“Aeroporti” i Tetovës drejt Neproshtenit, fillimisht duhet të përfundojë qarkorja (Video)
Vazhdimi i Bulevardit Industrial i njohur ndryshe si “Aeroporti” i Tetovës nga Poroji drejt f̈shatit Neproshten do të mund të realizohet pasi të përfundojë qarkorja e Tetovës nga Treboshi. Komuna e Tetovës thotë se projekti i vazhdimit të rrugës është paraparë në bashkëpunim me Komunën e Jegunovcës, ndërsa më pas duhet të koordinohet me Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore, shkruan Portalb.mk.
U paralajmërua vazhdimi i bulevardit
Pas hapjes së Bulevardit Industrial nga Kazerma e Tetovës deri te rrethrrotullimi në Poroj, është paralajmëruar edhe vazhdimi i tij në drejtim të ̈rrugës rajonale Tetovë – Jazhincë, ku do të lidhej përmes qarkores së re deri në fshatin Neproshten.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, konfirmoi se ekziston projekti për këtë lidhje rrugore, por theksoi se parakusht për vazhdimin e tij është përfundimi i qarkores së Tetovës nga Treboshi deri në Neproshten.
“Ai projekt është bashkëpunim ndërkomunal, midis Komunës së Tetovës dhe Komunës së Jegunovcës. Ne po punojmë që ai projekt të realizohet përmes Ndërmarrjes për Rrugë Shtetërore”, tha Kasami.
Sipas tij, fillimisht duhet të mbyllet projekti i qarkores që po ndërtohet, e cila pritet të dalë në Neproshten, dhe vetëm më pas të vazhdojë faza tjetër e rrugës nga Poroji.
“Sipas komunikimit që e kemi, fillimisht duhet të përmbyllet projekti i qarkores së Treboshit, që pastaj të vazhdojë faza tjetër e atij projekti”, tha Kasami.
Ai sqaroi se Komuna e Tetovës dhe Komuna e Jegunovcës po punojnë për pjesët e rrugës që ndodhen në territoret e tyre, në mënyrë që projekti më pas të koordinohet me Rrugët Shtetërore.
“Jemi në bashkëpunim me Komunën e Jegunovcës që së paku pjesën e projektimit ta bëjnë ata pjesën e vet, ne e kemi pjesën që është në territorin e Komunës së Tetovës, që pastaj në koordinim me Rrugët Shtetërore ta fusim në programin e tyre”, tha Kasami.
Qarkorja duhet të përfundojë deri më 1 nëntor
Nga Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore për Portalb.mk thanë se “punimet për Qarkoren e Tetovës nga Treboshi deri në Neproshten, pritet të përfundojnë deri më 1 nëntor të këtij viti, pas së cilës ajo do të vihet në funksion”.
Punimet për qarkoren nga Treboshi në Neproshten filluan në shkurt 2024, ndërsa deri tani afati i përfundimit është shtyrë katër herë.
Bulevardi Industrial që e lidh Tetovën me Porojin në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, u përurua më 30 dhjetor 2025. Pak ditë më pas u paraqitën gropa, të cilat u mbuluan më pas por që përsëri rruga nuk u rrafshua mirë dhe mbeti ashtu për disa javë derisa u ndërhy përsëri më vonë dhe u rrafshua.