Vetëm 62,7 për qind e fëmijëve kanë marrë dozën e parë të vaksinës MRP, Danilovski paralajmëron për rrezikun e epidemisë
Pesë rastet e regjistruara të fruthit në Maqedoni janë një paralajmërim për rënien serioze të mbulueshmërisë me vaksinim dhe për mangësitë në sistemin e imunizimit, vlerëson profesori i epidemiologjisë dhe biostatistikës, Dragan Danilovski. Sipas tij, edhe pse numri i të prekurve deri tani është i vogël, shumë më shqetësues është fakti se në popullatë po krijohet një numër gjithnjë e më i madh personash të ndjeshëm ndaj infeksionit. Fruthi është ndër sëmundjet më ngjitëse, ndërsa për parandalimin e përhapjes së tij nevojitet mbulueshmëri me vaksinim prej të paktën 95 për qind me dy doza, transmeton Portalb.mk.
Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se mbulueshmëria me dozën e parë të vaksinës MRP në vitin 2025 ishte vetëm 62,7 për qind, krahasuar me 72,7 për qind në vitin 2024 dhe 73,4 për qind në vitin 2023. Mbulueshmëria me dozën e dytë ishte 84,7 për qind.
Danilovski thekson se rënia e besimit te vaksinat lidhet me dezinformatat, veçanërisht në rrjetet sociale, si dhe me përsëritjen e pretendimeve të hedhura poshtë prej kohësh për një lidhje të supozuar mes vaksinës MRP dhe autizmit. Si veçanërisht të rrezikshme ai veçon edhe këshillat e pabazuara për shtyrjen e vaksinimit derisa fëmija të fillojë të flasë.
Megjithatë, sipas tij, mbulueshmëria e ulët nuk vjen vetëm si pasojë e refuzimit të vaksinimit. Një pjesë e fëmijëve nuk i marrin dozat për shkak të shtyrjes së vaksinimit, informimit të pamjaftueshëm, pengesave organizative ose mungesës së ndjekjes në kohë nga shërbimet shëndetësore.
Me paraqitjen e rasteve të reja në tetor të vitit 2026, autoritetet shëndetësore kanë nisur hetime epidemiologjike, gjurmimin e kontakteve dhe zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së infeksionit.
Danilovski vlerëson se këto aktivitete janë të domosdoshme, por se nevojitet edhe një vlerësim më i gjerë i funksionimit të sistemit të imunizimit.