Pas lajmit të Portalb, NPK-ja kositi barin te Skejtparku (Video)

Ndërmarrja Publike Komunale (NPK) “Tetova” dje dhe sot kositi barin në Skejtparkun e Tetovës i cili ishte lënë i pakositur për javë të tëra. Kjo erdhi pas raportimit të Portalb.mk para dy ditëve në lidhje me problemin si dhe tufën e kuajve dhe gomerëve që ishin lëshuar të kullotnin në këtë hapësirë.

Sot, bari është kositur dhe parku u rikthye në gjendjen normale.

Megjithatë kjo nuk është hera e parë që NPK-ja vepron pas raportimit të Portalb.mk për rritjen e kullosave dhe moskositjen e të njëjtave këtë park.

Kujtojmë që para dy ditëve në redaksinë e Portalb.mk arritën ankesa për atë se bari në Skejtparkun afër Stacionit të Autobusëve në Tetovë nuk është kositur për disa javë dhe nuk mirëmbahet. Si pasojë e kësaj, një qytetar i pandërgjegjshëm solli një tufë kuajsh dhe gomarësh të kullotnin në këtë pjesë. Kur Portalb.mk arriti në terren, qytetari i largoi kuajt nga aty.

Ndryshe, Skejtparku dhe Parku i Gruas, shpesh lihen pa përkujdesje adekuate nga ana e autoriteteve.

Problem mbetet numri i vogël i punonjësve të angazhuar në pjesën e parqeve dhe gjelbërimit.

Portalb.mk me vite raporton për këtë problem për të cilin zgjidhje afatgjate nuk është gjetur ende.