Vrasja e shtetasit të Maqedonisë së Veriut në Prishtinë, policia e Kosovës doli me detaje

Një person është vrarë të mërkurën mbrëma në “Rrugën C”, në Prishtinë, njoftoi Policia e Kosovës.

Në raportin policor bëhet e ditur se rasti ka ndodhur në ora 20:00, ndërsa raportohet se i dyshuari deri më tani i panjohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë vërejtur se në një veturë me targa të Republikës së Maqedonisë Veriore, është një person, nga mjeku përgjegjës është konstatuar se personi i cili ishte në veturë është pa shenja jete”, thuhet në raport.

Policia njoftoi më pas se më larg vendit të ngjarjes është gjetur një veturë e përfshirë nga flaka, që dyshohet se është shfrytëzuar nga të dyshuarit e përfshirë në rast.

Jozyrtarisht thuhet se personi që është qëlluar është Blerim Daci, i cili përdorte dokumente false me emrin Blerim Shabani, raportojnë mediat kosovare.