U përurua bulevardi i ri, i njohur si “aeroporti” i Tetovës
Dje edhe zyrtarisht u përurua bulevardi i ri në Tetovë, i njohur si projekti “Aeroporti”, i cili përbën arterie të rëndësishme lidhëse ndërmjet Tetovës dhe disa fshatrave. Kjo pritet të lehtësojë komunikacionin, i cili është gjithmonë i ngarkuar në atë pjesë, transmeton Portalb.mk.
“Ju kujtohen thashethemet e tyre që shpërndanin, “Se e bejmë për zgjedhje”, se “do kryhen zgjedhjet dhe do e lënë”, “veç për foto e bëjnë”?! Ne kemi dëshmuar se e duam Tetovën çdo ditë, jo vetëm gjatë fushatës. Banorët e Porojit, Xhepçishtit dhe komunës së Tearcës sot janë më afër Tetovës se kurrë më parë! Jam i lumtur që sonte e promovuam “aeroportin”, dhe jam akoma më i lumtur se vazhdojmë me projekte po kaq madhështore sa “aeroporti!”, shkroi Kasami në Facebook.
Ky projekt u promovua në prill, madje u quajt edhe “Aeroporti” i Tetovës, por bulevardi “Vidoe Smileski Bato” (Industrial) i cili u vazhdua për rreth 700 metra, atëkohë përfundoi në qorrsokak, gjegjësisht në fushë.
Kujtojmë se punimet për vazhdimin e bulevardit “Vidoe Smileski Bato’ (Industrial) nga pjesa në Kazermën e qytetit filluan më 16 korrik 2023.
Ndërkaq, hapja e bulevardit “Industrial” së bashku me dy bulevardet tjera, “Ilinden” dhe “Bllagoja Toska” është edhe pjesë e Programit Zgjedhor 2021-2025 për Tetovën të kryetarit aktual të Komunës së Tetovës.