Vitin e kaluar janë ndërtuar 3.844 banesa, më shumë se gjysma janë në Shkup, ndërsa një e treta në Aerodrom

Gjatë vitit 2022 ka përfunduar ndërtimi i 3844 banesave, nga të cilat 3714 janë në pronësi individuale, njoftoi Enti Shtetëror i Statistikave, transmeton Portalb.mk.

Më shumë se gjysma e banesave janë në rajonin e Shkupit (2107), ndërsa në qytete dhe rajone të caktuara pothuajse nuk ka pasur fare ndërtim. Vitin e kaluar në rajonin e Pollogut janë ndërtuar vetëm 87 banesa, prej të cilave 67 në Mavrovë dhe Rostushë. Në Tetovë ka përfunduar ndërtimi i vetëm tre banesave.

Demir Hisari, Krusheva, Resnja, Dibra, Kratova, Haraçina, Saraji dhe Shuto Orizari janë pjesë e komunave ku vitin e kaluar nuk përfundoi ndërtimi i asnjë banese.

Në Shkup, më së shumti banesa janë ndërtuar në Komunën e Aerodromit – nga numri i përgjithshëm i banesave të ndërtuara në rajonin e Shkupit 2.107, vetëm në Aerodrom janë ndërtuar 1.120 banesa. Më pas vjen Gazi Baba me 336, 218 në Qendër, 175 në Gjorçe Petrov, 131 në Butel, 105 në Karposh dhe 14 banesa të përfunduara në Kisella Vodë.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, sipërfaqja mesatare e shfrytëzueshme e apartamenteve të përfunduara është 66.9 metra katrorë.

Vlerësimi i EShS-së është se në vitin 2022 subjektet afariste që merren me veprimtari ndërtimore kanë kryer punë ndërtimore në vlerë prej 30.768.214 denarë ose gjysmë milioni euro. Prej tyre 14.662.217 denarë ose rreth 240 mijë euro janë për objekte individuale.

Kujtojmë gjatë muajit mars të vitit 2023 janë dhënë 415 leje ndërtimi, që është për 11.3% më shumë se në muajin e njëjtë të vitit paraprak.

Sipas lejeve të dhëna për ndërtim, vlera e paraparë e objekteve është 5,589,059 mijë denarë, që është për 21.9 % më shumë krahasuar me muajin e njejtë të vitit paraprak.

Nga numri i përgjithshëm i numrit të lejeve të dhëna për ndërtim, 220 (53.0%) janë të dedikuara për objektet e ndërtimit të lartë, 108 (26.0%) janë për objektet e ndërtimit të ulët dhe 87 (21.0%) për objektet për rikonstruim.

Nga gjithsej 415 objekte, tek 229 (55.2%) si investitorë na paraqiten persona fizik, ndërsa te 186 (44.8%) objekte si investitorë janë subjektet afariste.

Në periudhën raportuese është paraparë ndërtimi i 478 banesave, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 53 346 m2.