Është vendosur kryq në oborrin e Manastirit në Kodrën e Diellit, Komuna e Tetovës: Është pa leje

Në Kodrën e Diellit, konkretisht në oborrin e manastirit “Shën Naumi i Ohrit” është vendosur një kryq pa leje të Komunës së Tetovës dhe Parkut Kombëtar “Mali Sharr”. Komuna e Tetovës thotë se kanë lëshuar inspektoratet komunal në terren dhe pastaj do të merren masa ligjore për rastin, raporton Portalb.mk.

Zëdhënësja e Komunës së Tetovës Besarta Ramadani sqaroi se Komuna nuk ka dhënë leje për ngritjen e kryqit në Kodrën e Diellit, duke shpallur se ai është vendosur pa lejen e duhur për ngritje.

“Inspektorët komunal kanë dalë në terren për të vërtetuar gjendjen faktike dhe për të kryer vlerësimin e situatës, sipas të cilave do të merren masat ligjore për të garantuar zbatimin e plotë të rregullave dhe procedurave. Pra, edhe një herë, Komuna e Tetovës edhe në këtë rast do të respektojë të gjitha procedurat ligjore, siç edhe ka vepruar çdo herë”, tha Ramadani.

Mendim për vendosjen e kryqit nuk është kërkuar as nga Parku Kombëtar “Mali Sharr”, pohoi drejtori i këtij Institucioni Ibraim Deari.

“Nuk jemi kundër objekteve fetare apo ngritjes së kryqit apo minares së caktuar por duhet të respektohen normat ligjore. Deri më tani nuk ka arritur asnjë kërkesë apo shkrim dhe sigurisht se duhet të kërkohet mendim sepse ne japim mendim për objektet që ndërtohen brenda Parkut Nacional”, tha Deari.

Njëri nga anëtarët e këshillit të Manastirit të Kodrës së Diellit për Alsat pranoi se leje nuk është kërkuar ndërsa tha se bëhet fjalë për pajisje urbane për të cilën nuk kërkohet leje.

“Kryqi është ngritur në tokën e kishës dhe kjo është pajisje urbane dhe nuk është as përmendore asgjë. Është ngritur mbrëmë. Parku nacional s’ka lidhje me këtë, përndryshe duhet për çdo objekt leja. Por ka komentime për objektet fetare gjoja se s’jepet, s’bëhet që sipas meje nuk është në rregull. Edhe objektet fetare duhet të trajtohen njëjtë. Nuk e di nuk kemi kërkuar leje nga komuna unë personalisht nuk kam kërkuar”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër, Liridon Disha nga këshilltarët komunal të Bashkimit Demokratik për Integrim tha se kanë kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Komunal që të sqarohet vendosja e kryqit.

“Ne kemi kërkuar që në këtë seancë të jetë i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Tetovës dhe të na jepen sqarime më të detajuara si u vendos kryqi, si ata që e instaluan kryqin e kaluan atë barrierën e inspektoratit komunal dhe me çfarë leje kanë marrë guximin ta vendosin atë kryq aty. Asnjëherë nuk kemi qenë kundër simboleve fetare, për kundrsazi i kemi inkurajuar ato, mirëpo mendojmë që çdo institucion fetar në vend duhet t’i përshtatet ligjit dhe të funksionojë sipas ligji.Sa më shpejtë ata të thirrin seancë të jashtëzakonshme, ku ne do ti sqarojmë këto punë dhe pasi të sqarohen këto punë dhe do ta dimë se çka dhe si ka ndodhur që ta zgjidhim këtë çështje”, tha Disha.

VMRO DPMNE dega e Tetovës njoftoi se sonte do të mbajë seancë urgjente siç thonë për rastin e presioneve të institucioneve të udhëhequra nga BDI dhe LSDM, me qëllim të shkeljes së Kushtetutës dhe ligjit që garanton lirinë e besimit dhe shprehjen e besimit të maqedonasve në Tetovë.

“Besojmë se prania e paautorizuar dhe e paligjshme e institucioneve të shumta shtetërore në kishën e Shën. Naum Ohridski për Popova Shapka është presion i drejtpërdrejtë që synon të krijojë tensione mes qytetarëve”, thanë nga VMRO-DPMNE.

Ka reaguar edhe udhëheqësi i qendrës së skijmit “Kodra e Diellit”, Adem Avziu. Ai theksoi se vendosja e kryqit dhe simboleve monofetare në një shoqëri multietnike është një çështje e ndjeshme dhe komplekse.

“Ajo që është me rëndësi është të respektojmë dhe të promovojmë diversitetin kulturor dhe besimin fetar të të gjithë qytetarëve. Veçanërisht kur bëhet fjalë për një qendër rekreacioni, sporti dhe turizmi, është shumë me rëndësi që në vend të simboleve fetare, të punojmë të gjithë së bashku për të krijuar një mjedis inkluziv dhe respektues ndaj të gjithë komuniteteve fetare në shoqërinë tonë multietnike. Thënë kjo, nuk jemi dakord me vendosjen e simboleve monofetare në Qendrën e Skijimit “Kodra e Diellit” dhe se ne nuk kemi kompetenca për të njëjtat.”, tha Avziu.

Reagoi edhe Bashkësia Fetare Islame (BFI) e RMV-së, ata thonë se janë të habitur me paraqitjen e kryqit në Kodrën e Diellit në Tetovë, dhe e kuptojnë si akt jo qëllim mirë që ngrit tensione ndërfetare dhe ndërnacionale.

“Objektet fetare janë nevojë e besimtarëve, dhe me ndërtimin e Xhamisë si dhe me ndërtimin e Kishës kah moti u plotësuan nevojat e besimtarëve të krishterë dhe myslimanë, andaj çdo objekt fetar që ngritet për të treguar superioritet apo provokim vërtetë nuk i shërben qëllimit kryesor drejt Zotit, pra kryqi i ngritur në Kodrën e Diellit është një provokim dhe si i tillë në këto momente i paqëlluar dhe ndikon negativisht në marrëdhëniet ndërnjerëzore”, thanë nga BFI.

Ndryshe, për këtë u mbajt edhe seancë e jashtëzakonshme e Këshillit Komunal e cila kaloi me tensione.