U asfaltua rruga te vikend shtëpizat në Kodrën e Diellit, Kasami paralajmëroi miratimin e planit urbanistik para Vitit të Ri (Video)

Rruga kryesore te lagja e vikend shtëpizave në Kodrën e Diellit u asfaltua pas shumë viteve pritje dhe e lënë në harresë. Kjo rrugë sot u promovua edhe nga Komuna e Tetovës nga ku kryetari i Komunës Bilall Kasami paralajmëroi se do të vazhdohet edhe me asfaltimin e pjesës tjetër të rrugës në pranverë. Kasami paralajmëroi edhe miratimin e planit urbanistik për këtë lagje para Vitit të Ri, shkruan Portalb.mk.

Kasami tha se kjo ka qenë investim më se i nevojshëm për Kodrën e Diellit.

“Sigurisht që edhe bora e parë sikur priti që kjo rrugë të përfundonte dhe tanimë Kodra e Diellit duket më ndryshe, më bukur. Në këtë moment dua të garantoj se angazhimi, interesimi jonë për Kodrën e Diellit do të vazhdojë, besojmë fuqishëm që shpejti, para përfundimit të vitit do të kemi edhe përfundimin e planit urbanistik me çka nga pranvera do të mund të nis edhe ndërtimi apo zhvillimi i pjesës së resorteve turistike por edhe ndërtimit të vikend shtëpizave në bazë të lejeve që do të jepen, në bazë të planit urbanistik”, tha Kasami.

I pyetur nëse do vazhdohet edhe me pjesën tjetër të rrugës, Kasami tha se kjo do të bëhet në pranverë.

“Po sigurisht është projekti për komplet lagjen e vikend shtëpizave nga pranvera kur të krijohen kushte do të vazhdohet edhe pjesa tjetër e asfaltimit të rrugës dhe sigurisht edhe me infrastrukturën nëntokësore, veç më jemi nga fundi i projektit edhe për kanalizimin e ujërave të zeza edhe të filtër stacionit të ujërave të zeza. Kështu që bëhet fjalë për një gamë të gjerë të investimeve me të cilat Kodrën e Diellit duam ta transferojmë në një qendër moderne turistike”, tha Kasami.

Asfaltimi i rrugës u bë nga bashkëpunimi i banorëve me Komunën e Tetovës.

Kujtojmë që për rrugën dhe ankesat e banorëve të lagjes së vikend shtëpizave, Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.

Kasami mes tjerash njoftoi se vazhdojnë punimet edhe për depërtimin e rrugës së re e cila është po aq e nevojshme për këtë qendër turistike.

Ai u pyet edhe për kryqin e vendosur pa leje në Manastirin që ndodhet në Kodrën e Diellit, por refuzoi të përgjigjet për këtë temë.

“Sot kemi një shkas më të mirë për sa jemi këtu, por unë dua një porosi të jap, ata që nuk duan të shohin investime të cilat i bën Komuna e Tetovës ata shohin shkaqe se si të kritikojnë Komunën për gjëra të cilat nuk janë përgjegjësi e komunës”, tha Kasami.

Kryqi te Manastiri në Kodrën e Diellit. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (18 nëntor 2023)
Kryqi te Manastiri në Kodrën e Diellit. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (18 nëntor 2023)

Kasami theksoi se në planin urbanistik janë paraparë objektet fetare, kisha dhe xhami.

“Me çka besoj se do të rregullohet edhe çështja sa ka të bëjë me realizimin e këtyre objekteve fetare. Flas për objekte fetare, pra të kishës dhe të gjitha objektet të cilat janë përcjellëse të një objekti fetar të kultit ortodoks dhe xhaminë me gjithë objektet si tërësi e një objekti fetar të muslimanëve”, tha Kasami.

Nga ana tjetër, qendra turistike Kodra e Diellit ende po pret investuesin italian, kompaninë “TechnoAlpin”, ku nuk dihet ende se kur do të fillojnë punimet.

Përndryshe, kjo qendër turistike për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të. Ndër problemet e mëdha janë kaosi urbanistik, infrastruktura e dobët, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe të tjera.