Lagja e vikend shtëpizave në Kodrën e Diellit e lënë në harresë, rrugët e shkatërruara dhe me gropa

Krahas problemeve të shumta me të cilat përballet Kodra e Diellit, ndër to është edhe infrastruktura e dobët dhe rrugët plot gropa në lagjen e vikend shtëpizave, të cilat me vite janë lënë pas dore nga ana e institucioneve. Sezoni i dimrit po afron ndërsa në teren nuk ka ndryshim, nga Komuna e Tetovës paralajmërojnë se gropat do të mbulohen para fillimit të sezonit, njofton Portalb.mk.

Gjendja e këtillë e rrugëve tani më është bërë përditshmëri për qytetarët të cilët aty kanë vikend shtëpiza, por edhe për ata të tjerët që e frekuentojnë këtë pjesë, gjendja e rrugëve është e keqe.

“Kjo është mëkat që e gjithë kjo pasuri natyrore që e kemi të lihet në këtë gjendje, institucionet moti kohë e kanë harruar kodrën, rruga te lagja e vikend shtëpive s’do fjalë, pamjet flasin vetë”, tha një qytetar.

“Kemi tokë në Kodrën e Diellit. E blemë me idenë të investojmë atje. Megjithatë, me këto kushte, që mezi arrijmë deri te vendi jonë për shkak të rrugës së keqe te vilat, plot me gropa dhe e shkatërruar, ndriçimit jo të qëndrueshëm publik, mbeturinave në hyrje të kodrës dhe kudo tjetër, po e ri-konsiderojmë idenë e investimit lartë, dukshëm nuk ja vlen, dukshëm për autoritetet Kodra e Diellit nuk është prioritet, kjo mund të konkludohet me faktin që Kasami i bëri dy vite në krye të komunës dhe ende asnjë qindarkë se ka investuar në pasurinë më të madhe të qytetit, Kodrën e Diellit”, thotë një qytetar.

“Duhet që këto rrugët të shtrohen me asfalt të ri prej fillimi, këto janë komplet të prishura”, tha një qytetar tjetër.

Rrugë të dëmtuara në lagjen e vikend shtpizave në Kodrën e Diellit.
Rrugë të dëmtuara në lagjen e vikend shtpizave në Kodrën e Diellit.

Për këtë problem, nga Komuna e Tetovës njoftuan se kanë qenë në bisedime me pronarët e vikend shtëpizave për tu gjetur gjuhë e përbashkët për investim të përbashkët, por pa ndonjë rezultat konkret. Ndërkaq paralajmëruan se para se të fillojë sezoni i dimrit gropat do të mbushen.

“Kemi një kontratë që është në fuqi për mbulimin e gropave apo asfaltimin e rrugëve dhe rrugicave në Tetovë dhe rrethinë, do shohim me mjete sa kemi hapësirë për të vepruar dhe do të shohim variantet tjera të ndërhyjmë që përfundimisht rrugët para nisjes së sezonit të jenë të rehabilituara”, tha Memet Jonuzi, udhëheqës i Sektorit për veprimtari komunale në Komunën e Tetovës.

Edhe paraprakisht në një përgjigje ndaj Portalb.mk nga Komuna e Tetovës patën deklaruar se ka plan për rikonstruimin e rrugës te lagja e vikend shtëpizave por pa cekur se kur konkretisht.

Rrugë të dëmtuara në lagjen e vikend shtpizave në Kodrën e Diellit.
Rrugë të dëmtuara në lagjen e vikend shtpizave në Kodrën e Diellit.

Nga ana tjetër, qendra turistike Kodra e Diellit ende po pret investuesin italian, kompaninë “TechnoAlpin” me të cilin Qeveria ende nuk ka nënshkruar marrëveshje. Nga Qeveria për Portalb.mk thanë se negociatat po vijojnë, por pa dhënë detaje. Detaje nuk japin as nga kompania italiane, theksuan se janë në mes të negociatave.

Përndryshe, kjo qendër turistike për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të. Ndër problemet e mëdha janë kaosi urbanistik, infrastruktura e dobët, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe të tjera.