RMV, Kuvendi vendosi: Abdush Demiri anëtari i shtatë i KSHZ-së

Në seancën e sotme të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, me 10 vota “PËR” dhe një abstenim, Abdush Demiri kaloi filtrin e komisionit për t’u zgjedhur anëtar i KSHZ-së. Abdush Demiri është propozim i opozitës së bashkuar shqiptare, përkatësisht partive BESA, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike, transmeton Portalb.mk.

Deputeti Fadil Zendeli nga BESA ka konfirmuar se kandidati Zulfi Adili i propozuar nga Partia Demokratike Evropiane i Arjanit Hoxhës është tërhequr nga kandidatura dhe se kandidati i propozuar nga koalicioni opozitar shqiptar Lidhja Evropian për Ndryshim – Abdush Demiri mbetet në “garë” për anëtar të KSHZ-së.

“Sot është mbajtur seanca e komisionit për zgjedhje dhe emërime dhe është votuar kandidati Abdush Demiri. Sipas ligjit, vendi i lirë në KSHZ i takon partive nga blloku opozitar. Po vijmë në një pikë ku më në fund respektohet ligji. Si koalicion kërkojmë nga të gjitha partitë parlamentare që të mbështesin zgjedhjet dhe kërkojmë nga kryetarja e Kuvendit që të caktojë një seancë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha deputetja Safije Sadiki.

Zgjedhja e anëtarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve votohet me shumicë prej dy të tretash.

Opozita shqiptare një periudhë të gjatë ka bojkotuar Kuvendin me deputetët e saj për shkak të asaj që nuk zgjidhej propozimi i tyre për anëtar të KSHZ-së.

Më 18 dhjetor, Lidhja Evropiane për ndryshim propozoi Abdush Demirin për anëtar të KSHZ-së.  Ata prej kohësh kërkonin që Kuvendi të veprojë sa më shpejtë në suaza të Kushtetutës dhe ligjeve përkatëse, të cilët theksojnë se opozita duhet të ketë përfaqësuesin e saj në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ).

Pas emërimit të Krenar Llogës si ministër i Drejtësisë u zbraz një vend në KSHZ i cili duhet të plotësohet me përfaqësues nga opozita.

Kryetari i Kuvendit Jovan Mitreski dje pasdite ka zyrtarisht ka shpallur zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit 2024.  Zgjedhjet e shtata presidenciale, do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 8 maj. Nëse do të ketë një raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.