Ujësjellësi i Tetovës vazhdimisht me defekte, për një muaj janë regjistruar 29 raste (Infografik)
Defektet në rrjetin e ujësjellësit në Tetovë janë shndërruar në problem pothuajse të përditshëm. Nga 1 deri më 27 tetor 2026, Portalb.mk ka evidentuar 29 raste të raportuara të defekteve në pjesë të ndryshme të qytetit, ndërsa në disa rrugë problemet janë përsëritur disa herë. Përderisa rrjeti vazhdon të pësojë defekte, shumë gypa të ujësjellësit në qytet janë ende me azbest. Nga NPK “Sharri” nuk u përgjigjën pyetjeve të Portalb.mk për shkaqet, përgjegjësinë dhe masat për zgjidhjen afatgjatë të problemit.
Sipas të dhënave të grumbulluara nga Portalb.mk sipas njoftimeve nga Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” në faqen zyrtare në rrjetin Facebook, gjatë 27 ditëve të para të tetorit janë evidentuar 29 defekte në rrjetin e ujësjellësit në 21 ditë të ndryshme.
Rruga “Lubotenska” është ndër më problematiket, ku janë evidentuar gjashtë raste të defekteve, më 1, 10, 13, 14, 20 dhe 26 tetor.
Pas saj renditet rruga “Borçe Koçovski”, ku defektet janë paraqitur tri herë, më 6, 16 dhe 22 tetor.
Nga dy raste të defekteve janë regjistruar në rrugët “Bllagoja Toska”, “Jadranska”, “Ivo Llola Ribar” dhe “Murat Baftjari”. Gjithashtu, më 20 dhe 25 tetor janë evidentuar defekte në qendër të qytetit, ku ai i 25 tetorit është raportuar si defekt i madh.

Probleme janë evidentuar edhe në rrugët “111”, “Jashtë Vardarit”, “146”, “Ilinden”, “Gjoce Stojçevski”, “29 Nëntori”, “Prohor Pçinski”, “Goce Dellçev”, “Ilindenska” dhe “Vidoe Smilevski Bato”, ndërsa më 24 tetor është raportuar një defekt në rrjetin e ujësjellësit pa lokacion të specifikuar.
Këto të dhëna tregojnë se defektet nuk janë të përqendruara vetëm në një pjesë të qytetit, por janë evidentuar në lokacione të ndryshme, përfshirë edhe rrugë ku problemet janë përsëritur.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse rastet e përsëritura në të njëjtat rrugë kanë të bëjnë me defekte të reja apo me probleme të mëparshme që nuk janë zgjidhur plotësisht.

NPK “Sharri” pa përgjigje për shkaqet dhe përgjegjësinë
Për të sqaruar gjendjen, Portalb.mk iu drejtua Ndërmarrjes Publike Komunale “Sharri” me pyetje gazetareske lidhur me defektet e vazhdueshme në rrjetin e ujësjellësit.
Nga ndërmarrja kërkuam të sqarojnë nëse problemet lidhen me infrastrukturën e vjetruar, mungesën e mirëmbajtjes apo faktorë të tjerë.
Gjithashtu, kërkuam përgjigje se kush mban përgjegjësi për defektet e përsëritura dhe ndërprerjet e furnizimit me ujë, si dhe nëse janë ndërmarrë masa për adresimin e problemit.
Nga NPK “Sharri” kërkuam edhe informacione për masat konkrete, planet e rehabilitimit të rrjetit dhe afatet se kur qytetarët mund të presin furnizim të qëndrueshëm me ujë.
Deri në publikimin e këtij artikulli, nga ndërmarrja nuk kemi marrë përgjigje.
Një e pesta e rrjetit të ujësjellësit ende me gypa azbesti
Problemet e vazhdueshme me ujësjellësin në Tetovë kryesisht shfaqen për shkak se një pjesë e konsiderueshme e infrastrukturës është e vjetruar dhe e amortizuar.
Siç ka raportuar më herët Portalb.mk në mars të këtij viti, NPK “Sharri” ka konfirmuar se 21 përqind e gypave të rrjetit të ujësjellësit në qytet janë me azbest, material kancerogjen i cili në disa vende është larguar nga përdorimi tani e disa vite. Këta gypa të vjetër janë arsye që shumë ujë humbet në rrjet dhe nuk arrin te qytetarët.
Në mesin e lokacioneve ku janë identifikuar segmente me gypa të tillë janë edhe rrugët “Lubotenska” dhe “Bllagoja Toska”, ku gjatë këtij tetori janë evidentuar defekte të përsëritura.
Megjithatë, nuk ka të dhëna të konfirmuara që tregojnë nëse defektet e tetorit janë shkaktuar pikërisht nga këta gypa.
Drejtori i NPK “Sharri”, Valon Zeqiri, kishte deklaruar më herët për Portalb.mk se ndërmarrja ka përgatitur projekt për zëvendësimin e gypave të azbestit.
Premtimet për zgjidhjen e problemit vazhdojnë prej vitesh
Edhe pse rrjeti i ujësjellësit qytetarëve u ka kushtuar miliona, ai vazhdimisht pëson defekte.
Premtimet e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit nuk janë realizuar siç ai ka premtuar.
Pavarësisht se ka pasur intervenime, qytetarët në këto pesë vite janë përballur me mungesa, restrikcione dhe probleme të ndryshme të furnizimit me ujë. Kasami është arsyetuar se punët që nuk janë bërë brenda dyzet viteve nuk mund të bëhen brenda një viti apo katër viteve.
Para zgjedhjeve lokale 2021 në #Debatpërnime tha se si Lëvizje Besa prioritet mbi prioritetet do të kenë që njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” për katër vite të zgjidhin këtë çështje.
Në programin e tij zgjedhor 2021-2025 për menaxhimin me Tetovën, Kasami te pjesa e urbanizmit premtoi rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.
Ndërsa edhe në programin e tij zgjedhor 2025-2029 për menaxhimin me Tetovën, te pjesa e urbanizmit premton rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.
- LEXO: U ndalua uji për pije në katër fshatra të Tetovës, nuk është i sigurt
- LEXO: Sharri i pasur me ujë, Pollogu i varfër në menaxhim
- LEXO: Rrjeti i vjetëruar i ujësjellësit në Tetovë, 21% me azbest kancerogjen (Video)
- LEXO: Premtimet e Kasamit për ujësjellësin: Nga ‘me ka krejt’ në ‘nuk është punë që bëhet për katër vite’
- LEXO: Tetova e Malit Sharr assesi të rehatohet me ujin, vazhdimisht ka ndalesa dhe defekte
- LEXO: Masterplani nxori në pah të “zezat” e ujësjellësit të Tetovës, komuna premton zgjidhje