Qytetarët në RMV gjatë shtatorit shpenzuan më shumë për ushqim dhe karburante sesa për produkte të tjera
Qytetarët në Maqedoninë e Veriut shpenzojnë më shumë për ushqim dhe karburante, ndërsa dukshëm më pak për produkte joushqimore, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), transmeton Portalb.mk.
ESHS-ja sot publikoi të dhënat për indekset e qarkullimit në sektorin e tregtisë për shtatorin e vitit 2026. Sipas tyre, qarkullimi me karburante për automjete shënoi rritje nominale prej 38,7 përqind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa rritja reale ishte 12 përqind.
Rritje të konsiderueshme është regjistruar edhe në tregtinë me ushqime, pije dhe duhan. Sipas Statistikave, qarkullimi nominal në këtë sektor është rritur për 24,1 përqind, ndërsa ai real për 19,4 përqind.
Nga ana tjetër, rënia më e madhe është regjistruar në tregtinë me pakicë të produkteve joushqimore, pa përfshirë karburantet. Në këtë segment, qarkullimi nominal është ulur për 13,9 përqind, ndërsa ai real për 9,2 përqind krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar.
Sa i përket tregtisë së përgjithshme me pakicë, pa përfshirë tregtinë me karburante, qarkullimi nominal është rritur për 3,9 përqind, ndërsa ai real për 4,7 përqind. Sipas të dhënave të Statistikave, në tregtinë me pakicë, pa përfshirë automjetet dhe motoçikletat, qarkullimi i përgjithshëm nominal është rritur për 10,6 përqind, ndërsa rritja reale ishte 5,3 përqind.
Në përgjithësi, indekset tregojnë se rritja nuk është e njëtrajtshme në të gjitha veprimtaritë tregtare. Ndërsa karburantet dhe ushqimet shënojnë rritje dyshifrore, sektori i produkteve joushqimore përballet me rënie të konsiderueshme të qarkullimit.