Angellov: Përfundoi gjendja e krizës në Gostivar, uji është i pastër dhe i sigurt për pije
Uji i pijshëm në Gostivar është i pastër dhe i sigurt për konsum, ndërsa në territorin e Komunës mbrëmë në mesnatë përfundoi gjendja 30-ditore e krizës, njoftoi sot drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov. Me këtë, tha ai, përfundon angazhimi dhe mbikëqyrja e drejtpërdrejtë nga pushteti qendror dhe ndërmarrjet shtetërore, transmeton Portalb.mk.
“Me përfundimin e gjendjes së krizës, institucionet e pushtetit qendror, përfshirë edhe NP ‘Ujësjellësi’ nga Shkupi, tërhiqen nga kontrolli i cilësisë së ujit. Tani është radha e pushtetit lokal dhe vetëqeverisjes lokale që të kujdesen që gostivarasit të vazhdojnë të pinë ujë të pastër dhe të sigurt”, deklaroi Angellov.
Qeveria e shpalli gjendjen e krizës në Gostivar më 20 korrik, pasi pushteti lokal nuk arriti të përballej vetë me ndotjen e ujit të pijshëm dhe epideminë që preku disa mijëra qytetarë.
Uji në Gostivar ishte ndaluar për pije që nga 17 korriku. Sipas institucioneve kompetente, ndotja erdhi si pasojë e pompave të vendosura në mënyrë të parregullt nga NP “Komunalec”-Gostivar, përmes të cilave në sistem futej ujë i ndotur. Mijëra qytetarë përfunduan në spital për shkak të helmimit nga bakteret.
U krye procesi i hiperklorimit për pastrimin e të gjithë sistemit të furnizimit me ujë, pas së cilës uji u shpall i përshtatshëm vetëm për përdorim teknik.
Që nga 14 gushti, uji nga ujësjellësi i qytetit në Gostivar është i sigurt për pije, pasi rezultatet e analizave laboratorike të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) dhe laboratori i NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”-Shkup rezultuan të kënaqshme.
Pasi autoritetet njoftuan se uji nga ujësjellësi i qytetit në Gostivar është i sigurt për pije, opozitarja LSDM kërkoi që Qeveria të publikojë të plotë raportin dhe analizat e ujit, duke vlerësuar se pas gjithë rastit është joserioze dhe e papërgjegjshme t’u kërkohet qytetarëve që përsëri t’u besojnë vetëm deklaratave.
Në lidhje me ndotjen e ujit në Gostivar, LSDM-ja ka paraqitur kallëzim penal kundër ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovskit, dhe drejtorëve të disa institucioneve shëndetësore. Nga partia i akuzuan ata për lëshime dhe mosmarrje të masave gjatë ndotjes së ujit të pijshëm në Gostivar.
Për rastin janë arrestuar drejtoresha e “Komunalecit” të Gostivarit dhe dy persona të tjerë.