U shpall fundi i epidemisë në Gostivar, autoritetet nuk po i publikojnë rezultatet e analizave të fundit të ujit
Qendra për Shëndet Publik – Gostivar sot shpalli përfundimin e epidemisë në Gostivar, e cila u shkaktua pasi mijëra qytetarë u sëmurën për shkak se ujërat fekale përfunduan në ujin e pijshëm. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, në konferencën e sotme për media tha se epidemia është ndërprerë pasi nuk janë raportuar raste të reja me gastroenterit apo probleme të stomakut të lidhura me ujin e pijshëm, transmeton Portalb.mk.
Ndërkohë, edhe pse më 14 gusht disa zyrtarë lokalë dhe shtetërorë pinë ujë nga një çezmë publike në Gostivar për të dëshmuar se ai ishte i sigurt për konsum, asnjë institucion nuk ka publikuar rezultatet e analizave të fundit të ujit. “Meta” u përpoq të siguronte rezultatet, duke qenë se mostrat janë marrë dhe janë analizuar, por asnjë institucion kompetent nuk ka bërë të ditura informacionet lidhur me rezultatet.
Në konferencën për media u bë e ditur vetëm se rezultatet e marra ishin të kënaqshme.
“Ne morëm mostra nga tre vende në të njëjtën kohë në Gostivar dhe i dorëzuam për analizë në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV). Analizat bëhen atje, jo në Institut. Përgjigjet kërkojini atje”, tha për “Meta” drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Marija Andonovska.
Nga AUV-ja, ndërkaq, thanë se nuk janë në gjendje t’i dorëzojnë rezultatet apo të paktën të japin informacion për gjetjet. Edhe ata përgjegjësinë ia kalojnë një institucioni tjetër.
Sipas tyre, janë marrë mostra nga shtatë pika matëse, në prani të ekspertëve nga Instituti i Shëndetit Publik dhe NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup. Mostrat janë analizuar në dy laboratorë të ndryshëm në Shkup, një në Institutin e Shëndetit Publik dhe një në “Ujësjellës”. Të dy institucionet, lidhur me rezultatet e marra, kanë njoftuar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Shtabin e Krizës. Megjithatë, nuk kanë bërë publike se cilat kanë qenë rezultatet.
Që nga shpallja e epidemisë në Gostivar më 19 korrik, autoritetet shëndetësore kanë evidentuar gjithsej 1.149 persona të prekur nga enterokoliti, përkatësisht virusi i stomakut.
Edhe pse ekspertët e shëndetësisë paralajmëronin se numri i të infektuarve mund të arrinte në 4-5 mijë, pasi një numër i madh i tyre nuk ishin paraqitur te mjeku, nga ISHP-ja shpjegojnë për “Meta” se shifra prej 1.149 rasteve bazohet vetëm në raportimet e mjekëve që kanë vendosur diagnozën dhe i kanë dërguar të dhënat pranë institutit.
Sipas drejtorit të AUV-së, uji në Gostivar është mikrobiologjikisht i përshtatshëm që nga fundi i javës së kaluar, ndërsa niveli i klorit ka qenë brenda kufirit të lejuar, përkatësisht 0,5 miligramë për litër.
Që nga 14 gushti, uji nga ujësjellësi i qytetit në Gostivar është i sigurt për pije, pasi rezultatet e analizave laboratorike të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) dhe laboratori i NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”-Shkup rezultuan të kënaqshme.
Pasi autoritetet njoftuan se uji nga ujësjellësi i qytetit në Gostivar është i sigurt për pije, opozitarja LSDM kërkoi që Qeveria të publikojë të plotë raportin dhe analizat e ujit, duke vlerësuar se pas gjithë rastit është joserioze dhe e papërgjegjshme t’u kërkohet qytetarëve që përsëri t’u besojnë vetëm deklaratave.
Në lidhje me ndotjen e ujit në Gostivar, LSDM-ja ka paraqitur kallëzim penal kundër ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovskit, dhe drejtorëve të disa institucioneve shëndetësore. Nga partia i akuzuan ata për lëshime dhe mosmarrje të masave gjatë ndotjes së ujit të pijshëm në Gostivar.
Për rastin janë arrestuar drejtoresha e “Komunalecit” të Gostivarit dhe dy persona të tjerë.
- LEXO: Një muaj pas epidemisë në Gostivar, ISHP-ja kërkon që “Komunalec” të verifikojë nëse punonjësit janë ekspertë të ujit
- LEXO: Angellov: Përfundoi gjendja e krizës në Gostivar, uji është i pastër dhe i sigurt për pije
- LEXO: Askush nuk i publikon rezultatet e analizave të ujit në Gostivar
- LEXO: Shtabi i Krizës: Pas disa javësh ndalesë, uji në Gostivar është i pijshëm (VIDEO)