Afati u shty për herë të katërt, Qarkorja e Tetovës pritet të përfundojë në nëntor
Afati për përfundimin e ndërtimit të Qarkores së Tetovës nga Treboshi në Neproshten është shtyrë për herë të katërt. Ndonëse kjo rrugë duhej të ishte gati në maj 2025 afati i përfundimit është shtyrë katër herë, afati i ri është nëntori 2026, shkruan Portalb.mk.
Ndonëse në shkurt 2024 u promovua me shumë vrull nga funksionarët qeveritarë dhe partiakë, punimet në terren për qarkoren e Tetovës nuk ecën në të njëjtën formë.
Afati i punimeve aso kohe u tha se ishte 15 muaj dhe pritej që në maj 2025 të lëshohej në përdorim.
Por, një vit më vonë, në mars 2025 u njoftua se afati i përfundimit të punimeve ishte shtyrë për në tetor 2025.
Më pas, në nëntor 2025 u njoftua se afati është shtyrë për në maj 2026.
Ndërkaq në qershor 2026 u tha se afati është deri në gusht 2026.
Por as në këtë afat punimet nuk përfunduan sipas premtimeve.
Nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore e konfirmuan për Portalb.mk se përfundimi i kësaj rruge pritet të bëhet deri më 1 nëntor 2026, pra edhe një muaj.
“Punimet për Qarkoren e Tetovës nga Treboshi deri në Neproshten, pritet të përfundojnë deri më 1 nëntor të këtij viti, pas së cilës ajo do të vihet në funksion”, thanë nga NP Rrugët Shtetërore.
Nëse ky projekt do të përfundojë në këtë afat, i bie që të përfundojë afër tre vite që nga promovimi i projektit.
Qarkorja po ndërtohet nga fshati Trebosh deri në fshatin Neproshten në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, e njëjta lidhet edhe me autostradën Tetovë-Shkup.

Rruga pritet të jetë e gjatë 5.4 kilometra me gjerësi 6.6 metra. Gjithashtu është e planifikuar për tërë gjatësinë e rrugës së qarkores në të dy krahët e rrugës të ketë rrugë ndihmëse të tamponuara të servisuara për mjetet të cilat merren me bujqësi me gjerësi prej 3 metra.
Kjo rrugë pritet të lehtësojë komunikacionin për banorët e komunave Tetovë, Tearcë, Zhelinë, Jegunovcë të cilët nuk do duhet të futen në Tetovë për t’u lidhur me rrugë të tjera rajonale.
Në vitin 2019 kryetarët e komunave Tetovë, Tearcë, Jegunovcë dhe Zhelinë kërkuan ndërtimin e qarkores në hyrje që Tetovës.
- LEXO: Maji përfundoi por jo edhe Qarkorja e Tetovës, afati u shty për në gusht
- LEXO: Për herë të dytë u shty afati për qarkoren e Tetovës, punimet zvarriten
- LEXO: U shty afati për qarkoren e Tetovës: Faza e parë pritet të përfundojë në tetor, u miratua faza e dytë
- LEXO: Filluan punimet për qarkoren e Tetovës, në maj 2025 pritet të lëshohet në përdorim
- LEXO: Pas shumë zvarritjesh filluan punimet për qarkoren e Tetovës, pritet të zgjasin 15 muaj