimin e tregjeve financiare dhe përmirësimin e stabilitetit financiar, duke krijuar kështu një klimë në të cilën investitorët mund të zgjerojnë bizneset e tyre. Palët ranë dakord të përgatisin, në konsultim me palët përkatëse të interesit, Plane veprimi konkrete, për secilën nga BP6, për të avancuar përmbushjen e kritereve të SEPA-s, me synimin për të kërkuar aderimin në SEPA në vitin 2024, si dhe të mobilizohet mbështetja për zbatimin e standardeve dhe procedurave doganore, me qëllim që të mundet rajoni të afrohet te bashkëpunimi doganor dhe tregtar me BE-në.
  11. Me qëllim të lehtësimit të tregtisë dhe transportit ndërmjet rajonit dhe vendeve fqinje anëtare të BE-së, liderët përshëndetën punën e Komunitetit të transportit dhe CEFTA-s mbi Udhërrëfyesin e korridoreve të gjelbër, të aprovuara në Samitin e Ballkanit Perëndimor – BE në  dhjetor të vitit 2023, si dhe kontrollet e koordinuara në kalimet kufitare ndërmjet BE-së dhe BP6. Në kuadër të Udhërrëfyesit, liderët shprehën mbështetjen e tyre të plotë për vendosjen e një Programi rajonal për lehtësimin e tregtisë dhe transportit, me synim për të mundësuar afrimin e rajonit në tregun e përbashkët të BE-së, duke ulur barrierat dhe shpenzimet tregtare dhe duke përmirësuar  efikasitetin e transportit ndërmjet BP6 dhe BE-së.

Programi do të zbatohet nga Banka Botërore në bashkëpunim të ngushtë me Komunitetin e Transportit, CEFTA-n dhe Komisionin Evropian.

  1. Për të përmirësuar lidhjen digjitale në rajon dhe midis rajonit dhe BE-së, liderët shprehën mbështetjen për kompanitë dhe sektorin publik në tranzicionin e dyfishtë (të gjelbër dhe digjital) duke lehtësuar nismën në kuadër të thirrjes së Programit të Evropës Digjitale “Rrjeti i qendrave evropiane digjitale të inovacionit – vende të lidhura”. Duke njohur suksesin e Iniciativës WiFi4EU, si pjesë e strategjisë së Tregut të vetëm digjital dhe në përputhje me rezultatet e Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit në tetor të vitit 2023, liderët bënë thirrje gjithashtu veprim drejt zbatimit të një nisme të tillë e cila është zgjeruar  në Ballkanin Perëndimor.
  2. Duke njohur potencialin e bashkëpunimit ekonomik rajonal për zhvillimin socio-ekonomik të rajonit tonë, ne obligohemi për zbatimin e Tregut të përbashkët rajonal bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së, derisa njëherazi përparojmë drejt hapjes graduale të tregjeve tona drejt Tregut të vetëm të BE-s. Duke përshëndetur KBR dhe CEFTA-n për koordinimin e nisur, liderët bënë thirrje për një plan ambicioz të orientuar drejt suksesit i cili do të trashëgojë Planin e Veprimit për Tregun e përbashkët rajonal, i cili do të vazhdojë të hapë mundësi të rëndësishme për integrimin e tregut rajonal dhe të përgatisë rajonin për integrim në tregun e vetëm të BE-së.
  3. Duke rikujtuar rëndësinë e zbatimit të obligimeve të kaluara rajonale të ndërmarra që qytetarët dhe bizneset të ndjejnë përfitimet, liderët angazhohen për monitorimin dhe zbatimin e menjëhershëm të marrëveshjeve të lidhura në kuadër të procesit të Berlinit. Në këtë drejtim, ne ritheksojmë angazhimin tonë për të hequr të gjitha pengesat për bashkëpunimin ekonomik që mund të pengojnë përpjekjet tona të përbashkëta dhe të njëanshme për të ecur drejt këtyre synimeve.
  4. Duke theksuar dinamikën e krijuar për përmirësimin e marrëdhënieve mes BE-së dhe BP6, liderët i bënë thirrje BE-së të shqyrtojë mënyra për të përmirësuar dhe ndryshuar kornizën ligjore dhe rregullatore, me qëllim që të arrihet një vendosje e rëndësishme, ndonëse graduale, e BP6 në mekanizmat dhe forumet e BE-së, si politikisht ashtu edhe teknikisht, në përputhje me metodologjinë e re për qasje në BE dhe Planin e rritjes për rajonin.