Një muaj pas epidemisë në Gostivar, ISHP-ja kërkon që “Komunalec” të verifikojë nëse punonjësit janë ekspertë të ujit
Të verifikohet nëse personeli i punësuar në pikat kritike të sistemit të furnizimit dhe shpërndarjes së ujit pranë ndërmarrjes publike “Komunalec” të Gostivarit ka përgatitjen e duhur profesionale dhe njohuritë bazë për sigurinë e ujit. Kjo thuhet në njoftimin e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) drejtuar ndërmarrjes publike “Komunalec”, një muaj pasi u shpall epidemia për shkak të helmimit të mijëra banorëve të Gostivarit nga uji fekal i ndotur i ujësjellësit të qytetit, transmeton Portalb.mk.
“Personeli përgjegjës për menaxhimin e objektit të furnizimit me ujë dhe mirëmbajtjen e rrjetit të ujësjellësit duhet të ketë trajnime të përshtatshme dhe ato të zhvillohen në mënyrë të vazhdueshme. Personeli i punësuar në zonën e parë të mbrojtjes duhet t’i nënshtrohet rregullisht kontrolleve shëndetësore dhe higjienike”, thuhet në njoftimin e publikuar nga ISHP-ja në faqen e saj zyrtare.
ISHP-ja rekomandon që punonjësit e ndërmarrjes publike të monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme sasinë e klorit nga burimi deri te konsumatorët fundorë dhe të vendoset një sistem i automatizuar për matjen, monitorimin dhe regjistrimin grafik të vazhdueshëm të parametrave që lidhen me procesin e dezinfektimit, përfshirë dozimin e klorit.
“Nevojitet matje sistematike dhe e vazhdueshme e klorit të mbetur në një numër më të madh pikash në rrjetin e ujësjellësit, në periudha të ndryshme të ditës dhe gjatë niveleve të ndryshme të konsumit të ujit, si dhe të mbahen regjistrime për këtë aktivitet. Aty ku është teknikisht e mundur, duhet të mundësohet një sistem alarmi në rast të devijimit nga vlerat e përcaktuara operative. Pas heqjes së gjendjes së krizës në territorin e Komunës së Gostivarit, duhet të sigurohet klor i lirë i mbetur në rrjetin e shpërndarjes në përqendrime të përshtatshme për ruajtjen e sigurisë mikrobiologjike të ujit, ndërsa vlera operative e synuar duhet të jetë në intervalin 0,2–0,5 mg/L, në përputhje me kushtet e sistemit dhe rregulloret në fuqi”, thuhet në njoftim.
“Komunalec” duhet të identifikojë shkaqet e ndryshimeve të nivelit të klorit të lirë të mbetur, veçanërisht sa i përket qëndrimit të ujit në rrjet, degëve të mbyllura të rrjetit, zonave me konsum të ulët, ndryshimeve në rrjedhën e ujit, mundësisë së përzierjes së ujërave nga pjesë të ndryshme të sistemit dhe kushteve të tjera që mund të ndikojnë në kohën e qëndrimit të ujit dhe konsumimin e klorit.
“Duhet të sigurohet përputhshmëri e plotë e stacionit të klorinimit dhe kushteve për ruajtjen dhe trajtimin e gazit të klorit me të gjitha kërkesat ligjore dhe të sigurisë në fuqi, duke përfshirë ventilimin e përshtatshëm, sistemin/pajisjet për parandalimin e përhapjes së gazit të klorit në rast avarie, pajisjet personale mbrojtëse, pajisjet e përshtatshme për zbulimin dhe trajtimin e rrjedhjeve, si dhe trajnimin e rregullt të personelit për situata emergjente”, thuhet në rekomandime.
Sipas ISHP-së, inspektorët komunalë të komunës duhet të kryejnë kontrolle më të shpeshta në terren lidhur me përdorimin racional të ujit, veçanërisht gjatë periudhave të konsumit të shtuar, si dhe të kontrollojnë lidhjet e mundshme të paligjshme, rrjedhjet dhe gjendje të tjera që mund të ndikojnë në sasinë dhe vazhdimësinë e furnizimit me ujë.
“Organet kompetente të inspektimit duhet të kryejnë mbikëqyrje të rregullt inspektuese të sistemit të furnizimit me ujë, duke filluar nga burimi deri te konsumatorët fundorë. Theks i veçantë duhet t’i kushtohet inspektimit të zonave të mbrojtjes. Të kryhet një vlerësim teknik i gjendjes, funksionalitetit dhe kapacitetit të stacionit të filtrimit dhe, nëse ai i plotëson kushtet teknike dhe sanitare për funksionim, të vihet në punë në përputhje me teknologjinë e parashikuar të trajtimit, duke vendosur një plan të përshtatshëm operacional dhe monitorimi”, thuhet në njoftimin e ISHP-së.
Që nga 14 gushti, uji nga ujësjellësi i qytetit në Gostivar është i sigurt për pije, pasi rezultatet e analizave laboratorike të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) dhe laboratori i NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”-Shkup rezultuan të kënaqshme.
Pasi autoritetet njoftuan se uji nga ujësjellësi i qytetit në Gostivar është i sigurt për pije, opozitarja LSDM kërkoi që Qeveria të publikojë të plotë raportin dhe analizat e ujit, duke vlerësuar se pas gjithë rastit është joserioze dhe e papërgjegjshme t’u kërkohet qytetarëve që përsëri t’u besojnë vetëm deklaratave.
Në lidhje me ndotjen e ujit në Gostivar, LSDM-ja ka paraqitur kallëzim penal kundër ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovskit, dhe drejtorëve të disa institucioneve shëndetësore. Nga partia i akuzuan ata për lëshime dhe mosmarrje të masave gjatë ndotjes së ujit të pijshëm në Gostivar.
Për rastin janë arrestuar drejtoresha e “Komunalecit” të Gostivarit dhe dy persona të tjerë.