Struga shpërfilli të gjitha thirrjet për rrënimin e ndërtimeve ilegale

Përveç largimit të disa platformave në liqen, vitet e kaluara opinioni nuk ka parë ndonjë veprim tjetër më serioz për largimin e objekteve të ndërtuara pa leje në Strugë, përkundër alarmit të vazhdueshëm nga aktivistët e shoqërisë civile se në anën e Strugës ka ndërtime të vazhdueshme, raporton Alsat. Qeveria qysh në shtator të vitit të kaluar ka obliguar komunën që të nisë heqjen e objekteve ilegale, por deri më tani nuk është hequr asnjë objekt. Të dhënat statistikore thonë se në 5 vitet e fundit në Strugë është miratuar ndërtim prej 91.500 m2.

“Kemi softuer të ri së bashku me Parkun Galiçicë, ku e kanë skanuar të gjithë terrenin. Dhe do të përcaktojmë se çfarë është ndërtim pa leje në komunën e Strugës dhe çfarë jo, pavarësisht se çfarë deklaron komuna e Strugës. Të gjithë mund të thonë çfarë të duan, por situata në terren do të thotë diçka tjetër dhe ne do të veprojmë në përputhje me rrethanat. Jo çdo gjë e ndërtuar në një zonë të mbrojtur mund të shpallet objekt i ligjshëm”, tha Bisera Kostadinovska Stojçeska Ministre e Kulturës.

Organizatat Joqeveritare reagojnë se vija rreth liqenit është duke u uzurpuar dhe është dorëzuar peticion në Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit dhe në shërbimet inspektuese komunale, për të parandaluar veprime të kundërligjshme.

“Prej disa kohësh kallamishtet dhe flora në këtë segment rreth bregut të liqenit është shkatërruar dhe rrafshuar. Ndonëse pas takimit të fundit me ekspertët, komuna e Strugës ndau informacionin se “të gjitha obligimet i ka kryer në mënyrën më të përgjegjshme dhe profesionale në lidhje me detyrat që dalin nga misioni monitorues i UNESCO-s, gjërat në terren flasin gjë tjetër.” A është ky niveli më i lartë i mbrojtjes?”, thonë nga Ohër SOS.

Ndërkohë, atyre që ende menaxhojnë plazhet në Strugë, kontratat e koncesionit u ka skaduar para disa vitesh, çka do të thotë se ata punojnë në mënyrë ilegale. E pyetëm Komunën e Strugës se si planifikojnë ta zgjidhin çështjen e ndërtimeve pa leje dhe statusin e plazheve, por nuk morëm përgjigje. Misioni i UNESCO-s në rajon vjen në shkurt.

Ndryshe, Komiteti për trashëgimin botërore në UNESKO në sesionin e 45-të që e mbajti në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, vendosi që rajoni i Ohrit të mbetet në listën e vendeve të trashëgimisë botërore në UNESKO.

Liqeni i Ohrit e fitoi statusin e Trashëgimisë natyrore botërore të mbrojtur nga UNESCO në vitin 1979. Një vit më vonë edhe Qyteti i Ohrit iu shtua listës së vlerave të mbrojtura kulturore dhe historike, kështu që rajoni i Ohrit u bë një nga vetëm 38 zonat e përziera natyrore dhe kulturore në botë të njohura dhe të mbrojtura nga UNESCO. Në vitin 2009, nisi një iniciativë për të përfshirë edhe anën shqiptare të liqenit dhe bregdetin nën kujdesin e UNESCO-s, kështu që dhjetë vjet më vonë në vitin 2019, rajoni u zgjerua në të dy anët e liqenit duke mbuluar një sipërfaqe totale prej 94,7 hektarë.