“Aeroporti i Tetovës” u lëshua me nxitim pa pranim-dorëzim, më pas u arnua dhe ende nuk u rrafshua (Foto)

Bulevardi Industrial (Vidoe Smilevski Bato) i njohur ndryshe si ‘Aeroporti i Tetovës’ që del në fshatin Poroj u lëshua në përdorim pa u bërë pranim-dorëzimi. Ndërkaq pak ditë më pas u paraqitën gropa, të cilat u mbuluan më pas por që përsëri rruga nuk është rrafshuar mirë, shkruan Portalb.mk.

Lidhur me këto probleme, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se rruga u lëshua në përdorim gjatë festave të fundvitit për shkak të fluksit të madh të qytetarëve.

“Ne kemi kërkuar nga operatori që ka realizuar punimet që të lëshojë në përdorim para festave të fundvitit edhe pse formalisht nuk është bërë pranim-dorëzimi i të njëjtit por në bashkëpunim dhe marrëveshje me operatorin jemi dakorduar që ashtu si do paraqiten probleme dhe defekte në rrugë i njëjti ta përmirësojë dhe bulevardi kur do pranohet zyrtarisht nga komuna do të jetë me të gjitha standardet të cilat janë paraparë edhe në marrëveshjen e realizimit”, tha Kasami.

Kështu duket kjo rrugë sot, ndërsa kohë-pas kohe aty punojnë makineri për rregullimin e trotuarëve anash rrugës.

Ndryshe, bulevardi Industrial që lidh Tetovën me Porojin në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, u përurua më 30 dhjetor 2025.