Ambientalistët e “Front 21/42”: Ligji për Liqenin e Ohrit shkel rregullat ndërkombëtare

Me miratimin e tekstit të Ligjit për shpalljen e Liqenit të Ohrit monument natyror, Qeveria dhe Ministria e Mjedisit kanë shkelur legjislacionin vendor dhe atë ndërkombëtar dhe kanë vepruar në kundërshtim me Kushtetutën, thonë nga organizata ekologjike “Fronti 21/42. Ata janë të pakënaqur edhe me zgjedhjen e NP “Sistemi kolektor” nga Ohri për organ menaxhues të Liqenit të Ohrit, transmeton Portalb.mk.

Ambientalistët reagojnë se miratimi i ligjit pa rishikuar më parë zonimin e liqenit dhe aktivitetet e lejuara në zona të ndryshme është në kundërshtim me rekomandimin e Konventës së Bernës, e cila është ratifikuar nga vendi dhe nuk mund të ndryshohet me ligj.

“Në themel të problemit qëndron Studimi i valorizimit, i cili është baza e Ligjit për Shpalljen, dhe i cili nuk përmban informacione ligjërisht të detyrueshme dhe as nuk zbaton Planin e Menaxhimit të Trashëgimisë Botërore Natyrore dhe Kulturore në rajonin e Ohrit. Asnjë hulumtim nuk është kryer mbi Studimin e Valorizimit të Liqenit më të Vjetër në Evropë. Për të ilustruar përmbajtjen e Studimit, do të përmendim vetëm një fakt – trofta e Ohrit nuk është ndër speciet kyçe për liqenin”, theksojnë nga “Front 21/42”.

Ambientalistët theksojnë se misioni i Konventës së Bernës në prill 2023 konfirmoi se zonat e propozuara dhe aktivitetet e lejuara e të ndaluara bazohen në një studim me të dhëna të vjetruara, i cili tregon një gjendje të ndryshme të habitateve nga ajo reale, prandaj në dhjetor të kaluar Komiteti ekzistues rekomandoi një rishikim të elementeve më të rëndësishme të Studimit para miratimit të Ligjit për shpalljen e Liqenit të Ohrit si monument natyror.

Qeveria para dy ditësh e miratoi tekstin e propozimit për Ligjin për shpalljen e Liqenit të Ohrit si zonë e mbrojtur në kategorinë III – monument natyre, pas së cilës do të duhet të votohet në Kuvend. Sipas informacioneve nga Ministria e Mjedisit, Liqeni i Ohrit është shpallur Monument natyror për shkak të karakteristikave gjeomorfologjike dhe hidrologjike, vlerave të jashtëzakonshme natyrore si pjesë e Trashëgimisë Botërore të Natyrës së UNESCO-s dhe një nga qendrat më të rëndësishme të strehimit të diversitetit biologjik në kuadrin evropian dhe botëror.

“Shpallja mundëson mbrojtjen dhe ruajtjen e gjendjes natyrore të Liqenit të Ohrit përmes mbrojtjes dhe ruajtjes së habitateve dhe llojeve me rëndësi kombëtare dhe evropiane dhe mbrojtjes së vlerave të tjera natyrore, parandalimin e veprimeve që në mënyrë direkte ose indirekte mund të shkaktojnë përçarje të habitateve dhe ekosistemeve, krijimi i kushteve të favorshme për mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e diversitetit biologjik dhe rajonal dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore në mënyrë që të mos kërcënojë mbijetesën e habitateve dhe specieve”, thekson Ministria.

Ndryshe, Komiteti për trashëgimin botërore në UNESKO në sesionin e 45-të që e mbajti në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, vendosi që rajoni i Ohrit të mbetet në listën e vendeve të trashëgimisë botërore në UNESKO.

Liqeni i Ohrit e fitoi statusin e Trashëgimisë natyrore botërore të mbrojtur nga UNESCO në vitin 1979. Një vit më vonë edhe Qyteti i Ohrit iu shtua listës së vlerave të mbrojtura kulturore dhe historike, kështu që rajoni i Ohrit u bë një nga vetëm 38 zonat e përziera natyrore dhe kulturore në botë të njohura dhe të mbrojtura nga UNESCO. Në vitin 2009, nisi një iniciativë për të përfshirë edhe anën shqiptare të liqenit dhe bregdetin nën kujdesin e UNESCO-s, kështu që dhjetë vjet më vonë në vitin 2019, rajoni u zgjerua në të dy anët e liqenit duke mbuluar një sipërfaqe totale prej 94,7 hektarë.