Ka ngelur edhe një javë mundësi për të dorëzuar propozimet rreth ligjit për Liqenin e Ohrit

Më 10 shkurt do të mbarojë mundësia që qytetarët të dërgojnë propozime në Ministrinë e Kulturës rreth Propozim-ligjit për Rajonin e Ohrit, ndërkohë më 7 shkurt do të realizohet debat publik në Shkup, transmeton Portalb.mk.

“U hartuara projekt-ligji për menaxhimin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit. Të gjitha vërejtjet, mendimet dhe propozimet për Propozim-ligjin mund të dërgohen në adresat elektronike”, njoftoi Ministria Kulturës.

Vërejtjet rreth propozim-ligjit do të mund të dërgohen në katër adresa: [email protected], [email protected], [email protected] dhe [email protected].

“Debati publik për Propozim-ligjin për menaxhimin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit do të mbahet më 7 shkurt në ora 11:00 në Bibliotekën Nacionale Universitare “Shën Klimenti Ohrit” në Shkup”, njoftoi Ministria.

Në propozim-ligjin theksohen detyrimet që dalin nga Konventa e UNESKO-s. Një nga qëllimet e këtij ligji është edhe ndërprerja e aktiviteteve që ndikojnë në vlerat e rëndësishme të trashëgimit natyrore e kulturore në rajonin e Ohrit.

“Përfshirja e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe komunës së Ohrit, Strugës dhe Debarcës në sistemin ndërkombëtar të bashkëpunimit dhe ndihmës me qëllim mbrojtjes ndërkombëtare të trashëgimisë natyrore dhe kulturore”, theksohet si një nga qëllimet e këtij propozim-ligji.

Ndryshe, Komiteti për trashëgimin botërore në UNESKO në sesionin e 45-të që e mbajti në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, vendosi që rajoni i Ohrit të mbetet në listën e vendeve të trashëgimisë botërore në UNESKO.

Liqeni i Ohrit e fitoi statusin e Trashëgimisë natyrore botërore të mbrojtur nga UNESCO në vitin 1979. Një vit më vonë edhe Qyteti i Ohrit iu shtua listës së vlerave të mbrojtura kulturore dhe historike, kështu që rajoni i Ohrit u bë një nga vetëm 38 zonat e përziera natyrore dhe kulturore në botë të njohura dhe të mbrojtura nga UNESCO. Në vitin 2009, nisi një iniciativë për të përfshirë edhe anën shqiptare të liqenit dhe bregdetin nën kujdesin e UNESCO-s, kështu që dhjetë vjet më vonë në vitin 2019, rajoni u zgjerua në të dy anët e liqenit duke mbuluar një sipërfaqe totale prej 94,7 hektarë.