Tetova, qyteti ku përdorimi i biçikletës është i rrezikshëm (Foto)

Në Tetovë nuk ka shtigje të dedikuara për biçikleta. Kjo vë në rrezik qytetarët të cilët lëvizin me biçikleta pasi të njëjtët duhet të kalojnë nëpër rrugët ku kalojnë veturat, apo edhe në trotuare. Të dhënat e Policisë, madje tregojnë se ka pasur viktima nga aksidentet me biçikletë. Qytetarët kërkojnë zgjidhje, ndërkaq nga autoritetet komunale diçka konkrete nuk ka ende, shkruan Portalb.mk.

Profesorin Xhelal Zejneli, krahas profesionit të tij shumica e qytetarëve në Tetovë e njohin edhe si përdorues i rregullt i biçikletës, ai për Portalb.mk thekson se mungesa e shtigjeve të qarkullimit i vë në rrezik si drejtuesit e automjeteve, ashtu edhe ngasësit e biçikletave. Megjithatë, thekson ai se çdo qytet ka nevojë për shtigje biçikletash, por për të njëjtat duhen edhe kushtet përkatëse.

Xhelal Zejneli
Xhelal Zejneli

“Në pjesët e vjetra të një qyteti apo në çarshinë e tij, ndërtimi i shtigjeve të biçikletave, është një punë që vështirë realizohet. Pjesët e sipërthëna të qyteteve i kanë rrugët e ngushta dhe rrjedhimisht nuk ka hapësirë apo vend për t’i ndërtuar ato. Shtigjet e biçikletave i nevojiten një qyteti për arsye se ato e lehtësojnë qarkullimin, si të automjeteve, ashtu edhe të këmbësorëve dhe të ngasësve të biçikletave. Por, shtigjet e tilla nuk mund të ndërtohen në rrugën ku qarkullojnë automjete dhe as nëpër trotuare. Kështu sepse, rrugët janë të destinuara për qarkullimin e automjeteve, ndërsa trotuaret – për lëvizjen e këmbësorëve. Sidoqoftë, organet e bashkisë vazhdimisht duhet të kërkojnë mënyra apo forma për ndërtimin e shtigjeve të tilla për arsye se ato e lehtësojnë dukshëm qarkullimin rrugor si dhe lëvizjen e këmbësorëve”, theksoi Zejneli.

Shtigjet e biçikletave në Tetovë sot janë edhe më të rëndësishme pasi do të përdoreshin edhe për trotinetet elektrikë. Kështu theksojnë nga nisma qytetare “Më mirë për Tetovën”. Ata tonë se qyteti nuk ofron kushte për qarkullim me biçikleta ngaqë trotuaret dhe shtigjet anësore të rrugëve përdoren kryekëput për vend-parkime, andaj pamundësohet qarkullimi i lirshëm me biçikleta.

Foto: Më mirë për Tetovën
Foto: Më mirë për Tetovën

“Mendojmë që duhet të bëhen kampanja edukative për të ngritur vetëdijen e pjesëmarrësve në komunikacion ndaj vozitësve të biçikletave por pse jo edhe për vozitësit e trotineteve, që momentalisht të dy kategoritë e vozitësve janë të rrezikuar në komunikacion ngaqë nuk respektohen nga asnjë pjesëtarë tjetër në komunikacion. Shtigjet e biçikletave duhet të rikthehen por me standardet e duhura që do të mënjanonte parkimin anësorë të veturave në çdo lagje të qytetit e në veçanti në bulevardet në të cilat janë përcaktuar parkimet zonale”, thanë nga “Më mirë për Tetovën”.

Se sa çiklistët janë të rrezikuar e tregojnë të dhënat e Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë, ku ka pasur edhe viktima.

Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Gjatë vitit 2022, në zonën e Tetovës kanë ndodhur 21 aksidente trafiku me çiklistë. Prej tyre, në 19 aksidente, lëndime të lehta kanë pësuar 19 çiklistë, një prej tyre ka mbetur viktimë në aksident trafiku dhe një i çiklist ka kaluar pa lëndime. Ndërsa, në vitin 2023, deri më 11 qershor, në rajonin e Tetovës kanë ndodhur gjithsej 5 aksidente trafiku, në të cilat kanë qenë të përfshirë çiklistë, 4 prej tyre kanë kaluar vetëm me lëndime trupore, ndërsa një prej tyre është konstatuar me lëndime të rënda trupore”, thanë nga SPB Tetovë.

Atë se si qytetarët lëvizin me biçikleta në mes të rrugëve nëpër Tetovë e tregon edhe fotografia më poshtë.

Qytetarë me biçikleta në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Qytetarë me biçikleta në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Liridon Disha (këshilltar i BDI-së në Këshillin e Komunës së Tetovës). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Liridon Disha (këshilltar i BDI-së në Këshillin e Komunës së Tetovës). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga ana tjetër, këshilltari komunal nga Bashkimi Demokratik për Integrim, Liridon Disha i pyetur nga Portalb.mk për këtë problem dhe nëse ata si këshilltarë kanë ndonjë propozim konkret për këtë tha se udhëheqësia aktuale komunale mori vendimin për heqjen e shtegut të biçikletave duke u bazuar në vendim gjyqësor që sipas tyre nuk ka pasur, ai tha se ndoshta ka pasur padi, por jo vendim.

“Gjendemi në një situatë ku qytetarët kërkojnë të ketë shtigje për biçikleta, por ata nuk janë vendosur ende. Ne i kemi bërë thirrje disa herë kryetarit të komunës së Tetovës që vendosja e shtigjeve të biçikletave është në të mirë të qytetarëve pasi e largon kaosin në komunikacion, gjithashtu ndikon në pastrimin e ajrit të ndotur në qytetin tonë”, tha Disha.

Besar Durmishi (kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Besar Durmishi (kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga ana tjetër, autoritetet komunale thonë se po punohet në drejtim për shtigje të biçikletave por pa dhënë detaje konkrete. Kryetari i Këshillit Komunal të Tetovës, Besar Durmishi shkurt na u përgjigj:

Kur do e bëjmë planin do prononcohem për mediumet. Është duke u punuar në atë drejtim.”

Përndryshe, kujtojmë që në Tetovë në vitin 2021 u ndërtua shtegu i biçikletave përgjatë bulevardit “Ilinden” nga udhëheqësia e atëhershme e kryesuar nga Teuta Arifi. Ky projekt pati shumë kritika për mënyrën e realizimit. Ndërkaq, me të ardhur në krye të Komunës, kryetari aktual – Bilall Kasami largoi këtë shteg në nëntor 2021 me arsyetimin se ka keqpërdorime në projekt, dhe se për të ekziston proces gjyqësor në të cilin ka padi kundër kryetares së kaluar Teuta Arifit për realizim të projektit në kundërshtim me ligjin. Ai madje dorrëzoi edhe padi në Prokurori kundër Arifit. Por, nga Prokuroria të pyetur nga Portalb.mk nuk treguan se deri ku është ky proces.