Qarkorja e Tetovës nuk përfundoi as në afatin e katërt, NP Rrugët Shtetërore hesht për vonesat
Punimet për ndërtimin e Qarkores së Tetovës nga Treboshi deri në Neproshten nuk përfunduan as më 1 nëntor 2026, siç paralajmëroi Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore. Ky ishte afati i katërt i përcaktuar për përfundimin e projektit, i cili fillimisht duhej të ishte gati në maj të vitit 2025. Portalb.mk kërkoi sqarime nga ndërmarrja për arsyet e vonesave dhe se kur pritet të përfundojnë punimet, por nga aty heshtin, shkruan Portalb.mk.
Ndonëse në terren po punohet, Qarkorja e Tetovës vazhdon të mbetet e papërfunduar, pavarësisht afateve të njëpasnjëshme të paralajmëruara nga autoritetet.
Në përgjigjen e fundit për Portalb.mk, Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore e pati konfirmuar se punimet do të përfundonin deri më 1 nëntor 2026, pas së cilës rruga do të lëshohej në funksion.
“Punimet për Qarkoren e Tetovës nga Treboshi deri në Neproshten, pritet të përfundojnë deri më 1 nëntor të këtij viti, pas së cilës ajo do të vihet në funksion”, deklaruan në fillim të tetorit nga NP Rrugët Shtetërore.
Megjithatë, ky afat kaloi ndërsa punimet nuk përfunduan.
Portalb.mk iu drejtua përsëri ndërmarrjes me pyetje se përse nuk u respektua afati i fundit, cilat janë arsyet e vonesave dhe kur konkretisht pritet të përfundojë ndërtimi i qarkores. Megjithatë, nga ndërmarrja nuk u përgjigjën.
Katër afate të shkelura për projektin e nisur në vitin 2024
Ndonëse në shkurt 2024 u promovua me shumë vrull nga funksionarët qeveritarë dhe partiakë, punimet në terren për qarkoren e Tetovës nuk ecën në të njëjtën formë.
Afati i punimeve aso kohe u tha se ishte 15 muaj dhe pritej që të lëshohej në përdorim në maj 2025.
Por, një vit më vonë, në mars 2025 u njoftua se afati i përfundimit të punimeve ishte shtyrë për në tetor 2025.
Më pas, në nëntor 2025 u njoftua se afati është shtyrë për në maj 2026.
Ndërkaq në qershor 2026 u tha se afati është deri në gusht 2026.
Më pas në fillim të tetorit 2026, Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore tha se përfundimi i kësaj rruge pritet të bëhet deri më 1 nëntor 2026. Por as kjo nuk u realizua.

Qarkorja po ndërtohet nga fshati Trebosh deri në fshatin Neproshten në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, e njëjta lidhet edhe me autostradën Tetovë-Shkup.
Rruga pritet të jetë e gjatë 5.4 kilometra me gjerësi 6.6 metra. Gjithashtu është e planifikuar për tërë gjatësinë e rrugës së qarkores në të dy krahët e rrugës të ketë rrugë ndihmëse të tamponuara të servisuara për mjetet të cilat merren me bujqësi me gjerësi prej 3 metra.
Kjo rrugë pritet të lehtësojë komunikacionin për banorët e komunave Tetovë, Tearcë, Zhelinë, Jegunovcë të cilët nuk do duhet të futen në Tetovë për t’u lidhur me rrugë të tjera rajonale.
Në vitin 2019 kryetarët e komunave Tetovë, Tearcë, Jegunovcë dhe Zhelinë kërkuan ndërtimin e qarkores në hyrje që Tetovës.
- LEXO: Afati u shty për herë të katërt, Qarkorja e Tetovës pritet të përfundojë në nëntor
- LEXO: Maji përfundoi por jo edhe Qarkorja e Tetovës, afati u shty për në gusht
- LEXO: Për herë të dytë u shty afati për qarkoren e Tetovës, punimet zvarriten
- LEXO: U shty afati për qarkoren e Tetovës: Faza e parë pritet të përfundojë në tetor, u miratua faza e dytë
- LEXO: Filluan punimet për qarkoren e Tetovës, në maj 2025 pritet të lëshohet në përdorim
- LEXO: Pas shumë zvarritjesh filluan punimet për qarkoren e Tetovës, pritet të zgjasin 15 muaj