Këshilli Rinor nuk funksionon ndërsa Qendra Kulturore Rinore nuk u realizua, Komuna e Kumanovës pa përgjigje ndaj nevojave të rinisë

Këshilli Rinor Lokal i Kumanovës, megjithëse ka marrë propozimet për përfaqësues nga organizatat rinore, deri më tani nuk është funksionalizuar, ndërsa Qendra Kulturore Rinore e premtuar nga kryetari i komunës nuk është themeluar ende. Në anën tjetër, qendra rinore që funksionon prej disa vitesh në qytet nuk i përmbush nevojat e të rinjve dhe organizatave rinore për organizimin e aktiviteteve kulturore, edukative dhe shoqërore. Komuna e Kumanovës nuk përgjigjet për mospërmbushjen e nevojave të të rinjve, shkruan Portalb.mk.

Këshilli Rinor Lokal në Komunën e Kumanovës vijon të mos jetë funksional, pavarësisht thirrjeve të organizatave qytetare dhe të rinjve për funksionalizimin e këtij organi i cili rrjedh si obligim nga Ligji për Pjesëmarrje dhe Politika Rinore. Aktivistët ankohen edhe për mungesën e hapsirave për aktivitete.

Enver Salihi nga organizata “Pulsi i Demokracisë” thotë se në Kumanovë mungojnë hapsirat e dedikuara për të rinjtë dhe organizatat joqeveritare.

“Komuna e Kumanovës ka nevojë të madhe për qendra kulturore rinore, pasi hapsirat momentale ‘zaptohen’ nga partitë politike, aktorët komercialë apo subjekte të ndryshme, të cilat ua pamundësojnë të rinjve dhe OJQ-ve të realizojnë aktivitete të ndryshme në interes të rinisë”, thotë Salihi.

Përveç mungesës së hapësirave, Salihi ngre edhe çështjen e përfaqësimit të të rinjve në vendimmarrjen lokale. Ai thotë se organizata e tij ka deleguar një përfaqësues në mekanizmin e Këshillit Rinor, por ky i fundit deri më tani nuk është mbledhur dhe nuk është aktivizuar.

Sipas tij, këshilli rinor funksional do t’u mundësonte të rinjve të shprehin nevojat dhe kërkesat e tyre, si dhe të marrin pjesë në proceset që lidhen me politikat rinore në nivel lokal. Salihi shton se organizatës dhe aktivistëve të shoqërisë civile u është premtuar edhe një hapësirë e re për zhvillimin e aktiviteteve rinore, por mbetet të shihet nëse ky premtim do të realizohet.

Nevojën për më shumë hapësira rinore e thekson edhe Jovana Jordanovska nga Qendra për Dialog Ndërkulturor (CID). Sipas saj, këto ambiente mund të shërbejnë si vende ku të rinjtë shoqërohen, bashkëpunojnë dhe njihen me kultura të ndryshme.

Ajo bën të ditur se ka nisur edhe procesi për hapjen e një Qendre Kulturore Rinore në Kumanovë, por se ai ka ngecur. Jordanovska shpreson që pengesat të tejkalohen dhe qendra të fillojë funksionimin.

Si shembull, ajo përmend qendrën rinore “MultiKulti”, të cilën e udhëheq CID me mbështetjen e Komunës së Kumanovës. Jordanovska thotë se kjo qendër ofron hapësirë të sigurt dhe gjithëpërfshirëse, ku të rinjtë nga komunitete të ndryshme mund të marrin pjesë në aktivitete dhe të krijojnë lidhje mes tyre.

“MultiKulti është një vend ku të rinjtë kanë mundësi të njihen mes vete dhe me kulturat e tjera. Mendoj se ka nevojë për më shumë angazhim dhe përfshirje të të rinjve, si dhe për mbështetje më të madhe nga administrata publike. Do të ishte mirë të kishim edhe disa qendra të tjera rinore”, thotë Jordanovska.

Qendra e re Kulturore Rinore ishte edhe një nga premtimet e kryetarit të Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski. Në programin e tij zgjedhor, ai kishte premtuar realizimin e saj pranë Pallatit të Kulturës “Trajko Prokopiev”, si dhe rregullimin e hapësirës me një shesh të ri urban për të rinjtë dhe një plato për organizimin e eventeve.

Foto screenshot nga programi zgjedhor i ZNAM-it.
Foto screenshot nga programi zgjedhor i ZNAM-it.

Për të marrë sqarime se pse nuk funksionon Këshilli Rinor Lokal dhe pse nuk është aktivizuar pavarësisht detyrimit ligjor, si dhe për të mësuar se në çfarë faze ndodhet realizimi i premtimit për Qendrën Kulturore Rinore, Portalb.mk iu drejtua Komunës së Kumanovës. Megjithatë, deri në publikimin e këtij shkrimi, nga komuna nuk morëm përgjigje.

Ndërkohë pa këshill rinor lokal këtë vit do të mbesin edhe, të rinjtë e Komunës së Likovës, komuna ka sqaruar se procedura për rikthimin e këshillit në funksion do të vazhdojë pas Vitit të Ri.

Kujtojmë se Raporti i Monitorimit për zbatimin e Ligjit për Pjesëmarrje Rinore dhe Politika Rinore për vitin 2025, i publikuar më 15 maj nga Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë, evidentoi mangësi serioze në zbatimin e detyrimeve ligjore ndaj të rinjve në nivel lokal.

Sipas raportit, gjashtë vite pas miratimit të ligjit, një pjesë e konsiderueshme e obligimeve ligjore ende nuk janë përmbushur ose zbatohen vetëm formalisht.

Institucionet, sipas raportit, më së shpeshti përmbushin ato detyrime që nuk kërkojnë investime të mëdha financiare, ndërsa mekanizmat që kërkojnë mbështetje strukturore dhe përfshirje aktive të të rinjve mbeten jofunksionalë ose pjesërisht të zbatuar.