Gjykata shqiptoi 30 ditë paraburgim për tre udhëheqësit e Komunalecit për ndotjen e ujit në Gostivar

Me propozim të Prokurorisë, Gjykata Penale në Gostivar shqiptoi 30 ditë paraburgim për tre të dyshuarve për ndotjen e ujit në sistemin e ujësjellësit në Gostivar. Gjykatësja Dragoslada Veselinova tha se duke pasur parasysh dënimin e paraparë me ligj që iu ngarkohet të dyshuarve sanksionohet me të paktën 4 vjet burg, ndërsa, shtoi ajo nëse lihen të mbrohen në liri, ekziston rreziku që ata të arratisen ose të ndikojnë te dëshmitarët, transmeton Portalb.mk.

“Gjykatësi në procedurë paraprake, e pranoi propozimin e Prokurorisë dhe solli vendim për shqiptimin e paraburgimit 30 ditor”, shtoi gjykatësja.

Para gjyqtarit paraprakisht u paraqitën ushtruesja e detyrës drejtoreshë e NP “Komunalec” – Gostivar, Artana Asani, udhëheqësi teknik Leon Nuredini dhe përgjegjësi i Departamentit për ujësjellës, kanalizim dhe punë ndërtimore, Vadedin Dauti.

Personat e përfshirë në hetim përballen me akuza për veprën penale “vepra të rënda kundër mjedisit jetësor dhe natyrës”, të shkaktuara nga ndotja e ujit të pijshëm.

Pas kualifikimit të veprës penale për të cilën ndiqen të dyshuarit, vepra të rënda kundër mjedisit jetësor dhe natyrës, prokuror kompetent është caktuar Hazbi Iseni, i cili do ta udhëheqë procedurën hetimore.

Nga Prokuroria kanë bërë të ditur se nuk përjashtohet mundësia që hetimi për ujin në Gostivar të zgjerohet edhe ndaj personave dhe institucioneve të tjera

Sipas prokurorëve, hetimi është ende në fazën fillestare dhe mbetet të përcaktohet lidhja shkak-pasojë ndërmjet gjendjes epidemiologjike dhe rezultateve të analizave të ujit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore Publike, tre të dyshuarit, si bashkëkryerës, më 25 qershor kanë urdhëruar vendosjen e tre pompave zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor pranë hapësirës së tejmbushjes së sistemit të furnizimit me ujë, me qëllim testimin e presionit të ujit.

Gjatë inspektimit të kryer më 16 korrik, inspektorët konstatuan se dy nga pompat ishin ende në funksion dhe përmes tyre po transportohej në mënyrë aktive ujë me substanca të dëmshme drejtpërdrejt në sistemin e ujit të pijshëm.

Analizat e Institutit të Shëndetit Publik konfirmuan se uji nga kanali sipërfaqësor ishte shumë i ndotur dhe i papërdorshëm për çfarëdo qëllimi. Gjithashtu, analiza e një mostre uji të marrë nga një çezmë në rrugën JNA në Gostivar tregoi se uji përmbante një nivel të lartë klori.

Për masat që do t’u caktohen të dyshuarve do të vendosë gjyqtari i procedurës paraprake.

Nga Prokuroria Themelore Publike në Gostivar theksojnë se hetimet vazhdojnë me ndërmarrjen e veprimeve shtesë hetimore.

Prokuroria Publike mbrëmë rreth orës 22 doli me informacione për situatën me epideminë e ndotjes së ujit në Gostivar. Nga aty njoftuan se kanë filluar hetimet kundër tre zyrtarëve të Ndërmarrjes Publike Komunale ‘Komunalec’ të cilët tani më janë të arrestuar. Ndërkaq, rezultatet e analizave tregojnë se në ujë ka 48 herë më shumë baktere se vlerat e lejuara.