Pacientët kërkojnë parking, autoritetet shqyrtojnë oferta: Kaosi te Klinika “Nënë Tereza” vazhdon (Video)

Pacientët dhe familjarët e tyre vazhdojnë të përballen me vështirësi për të gjetur një vend parkimi në Qendrën Klinike Universitare “Nënë Tereza” në Shkup kështu duke u bllokuar në kolona dhe duke humbur kohë. Derisa kjo mbetet një nga problemet me të cilat përballen qytetarët, Qyteti i Shkupit thotë se tenderi për ndërtimin e dy garazheve të reja shumëkatëshe është në fazën përfundimtare, shkruan Portalb.mk. 

Një paciente të cilin e takuam në spital për Portalb.mk tha se nuk ka parkingje të mjaftueshme, me vështirësi arrihet deri te parkingu dhe duhet të pritet shumë.

Edhe një pacienti tjetër u ankua për situatën me parkingjet dhe tha se ka shumë kolona.

“Nuk ka vend askund. Tash një polic aty më tha largohu se rruga është një kahshe, por nuk kemi ku të shkojmë”, theksoi ai.

Një tjetër pacient për Portalb.mk, u shpreh se nga hyrja në spital gjëja e parë të cilën e ka vërejtur është gjendja kaotike e parkingut.

“Mu desht të kaloj të gjithë parkingun dhe në fund ta parkoj veturën jashtë spitalit”, thotë një tjetër.

Nga Qyteti i Shkupit për Portalb.mk thonë se janë duke punuar në realizimin e projektit për ndërtimin e dy garazheve të reja në kuadër të Qendrës Klinike “Nënë Tereza”

“Sa i përket procedurës së tenderimit, nga Qyteti i Shkupit njoftojnë se kanë pranuar dy oferta nga kompani vendore. Dokumentacioni i dorëzuar aktualisht po shqyrtohet nga komisioni kompetent, për të vlerësuar nëse ofertat i plotësojnë kushtet e kërkuara. Informacione më të hollësishme do të bëhen të ditura pas përfundimit të kësaj pjese të procedurës, për të cilën publiku do të informohet me kohë”, thuhet në përgjigjen e Qytetit të Shkupit. 

Për zgjidhjen e këtij problemi, Ministria e Shëndetësisë dhe Qyteti i Shkupit në mars 2026 nënshkruan marrëveshjen për ndërtimin e garazheve shumëkatëshe në kuadër të Qendrës Klinike “Nënë Tereza”. Marrëveshja është lidhur për 15 vjet dhe parashikon qira prej 10 përqind të qarkullimit të përgjithshëm të realizuar.

Garazhet e planifikuara do të jenë të destinuara për pacientët dhe të punësuarit në Qendrën Klinike. Njëri parashihet të ndërtohet te Klinika e Gjinekologjisë, ndërsa tjetra te kisha brenda kompleksit.

Megjithatë, për momentin, Qyteti i Shkupit nuk ka bërë të ditur datë konkrete se kur do të përfundojë procedura e tenderimit, kur do të fillojnë punimet dhe kur garazhet do të vihen në funksion. 

Problemi me mungesën e parkingut në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” është trajtuar edhe më herët nga Portalb.mk. 

Problemi me parkingun në kompleksin ekzistues mbetet i pazgjidhur, autoritetet po diskutojnë edhe për vendndodhjen e një Qendre të re Klinike në Shkup. Nga ana tjetër, pacientët dhe familjarët e tyre vazhdojnë të presin zgjidhjen e një problemi që ua vështirëson qasjen në institucionin më të madh shëndetësor në vend.