Zelensky dhe Rama e nënshkruajtën Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit

11.30 – Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kanë nënshkruar të mërkurën në Tiranë “Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit” dhe dy vendeve, transmeton REL.

Ata e kanë nënshkruar këtë traktat në kuadër në samitit “Ukrainë – Evropa Juglindore” që po mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë.

Kryeministria e Shqipërisë ka thënë se “traktati i shërben konsolidimit të miqësisë mes dy vendeve dhe popujve, përmes zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë”.

Në nisje të ceremonisë, Zelensky i ka dorëzuar Ramës, Urdhrin e Princit Jarosllav i Urti, për, siç është thënë, kontributin e jashtëzakonshëm personal.

Më herët gjatë ditës, në Tiranë janë takuar edhe ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba me ministrin e Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Kuleba e ka falënderuar të mërkurën Shqipërinë për organizimin e samitit për vendin e tij dhe ka përsëritur se është shumë e rëndësishme që Rusia të mbahet përgjegjëse për luftën e nisur në Ukrainë më 2022.

Ai e ka falënderuar Shqipërinë për nismat e saj humanitare pas nisjes së luftës, përfshirë rehabilitimin e fëmijëve, prindërit e të cilëve janë vrarë në luftë.

Kryediplomati shqiptar, Igli Hasani, ka bërë të ditur se autoritetet janë në fazën e përgatitjeve për hapjen e Ambasadës shqiptare në Kiev, dhe se shpreson që inaugurimi të ndodhë “në muajt e ardhshëm”.

09.30 – Në Tiranë sot mbahet Samiti Ukraina – Evropa Juglindore, në të cilin nikoqir është kryeministri Edi Rama, ndërkaq si bashkënikoqir është presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski.

Në Samit do të marrin pjesë, presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski, por edhe presidentët e Serbisë, Malit të Zi dhe Kosovës, Aleksandar Vuçiq, Jakov Milatoviq dhe Vjosa Osmani, por edhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq si dhe bashkëkryesuesja e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Borjana Krishto.

Përveç tyre, pjesëmarrës do të jenë edhe disa liderë të shteteve të Evropës juglindore dhe komisionari i BE-së për Zgjerim, Oliver Varhleyi.

Presidenti Zelenski, ka arritur në Tiranë pak para mesnatës dhe ka realizuar takim me kryeministrin Edi Rama.

Zelenski pritet më pas do të vijojë një takim mes delegacioneve që do të mbyllet me nënshkrimin e Traktatit të miqësisë dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Ukrainës. Më herët ministrat e jashtëm të të dy vendeve do të kenë po ashtu një takim të veçantë.

Kjo është hera e parë që presidenti ukrainas viziton Shqipërinë. Dy vjet më parë, kur agresioni rus ndaj vendit të tij kishte vetëm pak muaj që kishte nisur ai ju drejtua parlamentit shqipar përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë video. Dy muaj më pas kryeministri Rama, vizitoi Kievin, në shenjë solidariteti me Ukrainën.

Kryeministri shqiptar është shprehur krenar për organizim të samitit.

Gjatë pjesëmarrjes në ekspozitën “Ukraina, një krim lufte” në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Tiranë, Rama tha se, përveç pranisë si “bashkorganizator” në samit, Zelenski do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me liderë politikë të Shqipërisë.

Këtë samit, Rama e kishte paralajmëruar qysh më 22 janar, gjatë pjesëmarrjes në konferencën “Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe integrimi më i shpejtë në BE”, që ishte mbajtur në Shkup të Maqedonisë Veriut.

Atëkohë, ai kishte thënë se në të do të flitej për çështje të sigurisë dhe për mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.

Sipas agjendës që u publikua, Rama dhe Zelensky pritet të mbajnë fjalime hapëse dhe pastaj një takim prapa dyerve të mbyllura.

Samiti do të përmbyllet me daljen e tyre në një konferencë për media.

Në samitin e Tiranës, bie në sy mungesa e kryeministrit grek Kiriakos Mitsotakis, Zyrtarisht mësohet se mospjesmarrja e tij është argumentuar me rastin e përvjetorit të aksidentit të rëndë hekurudhor të ndodhur më 1 mars të vitit të kaluar në Selanik, por, siç kanë vënë në dukje dhe mediat greke, ajo në fakt lidhet qartazi me qëndrimin kritik të Athinës ndaj çështjes së kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri. Ishte pikërisht kjo çështje, e cila bëri që në gusht të vitit të kaluar, kryeministri grek të shmangte haptazi ftesën për homologun e tij shqiptar Edi Rama, në përvjetorin e samitit të Selanikut në vitin 2003, ku u diskutua e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor. Në atë takim, Mitsotakis, kishte ftuar përveç udhëheqësve të rajonit të Ballkanit edhe presidentin ukrainas Zelenski.

Për shkak të Samitit, Tirana është nën masa të rrepta sigurie.